LAJME

Artikull

Për shkak të rënies së popullsisë në Bullgari:

Do të zvogëlohet numri i rajoneve të planifikimit për fondet evropiane

Mërkurë, 8 Korrik 2026, 10:45

Do të zvogëlohet numri i rajoneve të planifikimit për fondet evropiane

FOTO: mrrb.bg

Madhësia e shkronjave

Rajonet e planifikimit, me të cilat Bullgaria do të aplikojë për fonde evropiane në kuadrin e ri financiar për periudhën 2028–2034, do të ndryshojnë rrënjësisht nga ato aktuale. Kjo u bë e qartë nga projekti për ndryshimin e Ligjit për Zhvillimin Rajonal, i publikuar për diskutim publik. Nga 6 rajonet e deritanishme propozohet formimi i 4 rajoneve.

Pothuajse e gjithë Bullgaria Veriore – nga Vidin deri në Silistra – do të përbëjë një rajon të vetëm, të quajtur Rajoni Verior. Bullgaria Jugore, nga Kjustendill në perëndim deri në Stara Zagora dhe Haskovo në lindje, do të formojë Rajonin e ri Jugor, ndërsa qarqet Dobriç, Shumen, Varna, Burgas, Sliven dhe Jamboll do të formojnë Rajonin Lindor. Sofia bëhet një rajon i veçantë, rajoni i katërt i planifikimit, i quajtur Rajoni i Kryeqytetit. Ndarja territoriale sipas qarqeve mbetet e pandryshuar. Por kuadri për planifikimin e fondeve nga fondet evropiane ndryshon.

Ndryshimi hyn në fuqi më 1 janar 2027, në mënyrë që gjatë gjithë vitit pasues të përgatiten propozimet për financim evropian, të cilat do të jenë funksionale duke filluar nga viti 2028.

Aktualisht, Sofja bën pjesë në Rajonin Jugperëndimor së bashku me Bllagoevgrad, Kjustendillin dhe Pernik. Meqenëse kryeqyteti është ekonomikisht më i zhvilluar se këto rajone, gjatë llogaritjes së treguesve për qëllimet e fondeve të kohezionit, i gjithë rajoni ishte në disavantazh.

Ideja për ndarjen e Sofjes si një rajon i pavarur ekziston prej të paktën dhjetë vjetësh. Ndryshimi tani bëhet i mundur për shkak të rregullores së re evropiane për ndarjen territoriale, e miratuar vitin e kaluar, sipas së cilës Rajoni i Kryeqytetit renditet ndër 20 rajonet më të zhvilluara në të gjithë Bashkimin Evropian, njofton portali 24chasa.bg.


Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski