LAJME

Artikull

Ka vështirësi në financimin e një fabrike të përbashkët me “Rheinmetall”

Enjte, 9 Korrik 2026, 09:45

Ka vështirësi në financimin e një fabrike të përbashkët me “Rheinmetall”

FOTO: forbesbulgaria.com

Madhësia e shkronjave

40 milionë euro janë paguar tashmë për fabrikën e barutit me “Rheinmetall”, por Bullgaria nuk ka fonde për të gjithë projektin. Nuk ka as kontratë të nënshkruar për ndërtimin e fabrikës së përbashkët ushtarake midis Uzinave Ushtarake në Sopot dhe koncernit gjerman. Këtë e deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Aleksandër Pulev, gjatë një dëgjese në Komisionin për Ekonomi në Parlament, njofton BTA.

Fabrika për prodhimin e barutit, predhave të artilerisë 155 mm sipas standardeve të NATO-s dhe sistemeve modulare të mbushjes u dakordësua në vitin 2025 dhe pritet të hapë 1000 vende pune. Investimi nga ana e Bullgarisë duhet të jetë 420 milionë euro, të cilat pritet të vijnë nga mekanizmi evropian SAFE.

Por vetëm 10–15% e burimeve të këtij mekanizmi mund të përdoren për kapacitete prodhuese, pohon Pulev. “Do të jetë shumë e vështirë të financohet ky projekt. Duhet të kërkohet një strukturë e re e financueshme bankarisht dhe të sigurohen fonde nga Evropa. Ne duam ta realizojmë, por do të hasim vështirësi në financimin e tij. Duhet të rishikohet i gjithë plani i biznesit dhe llogaritjet financiare”, paralajmëroi Pulev. Sipas tij, duhet të rinegociohen edhe një sërë klauzolash për mbrojtjen e interesit kombëtar, në mënyrë që në projekt të marrin pjesë edhe nënkontraktorë bullgarë.

Gjermania është partneri kryesor i jashtëm ekonomik dhe tregtar i Bullgarisë dhe ne dëshirojmë të bashkëpunojmë me efikasitet me të, por ky është një proces i ndërlikuar. Ka probleme teknike me terrenin dhe nevojitet një rishikim i plotë i parametrave kryesorë të projektit, i cili pritet të kryhet, tha zëvendëskryeministri.

Më 25 gusht 2025, presidenti i atëhershëm dhe tani kryeministri i Bullgarisë, Rumen Radev, deklaroi: “Në fillim të vitit arrita të bind një investitor strategjik si ‘Rheinmetall’ jo vetëm të vizitojë Bullgarinë, por edhe të investojë teknologji të nivelit më të lartë në industrinë tonë të mbrojtjes. Sot ata ndodhen në Gjermani për këtë investim, të cilin unë ia kam siguruar si dhuratë qeverisë.”

Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski