Artikull
Klubi "Ivan Mihajllov" kërkon qartësi për qëndrimin e BE-së ndaj Maqedonisë
Premte 3 Korrik 2026 16:46
Premte, 3 Korrik 2026, 16:46
Klubi Kulturor "Ivan Mihajllov" - Manastir
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Klubi Kulturor "Ivan Mihajllov" nga Manastiri, i cili është ndaluar me vendim gjykate në Maqedoninë e Veriut, i bëri thirrje kryeministrit Hristijan Mickoski që t'u thotë qytetarëve të vërtetën për përfundimet e raportit të Parlamentit Evropian mbi përparimin e vendit drejt Bashkimit Evropian.
"Në Shkup, qeveritë prej vitesh e bindin opinionin publik se bullgarët në Maqedoninë e Veriut nuk ekzistojnë, se përfshirja e tyre në Kushtetutë është një “diktat bullgar”, se Marrëveshja e Fqinjësisë së Mirë me Bullgarinë është e panevojshme dhe se Bashkimi Evropian nuk ka vendosur kurrë kushte të tilla. Tani, raporti vjetor i Parlamentit Evropian për përparimin e vendit e rrëzon këtë propagandë", thuhet në deklaratën e publikuar në faqen e shoqatës në Facebook. Në deklaratë kujtohet se Bashkimi Evropian ka bërë të qartë se bullgarët në Maqedoninë e Veriut duhet të përfshihen në Kushtetutën e vendit si një komunitet shtetformues me të drejta të barabarta. Sipas shoqatës, kjo "nuk është një kërkesë e Bullgarisë, por një qëndrim zyrtar i Parlamentit Evropian", njofton BTA.
Shoqata e cilëson si hipokrizi mënyrën se si autoritetet në Maqedoninë e Veriut e paraqesin Planin e Veprimit për të Drejtat e Pakicave dhe Komuniteteve, duke pretenduar se ai është hartuar me pjesëmarrjen e ekspertëve të Bashkimit Evropian dhe sipas standardeve evropiane. Sipas deklaratës, vetë Parlamenti Evropian vlerëson se mbrojtja e të drejtave të komuniteteve në Maqedoninë e Veriut mbetet e pamjaftueshme dhe se vendi duhet të ndërmarrë masa konkrete për të garantuar barazinë e të gjithë qytetarëve.
"Rezoluta përmban edhe një thirrje shumë të rëndësishme: hapjen e arkivave të shërbimeve sekrete jugosllave UDBA dhe KOS, si në Maqedoninë e Veriut ashtu edhe në Serbi. Ky është një njohje se pa zbardhjen e së vërtetës për represionin, përndjekjet politike dhe mekanizmat e regjimit komunist jugosllav, nuk mund të ketë demokraci të vërtetë dhe sundim të ligjit", thuhet në deklaratë. Sipas shoqatës, kjo dëshmon se problemi nuk qëndron te bullgarët, por te "refuzimi i institucioneve në Shkup për të pranuar realitetin, për t'u garantuar qytetarëve të tyre të drejta të barabarta dhe për të përmbushur angazhimet që vendi ka marrë në rrugën drejt Bashkimit Evropian".
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova