SHOQËRI

Seksion

Të japësh mësim në gjuhës bullgare në Banat

Përmbledhje e vitit të parë akademik të Svetllana Karaxhovës në Universitetin Perëndimor të Timishoarës dhe e projekteve të saj me komunitetin bullgar në Star Beshenov

Hënë, 6 Korrik 2026, 07:00

Të japësh mësim në gjuhës bullgare në Banat

FOTO: arkiva personale e Svetllana Karaxhovës

Madhësia e shkronjave

Viti i parë akademik (2025/2026) i Svetllana Karaxhovës si pedagoge e gjuhës bullgare në Universitetin Perëndimor të Timishoarës u karakterizua nga një interes i papritur. Në një intervistë për Radio Bullgarinë, ajo tregoi se kishte mbërritur në Rumani pa pritshmëri të mëdha, por gjatë tetë muajve të qëndrimit të saj arriti të vendoste themelet e një komuniteti aktiv dhe të bashkuar. Rreth mësimit të gjuhës janë mbledhur njerëz shumë të ndryshëm – nga studentë (kryesisht rumunë etnikë), te serbë etnikë, si edhe përfaqësues të komunitetit lokal të bullgarëve të Banatit, të cilët tregojnë përkushtim, interes dhe shprehin shpresën se së shpejti do të vizitojnë Bullgarinë.

FOTO: Facebook/ Svetllana Karaxhova

Antologji e specializuar me tekste të bullgarëve të Banatit

Një nga arritjet më të rëndësishme gjatë këtij viti ishte zbatimi me sukses i një antologjie të specializuar, të përgatitur nga Akademia Bullgare e Shkencave (BAN), e cila përmbledh tekste të shkruara nga bullgarët e Banatit dhe për jetën, realitetet dhe komunitetin e tyre në rajonin e Banatit. Karaxhova shpjegon se, për të mbajtur interesin e bullgarëve të Banatit, të cilët shkruajnë me alfabet latin dhe jetojnë në këtë rajon prej afro tre shekujsh, nevojitet një qasje e veçantë. Periudhat historike të izolimit i kanë larguar ata nga jeta kulturore e atdheut të tyre. Pikërisht për këtë arsye, tekstet mësimore duhet të jenë në harmoni me frymën, identitetin dhe përvojën e tyre.

Svetllana Karaxhova bën një krahasim me të kaluarën, duke theksuar se kur në vitin 1948 në Star Beshenov u dërguan mësues nga Bullgaria, mësimdhënia nuk arriti të krijonte "lidhjen" e dëshiruar midis dy varianteve të gjuhës, pasi mësuesit e asaj kohe nuk ishin të përgatitur për kulturën specifike të vendit. Mangësitë e periudhës së komunizmit, kur nuk u gjet qasja e duhur ndaj këtij komuniteti konservator katolik, sot po kapërcehen pikërisht përmes teksteve që lidhen me historinë e tyre. Svetllana Karaxhova shprehet:

FOTO: arkiva personale

"Pashë se kur lexohen tekste të tilla të autorëve katolikë ose përshtatje të veprave të Jaku Ronkovit, i cili është një përfaqësues i bullgarëve të Banatit, ata i përjetojnë me një emocion të veçantë. Kështu, komunikimi dhe vetë procesi i të mësuarit e i mbajtjes mend bëhen shumë më të lehta. Prandaj jam mirënjohëse ndaj asistentes kryesore, doktoreshë Magdalena Abaxhieva, si dhe ndaj të gjithë ekipit të kolegëve nga Akademia Bullgare e Shkencave, me të cilët punuam për këtë antologji, sepse ajo gjeti mjedisin e saj më të natyrshëm pikërisht në këtë lektorat – gjeti studentë dhe kursantë që hapin faqet e saj dhe i përdorin këto tekste."

FOTO: Facebook/ Svetllana Karaxhova

Ura drejt komunitetit lokal dhe bisedat në Star Beshenov

Përveç detyrimeve të saj akademike në universitet, Svetllana Karaxhova u angazhua aktivisht edhe në jetën kulturore të bullgarëve të Banatit. Qendra kryesore e këtij aktiviteti u bë fshati Star Beshenov dhe qendra e tij kulturore "Karol Telbizov". Aty ajo organizoi 11 takime-diskutime, që trajtonin tema nga historia, kultura dhe çështje bashkëkohore të jetës qytetare.

Duke kujtuar muajt që kaluan dhe dinamikën e këtyre diskutimeve, Karaxhova rrëfen:

"Ideja ime ishte të organizoheshin biseda të tilla, ku të trajtoheshin tema të ndryshme nga historia, kultura dhe çështje të ndryshme qytetare, në mënyrë që të zhvillohej një dialog mes përfaqësuesve të komunitetit, kryesisht me synimin për të nxitur të menduarit dhe diskutimin mbi këto tema. Sepse, pa u shprehur dhe pa u ndarë me të tjerët, njohuritë zbehen dhe humbasin. Debatet mbi libra të caktuar, diskutimet mbi tema të veçanta, prezantimi i këndvështrimeve të ndryshme interesante – mendoj se të gjitha këto u realizuan gjatë këtyre 11 takimeve. Natyrisht, mund të kishin qenë edhe më intensive, por në një moment të gjithë u lodhën disi nga ritmi i lartë i muajve të parë. Prandaj, në vjeshtë do t'i rifillojmë me një periodicitet më të rrallë, por me tema më të qarta dhe të përcaktuara."

FOTO: arkiva personale

Projekte letrare dhe vizita diplomatike

Viti akademik u karakterizua gjithashtu nga disa iniciativa origjinale. Me nismën e Karaxhovës, rreth datës 24 maj – e njohur zyrtarisht në Rumani si Dita e Gjuhës Bullgare – në universitet u organizua një aktivitet i madh kushtuar kulturës bullgare. Më 22 maj, me ftesë të drejtuesve të universitetit, ishte i ftuar ambasadori i Bullgarisë, Radko Vllajkov, i cili zhvilloi takime intensive me drejtuesit e universitetit dhe me të rinjtë.

Gjuha bullgare gjeti vend edhe në hapësirën publike të Timishoarës përmes projektit poetik "Udhëtim poetik: Maji në tramvaj". Në këtë projekt mori pjesë edhe një nga studentët më të përgatitur të Karaxhovës, rumuni etnik Dorian Erina, i cili përktheu në rumanisht dy poezi bullgare, të autorëve Ivan Vazov dhe Dimço Debeljanov. Në kuadër të nismës, në transportin publik u shpërndanë fletëpalosje me fragmente të shkurtra poetike në të dyja gjuhët.

FOTO: Facebook/ Svetllana Karaxhova

Seminaret verore në Bullgari dhe vështrimi drejt së ardhmes

Bilanci i suksesshëm i këtij viti u pasqyrua edhe në mundësitë konkrete të krijuara për studentët. Falë mbështetjes së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Bullgarisë, Universiteti i Timishoarës përfitoi tre bursa për seminare verore të gjuhës bullgare. Gjatë gjysmës së dytë të korrikut, dy bullgarë të Banatit – Ivan Vasillçin dhe Kristian Penkov – do të ndjekin seminarin në Universitetin e Sofjes, ndërsa studenti me origjinë rumune Katalin Anekitej do të marrë pjesë në seminarin e Universitetit të Veliko Tërnovos.

Mandati i Svetllana Karaxhovës do të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm akademik, ndërsa pritshmëritë janë edhe më të mëdha, pasi lënda e gjuhës bullgare tashmë është shpallur lëndë me zgjedhje për studentët e të gjitha fakulteteve të Universitetit Perëndimor të Timishoarës. Në fund të bisedës, ajo paraqet vizionin e saj për zhvillimin e mëtejshëm të lektoratit:

"Mendoj se edhe gjuha bullgare do ta zërë vendin e saj të merituar në grupin e gjuhëve sllave që studiohen në Universitetin Perëndimor të Timishoarës. Besoj se do të krijohen kushte edhe për zhvillimin e një veprimtarie kulturore më intensive në komunitetin e bullgarëve të Banatit. Afrimi i tyre me gjuhën standarde të Bullgarisë, e cila për ta aktualisht është disi ekzotike, do të bëhet më i lehtë përmes aktiviteteve të ndryshme kulturore, të cilat shpresoj të jenë më të shpeshta dhe më intensive. Promovimet e librave dhe nisma të tjera të ngjashme do t'i nxisin njerëzit të marrin pjesë në këto takime, për t'u njohur më nga afër me një kulturë që për ta është njëkohësisht e largët dhe e afërt."


Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello