KULTURË

Artikull

Të përkthesh për institucionet evropiane

Përkthyesja Joana Stojanova për vështirësitë dhe kënaqësitë e përkthimit

Besoj te Bashkimi Evropian si një projekt paqeje – thotë bullgarja

Premte, 10 Korrik 2026, 07:00

Përkthyesja Joana Stojanova për vështirësitë dhe kënaqësitë e përkthimit

FOTO: Parlamenti Evropian

Madhësia e shkronjave

Joana Stojanova është indologe, përkthyese nga dhe në gjuhën angleze, me përvojë të pasur profesionale dhe një biografi të admirueshme në fushën si të përkthimit gojor, ashtu edhe të përkthimit letrar. Falë saj, hedhim një vështrim në kabinën bullgare të përkthimit në Parlamentin Evropian, Këshillin e Bashkimit Evropian dhe Komisionin Evropian – institucione për të cilat ajo punon.

Bullgarishtja është një nga 24 gjuhët zyrtare në të cilat përkthehen seancat – një pasqyrim i larmisë gjuhësore të kontinentit. Përtej aspekteve të pafundme dhe jashtëzakonisht interesante teorike të kalimit nga një gjuhë në tjetrën, flasim për praktikën e përkthimit, veçoritë e formave të ndryshme të tij, kënaqësitë dhe vështirësitë e përkthimit simultan, i cili – një fakt interesant – lindi në formën e tij të sotme gjatë Proceseve të Nurembergut në vitet 1945–1946. Atëherë, për herë të parë, përkthyes të pajisur me pajisje të posaçme teknike ndihmuan në realizimin e komunikimit shumëgjuhësh në një shkallë të tillë.

Çfarë do të thotë të përkthesh për institucionet evropiane?

Joana Stojanova

FOTO: Arkiv personal

"Për mua, përparësia kryesore, si të thuash, është se je pjesë e Bashkimit Evropian nga brenda dhe në përgjithësi sheh gjithçka. Menjëherë bëhet e qartë se në ç’drejtim po shkon legjislacioni, në ç’drejtim po shkon në përgjithësi orientimi i Bashkimit në kuptimin gjeopolitik dhe në kuptimin e vlerave. Për shembull, kur fillova të përkthej, kudo flitej vetëm për Marrëveshjen e Gjelbër. Flitej për ekologjinë, për objektivat ekologjike, për ambicie të mëdha. E gjithë kjo mbeti në plan të dytë pas luftës në Ukrainë dhe tani flitet vetëm për mbrojtjen", tregon Joana Stojanova në një intervistë për Radio Bullgarinë. "Për mua është e mrekullueshme që mund të jem pjesë e BE-së, sepse unë besoj tek ajo si një projekt jashtëzakonisht i suksesshëm paqeje, i cili prej dekadash arrin të ruajë paqen brenda kufijve të Bashkimit Evropian" – shprehet kategorikisht bullgarja. Ajo shton se pamja nga brenda mbi punën e institucioneve evropiane e ndihmon të krijojë një përfytyrim real për atë që ndodh në Bruksel, duke shmangur ndërmjetësimin – qoftë atë mediatik apo, për fat të keq ndonjëherë, atë lobues.

"Sigurisht, është shumë e vështirë. Njeriu duhet të presë gjithçka, veçanërisht në Parlament. Kurrë nuk e di se në ç’drejtim do të shkojë një seancë, kush për çfarë do të marrë fjalën. Shumë shpesh fillohen deklarata pa asnjë kontekst."

FOTO: brusselstimes.com

Përkthyesi, natyrisht, mund të parashikojë kuptimin e përgjithshëm të një deklarate, duke njohur orientimin gjeopolitik ose politik të shtetit që shpreh qëndrimin për një temë të caktuar. "Për shembull, kur je në një mbledhje për mjedisin dhe bëhet fjalë për kënetat dhe mbrojtjen e zonave kënetore, dihet se do të fillojnë të flasin Irlanda dhe vendet skandinave. Të tjerët, në përgjithësi, me shumë gjasë do të heshtin" – buzëqesh bashkëbiseduesja jonë.

Vështirësi për përkthyesin gojor paraqet edhe larmia e thekseve.

"Flitet një anglishte e veçantë, që quhet 'Globish', ndërsa në këtë rast është anglishtja e Brukselit, ku secili e njeh gjuhën në një nivel të caktuar, i cili ndryshon nga një person te tjetri, dhe shumë shpesh njerëzit përkthejnë fjalë për fjalë në anglisht disa shprehje nga gjuhët e tyre. Ndonjëherë këto shprehje hyjnë në përdorim dhe mbahen mend. Por në shumë raste shprehja është krejtësisht e re" – shpjegon përkthyesja.

FOTO: Këshilli i Bashkimit Evropian

Përkthimi për institucionet e ndryshme evropiane rezulton se ka veçoritë e veta specifike.

"Në grupet e punës të Këshillit hyhet në shumë hollësi teknike dhe mund të punohet gjithë ditën vetëm për disa nene të një rregulloreje të propozuar. Atje përqendrohesh vazhdimisht te të njëjtët terma, gjë që e lehtëson shumë punën, ndërsa në Parlament gjithçka është e paparashikueshme. Atje flitet edhe shumë me figura stilistike; njerëzit duan të ushtrojnë ndikim me fjalët e tyre, kështu që vetë fjala përdoret në një mënyrë shumë më performative, shumë më goditëse dhe kërkon shumë më tepër imagjinatë edhe në bullgarisht. Shumë shpesh përdoren edhe fjalë vulgare, njerëzit grinden. Prandaj dallimi është mjaft i madh."

Sipas Joana Stojanovës, përkthimi gojor dhe ai me shkrim janë veprimtari rrënjësisht të ndryshme, që kërkojnë aftësi krejtësisht të ndryshme.

"Përkthimi gojor është pak a shumë si përkthimi me shkrim në një variant ekstrem" – përmbledh ajo. "Në përkthimin me shkrim njeriu ka mundësinë ta përpunojë për një kohë shumë të gjatë atë që ka bërë. Ndërsa në përkthimin gojor duhet të jetë i saktë që në herën e parë dhe të jetë i përdorshëm. Dhe nëse, përveçse i përdorshëm, del edhe i bukur, është një ndjesi e jashtëzakonshme."

FOTO: paperjam.lu

Për përkthyesen, inteligjenca artificiale nuk ka vend në përkthim, sepse ajo është thjesht zëvendësim i një vargu fjalësh me një varg tjetër në një gjuhë tjetër mbi bazën e parashikimit probabilistik, ndërsa përkthimi njerëzor është lexim, kuptim, interpretim dhe më pas formulim në një gjuhë tjetër, domethënë veprimtari mendore, ndërsa "inteligjenca artificiale ose arsyeja artificiale ende nuk mund të mendojë."

"Mendoj se automatizimi nuk mund t'i zëvendësojë specialistët e gjuhës, sepse gjuha është e gjallë. Ajo ndryshon vazhdimisht. Gjuha përshtatet me nevojat e momentit, me situatën e të folurit, me tekstin. Ajo ndryshon bashkë me ndryshimin e qëndrimeve, të kulturës dhe të mënyrës së të menduarit. Ka jashtëzakonisht shumë ndikime nga gjuhë të tjera. Ka ndikime edhe nga nënkulturat e kështu me radhë. Nuk bëhet pa ndërhyrjen e njeriut – një njeri që jeton në botë, i sheh të gjitha këto ndikime, i përjeton vetë dhe i përdor edhe në të folurin e tij. Nuk duhet t'i dorëzohemi kësaj ndjesie ose këtij kuptimi konvencional se nuk kemi fare nevojë për përkthyes dhe nuk kemi nevojë për redaktorë."

FOTO: Bashkimi Evropian

Madje, vetë përkthimi e formëson gjuhën, ndikon në zhvillimin e saj dhe në mënyrën se si shprehemi, përmes letërsisë dhe produkteve të tjera kulturore që konsumojmë.

"Dhe meqenëse ne tani konsumojmë drejtpërdrejt tekste në gjuhën angleze, të folur në anglisht e kështu me radhë, shohim se si njerëz që nuk janë përkthyes sjellin shprehjet angleze dhe i përkthejnë fjalë për fjalë në bullgarisht. Dhe bullgarishtja fillon të tingëllojë e copëzuar, e pasinkronizuar, e pakuptueshme mes brezave. Sipas meje, edhe përkthimi i dobët kontribuon në nivelin e ulët të kulturës gjuhësore dhe në fund çon në varfërimin e vetë gjuhës, gjë që nga ana e saj sjell komunikim jo të plotë dhe madje mendim të kufizuar, sepse në fund të fundit ne mendojmë me fjalë dhe fjali. Dhe sa më e varfër dhe më e papërshtatshme të jetë gjuha për të komunikuar në të, aq më të kufizuar do të jemi në shprehje dhe në të menduar."


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski