LAJME

Artikull

SHBA-ja është mirënjohëse për pritjen e avionëve cisternë në Aeroportin e Sofjes

Hënë, 6 Korrik 2026, 11:15

Aleksus Grinkeviç

Aleksus Grinkeviç

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

SHBA-ja falënderon popullin bullgar për qëndrimin pesëmujor të avionëve ushtarakë amerikanë cisternë në Sofje. Uashingtoni e bëri këtë përmes njërit prej komandantëve të tij ushtarakë më me ndikim në botë, gjeneralit Aleksus Grinkeviç. Për bTV, Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë tha se do t’i “inkurajonte udhëheqësit politikë të Bullgarisë, kur të takohen me presidentin Donald Trump më 7 dhe 8 korrik në Ankara, të theksojnë mbështetjen që i ofruan SHBA-së. Bullgaria duhet të jetë krenare që e bëri këtë dhe që qëndroi përkrah një aleati, që hodhi një hap përpara dhe ishte e gatshme të bënte diçka që disa në Aleancë nuk ishin të gatshëm ta bënin”, tha Grinkeviç.

Ai mohoi se nga Sofja janë kryer operacione luftarake, por nuk iu përgjigj pyetjes nëse avionët nuk kanë shërbyer për të mbështetur sulmet kundër Iranit. “Nuk ka pasur operacione luftarake që të kenë nisur nga Bullgaria”, theksoi gjenerali.

Grinkeviç komentoi edhe situatën gjeopolitike në botë. “Kemi kundërshtarë të mundshëm në mbarë botën, të cilët po bashkëpunojnë në mënyra që nuk do t’i kishim imagjinuar kurrë disa vite më parë. Kjo përfshin Kinën, Korenë e Veriut, Iranin dhe, natyrisht, Federatën Ruse, si dhe të tjerë. Këtë e shohim në një shkallë më të vogël në Ukrainë, ku Rusia nuk do të mund ta vazhdonte këtë luftë pa financimin kinez, si edhe pa komponentët me përdorim të dyfishtë që vijnë nga Kina dhe furnizojnë bazën e saj industriale”, sqaroi Grinkeviç.

Ai e shpalli Rusinë kërcënimin më të madh. “Dhe kjo bazohet në masë të madhe në faktin se tashmë e dimë që ajo është e gatshme të përdorë forcën për të tentuar të ndryshojë kufijtë në Evropë – diçka që nuk e kemi parë prej dekadash”, tha më tej ushtaraku i lartë.


Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski