LAJME

Artikull

Shërbimi i inteligjencës:

Nuk ka të dhëna për të kaluarën e patriarkut rus si agjent

Martë, 7 Korrik 2026, 10:55

Nuk ka të dhëna për të kaluarën e patriarkut rus si agjent

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka informacion nga shërbimet e inteligjencës për veprimtarinë e patriarkut rus Kirill si agjent i Komitetit për Sigurinë e Shtetit (KGB).

Kjo thuhet në përgjigjen me shkrim të ministres së Punëve të Jashtme Velisllava Petrova-Çamova ndaj një pyetjeje të deputetit Ivajllo Mirçev nga "Bullgaria Demokratike".

Shkak për pyetjen janë deklaratat e kryeministrit Rumen Radev dhe të ministres së Punëve të Jashtme, të cilët kanë shprehur rezerva ndaj paketës së 21-të të sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë që është në përgatitje. Një nga arsyet e përmendura është përfshirja e patriarkut rus në mesin e personave ndaj të cilëve do të vendosen masa kufizuese, shkruan Maria Fileva nga programi "Horizont" i Radios Kombëtare Bullgare (BNR).

Mirçev interesohet nëse ka qëndrime të Shërbimit të Inteligjencës Ushtarake dhe të Agjencisë Shtetërore të Inteligjencës gjatë formimit të qëndrimit të Bullgarisë lidhur me patriarkun rus Kirill, i njohur gjithashtu si ish-agjent i KGB-së me emrin "Mihajllov".

"Është e vështirë për mua të besoj se Agjencia Shtetërore e Inteligjencës dhe Shërbimi i Inteligjencës Ushtarake nuk disponojnë një informacion të tillë", komentoi Mirçev në Facebook.

Ai publikoi dokumente të Komisionit për Dosjet. Sipas tij, ato tregojnë se veprimtaria e klerikut në Këshillin Botëror të Kishave (KBK) ka qenë në linjë operative, e zhvilluar në bashkëpunim me Drejtorinë 05 të KGB-së.


Redaktoi: Ivan Ivanov

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski