Artikull
Në Ankara, Bullgaria dhe Turqia zhvilluan bisedime të rëndësishme ekonomike
Martë 7 Korrik 2026 09:45
Martë, 7 Korrik 2026, 09:45
FOTO: Këshilli i Ministrave
Madhësia e shkronjave
Në një takim në Ankara, kryeministri bullgar Rumen Radev dhe presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan nënshkruan një protokoll për ngrirjen e kontratës ndërmjet kompanive "Bulgargaz" dhe "BOTAŞ" për një periudhë prej 15 muajsh. Gjatë kësaj periudhe do të paguhet vetëm për kapacitetin e përdorur nga pala bullgare. Kjo u njoftua nga shërbimi për shtyp i Këshillit të Ministrave. U theksua gjithashtu gjatë takimit se Bullgaria dhe Turqia kanë interes të përbashkët që të shfrytëzohet në maksimum kapaciteti për transmetimin e gazit natyror dhe se do të punohet për rinegocimin e kontratës ndërmjet dy kompanive sipas kushteve aktuale të tregut, thuhet në njoftim.
Gjatë takimit të tyre, Radev dhe Erdoğan veçuan ndërlidhjen si një prioritet kyç në marrëdhëniet dypalëshe dhe prirjen pozitive të rritjes së shkëmbimit tregtar dypalësh, i cili arrin në 9 miliardë euro, si dhe u diskutuan projekte të reja të mundshme me interes të ndërsjellë, njofton BTA.
Në publikimin e ministrit turk të Energjisë Alparslan Bayraktar thuhet se kontrata ndërmjet dy kompanive do të rishqyrtohet, por nuk përmendet ngrirja 15-mujore e marrëveshjes.
Kontrata ndërmjet "Bulgargaz" dhe "BOTAŞ" u nënshkrua më 3 janar 2023, në kulmin e krizës energjetike që pasoi ndërprerjen e furnizimeve ruse për Bullgarinë. Megjithatë, marrëveshja u shndërrua në një nga projektet energjetike më të kontestuara. Kritikat kryesore janë kundër tarifave të konsiderueshme fikse për kapacitetin e rezervuar, një pjesë e madhe e të cilit nuk përdoret, dhe kjo çon në grumbullimin e detyrimeve serioze financiare për palën bullgare.
Kur në muajin qershor ministri turk i Punëve të Jashtme Hakan Fidan ishte në Sofje, ai e lidhi rishqyrtimin e marrëveshjes me projekte të ardhshme për rritjen e kapacitetit të transmetimit të gazit dhe energjisë elektrike nga Turqia, përmes Bullgarisë drejt Evropës, ndërtimin e autostradës "Deti i Zi" dhe rritjen e kapacitetit të kalimit të trafikut në kufirin bullgaro-turk.
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski
Publikoi / Publikuan: Sindi Nikollofski