Autor
Desisllava Semkovska
Artikull
Përshtypje pa kufij
Letrat që mbërritën në Radio Bullgarinë gjatë qershorit 2026
Shtunë 11 Korrik 2026 09:00
Shtunë, 11 Korrik 2026, 09:00
FOTO: Desisllava Semkovska
Madhësia e shkronjave
Nga Gjermania deri në Pakistan, nga Argjentina deri në Indi – Radio Bullgaria vazhdon të takojë njerëz, të bashkuar nga interesi i tyre për vendin tonë. Në letrat e tyre ata ndajnë kujtime, urime dhe mirënjohje për mundësinë që të jenë më pranë Bullgarisë përmes publikimeve dhe emisioneve tona online. Fitorja e Darës në Eurovision Song Contest, sukseset e sportistëve bullgarë, atraksionet tona turistike dhe 90-vjetori i Radios Kombëtare Bullgare janë ndër temat që emocionuan dëgjuesit dhe lexuesit e Radio Bullgarisë dhe gjetën vend në letrat që mbërritën tek ne gjatë muajit qershor. Hidhni një sy rreshtave të tyre:
"Të dashur miq të Radio Bullgarisë! Së pari dëshiroj t’i uroj përzemërsisht të gjithë punonjësit e stacionit tuaj me rastin e 90-vjetorit. Përveç kësaj, e përgëzoj Bullgarinë për fitoren në "Eurovision" – kështu e fillon letrën e tij Oliver Fülla nga Gjermania. – Si adhurues i "Eurovision"-it, më pëlqeu që në emisionin që dëgjova, përveç vizitës së kryeministrit bullgar në Gjermani, i kushtuat shumë kohë edhe fitores së Bullgarisë në këtë konkurs. Nga reportazhi u kuptua rëndësia e këtij suksesi për Bullgarinë edhe përtej skenës muzikore. Gëzohem që konkursi do të zhvillohet për herë të parë në vendin tuaj vitin e ardhshëm dhe në këtë mënyrë Bullgaria merr një mundësi të madhe për t’u prezantuar para botës. Radio Bullgaria gjithashtu jep një kontribut të madh që publiku ndërkombëtar ta njohë Bullgarinë në të gjitha aspektet e saj. Jam shumë i lumtur që programet tuaja informative dhe argëtuese në gjuhën gjermane ende mund të dëgjohen në internet dhe ju uroj, si juve ashtu edhe vetes sime, që kjo të vazhdojë edhe në të ardhmen. Faleminderit për kartolinën e bukur QSL që më dërguat si konfirmim të raportit tim të fundit. Ju falënderoj përzemërsisht që Radio Bullgaria ende dërgon kartolina QSL!"
"Urimet e mia të sinqerta për suksesin në "Eurovision" me Darën dhe këngën e saj "Bangaranga". U gëzova shumë. Në vitin 2027 Bullgaria do të jetë mikpritëse." – Andreas Fessler, Gjermani.
"Jam shumë i lumtur që Bullgaria fitoi "Eurovision"-in dhe që ngjarja vitin e ardhshëm do të zhvillohet në Sofje. Mendoj se është një këngë e bukur, e përshtatshme për rininë e sotme. Besoj se Bullgaria kurrë më parë nuk kishte arritur kaq larg në "Eurovision"", – ndan emocionin për fitoren e vendit tonë edhe Dieter Feltes nga Gjermania.
"Përshëndetje të përzemërta për ekipin e nderuar të Radio Bullgarisë. Shpresoj që të gjithë të jeni mirë dhe me shëndet të mirë. Lajmet dhe reportazhet tuaja për ngjarjet aktuale janë shumë të dobishme, sepse bazohen në fakte dhe paraqiten me kompetencë të lartë gazetareske. E vlerësoj mënyrën se si ndani informacione të qarta dhe të ndershme për zhvillimin, kulturën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të Bullgarisë", – lexojmë në letrën e dëgjuesit tonë shumëvjeçar nga Pakistani, Muhammad Bashir, i cili gjithmonë ndjek me shumë interes emisionet tona. – Lexova artikullin për ekipin bullgar të të rinjve në gjimnastikën ritmike, i cili fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror për personat me sindromën Down në Sofje. U gëzova shumë kur mora vesh për këtë arritje. Fitimi i një medaljeje në një kampionat botëror është arsye krenarie për çdo vend, ndërsa në këtë rast është edhe më i veçantë, sepse nxjerr në pah talentin, punën e palodhur dhe vendosmërinë e sportistëve të rinj me sindromën Down. Ju falënderoj që ndatë një lajm kaq frymëzues dhe domethënës. Lexova gjithashtu një reportazh në faqen tuaj zyrtare për përpjekjet e Bullgarisë për të tërhequr më shumë turistë nga Rumania, Gjermania dhe Polonia. Artikulli ishte shumë informues dhe i lehtë për t’u kuptuar. Ishte interesante të mësoja se Rumania mbetet ende një nga tregjet më të forta turistike të Bullgarisë me shumë vizitorë. E konsideroj pozitiv edhe faktin që Gjermania po tregon rimëkëmbje me shumë fluturime të planifikuara drejt Varnës dhe Burgasit, gjë që do të sjellë më shumë turistë. Rritja e rezervimeve nga Polonia është gjithashtu një shenjë e zhvillimit pozitiv për të ardhmen e turizmit në Bullgari. Mendoj se një bashkëpunim i tillë ndërmjet vendeve është shumë i rëndësishëm për rritjen ekonomike dhe shkëmbimin kulturor. Ai gjithashtu ndihmon që njerëzit e kombeve të ndryshme ta kuptojnë më mirë njëri-tjetrin përmes udhëtimeve dhe përvojave turistike."
FOTO: Desisllava Semkovska
Mirënjohje nga audienca jonë tradicionalisht aktive e Redaksisë Shqipe për protestën në Sofje para Ambasadës së Shqipërisë në mbështetje të protestave në Shqipëri kundër ndërtimit në zonat e mbrojtura përgjatë bregdetit jugor shqiptar:
Pali Ndoja: "Faleminderit që na mbështesni. E duam popullin bullgar!"
"Bravo!" nga Mimoza Gordani Seferi dhe Nadire Hoxha.
Dhe urime për 2 qershorin, Ditën e Hristo Botev dhe të të rënëve për lirinë e Bullgarisë:
"Hristo Botev është heroi, poeti bullgar, i përkthyer në gjuhën shqipe në përmbledhjen 'Antologji e poezisë bullgare', të cilën kam kënaqësinë ta kem në bibliotekën time. Bashkë me të madhin Ivan Vazov", – Shuaip Memishaj, Shqipëri.
Duke komentuar publikimin në Facebook në gjuhën shqipe për pastërtinë e ujit të detit në bregdetin e Detit të Zi, Fadil Ribari nga Kosova shkruan: "Është e vërtetë! Që nga viti 1989, çdo vit deri në vitin 2007 i kam kaluar pushimet në bregdetin e bukur dhe të pastër bullgar të Detit të Zi". Faleminderit Fadilit, i cili, kudo që udhëton, nuk e harron Redaksinë tonë Shqipe: "Do të doja t’ju përshëndes dhe t’ju uroj një ditë të bukur, një javë të re të suksesshme dhe ta dini se jeni gjithmonë në mendjen time, sepse jam rritur me Radio Bullgarinë."
Fadil Ribari me gruan e tij
FOTO: Fadil Ribari
"Vite më parë kam vizituar Bullgarinë, si edhe qytetet Sofje dhe Burgas në Detin e Zi. Kam udhëtuar gjithashtu me makinë nga Sofja deri në Mal të Zi në Detin Adriatik. Bullgaria është shumë e bukur dhe zakonet e saj janë interesante. Ju përgëzoj me rastin e 90-vjetorit të Radio Bullgarisë. Jam dëgjuesi juaj që nga koha kur transmetonit në valë të shkurtra dhe quheshit 'Radio Sofja'", – na shkruan Jawahar Almeida nga India.
"E nderuar Redaksi Gjermane e Radio Bullgarisë, sot dëgjova emisionin në gjuhën gjermane ndërsa isha me pushime në Irlandën e Veriut. Dëgjimi i programit nga Sofja këtu, në pjesën veriore të Evropës, me pamje nga deti dhe bregdeti i Causeway-t, ishte veçanërisht relaksues", – Horst Cersovsky nga Gjermania.
Përshtypjet nga dëgjimi i programit të Radio Bullgarisë
FOTO: Horst Cersovsky
Dhe ja edhe letra e Olaf Münzer nga Gjermania:
"Përshëndetje, Radio Bullgaria!
Ju përshëndes nga Sozopoli i bukur, ku ndodhem aktualisht me pushime. Rastësisht hasa në faqen tuaj. Në fakt po kërkoja parashikimin lokal të motit. Si një entuziast shumëvjeçar i DX-it, u habita që programi në gjuhën gjermane i 'Radio Sofjes' ende ekziston. Kjo më kujtoi 'kohët e mira të vjetra', kur rrinim në plazh me radion portative dhe dëgjonim në valë të shkurtra lajme nga atdheu dhe nga e gjithë bota. Sot gjithçka merret pa asnjë problem përmes internetit – por atëherë gjithsesi më dukej më emocionuese...
Lexova gjithashtu artikullin 'Bullgaria dëshiron të ndalojë rënien e numrit të turistëve gjermanë' në faqen tuaj dhe pajtohem me shumë nga ato që shkruheshin në të. Duhet bërë shumë më tepër për aksesueshmërinë e vendit, si edhe për perceptimin e Bullgarisë. Sigurisht që duhet të përmirësohet edhe perceptimi i përgjithshëm për Bullgarinë. Sidomos të rinjtë nuk e konsiderojnë fare Bullgarinë si destinacion pushimesh.
Sigurisht, emigrantët socialë të ardhur nga Rumania dhe Bullgaria nuk kanë kontribuar domosdoshmërisht në krijimin e një imazhi pozitiv për rajonin, veçanërisht këtu në zonën e Ruhrit. Bukuritë kulturore dhe natyrore të një vendi, për fat të keq, janë krejtësisht të parëndësishme në diskutime të tilla. Kjo ndoshta do të ndryshonte nëse Bullgaria do të paraqitej në media si një alternativë e lirë ndaj destinacioneve të mbipopulluara turistike, me plazhe të bukura me rërë të imët dhe oferta të larmishme për të gjitha grupmoshat. Për shembull, si skenë e një filmi për muajin e mjaltit. Ceremonia e dasmës në 'Kështjellën Ravadinovo', e ndjekur nga muaji i mjaltit në pjesën e vjetër të Sozopolit, me një udhëtim nëpër vend dhe takime me njerëzit mes fushave të livandës dhe trëndafilave, 'Teksasit bullgar', manastireve dhe një shëtitjeje me varkë në lumë."
Por qofshin nga plazhet e bukura bullgare apo nga skajet më të largëta të botës – përshtypjet e mrekullueshme që na dërgoni për emisionet tona na gëzojnë veçanërisht shumë!
FOTO: Desisllava Semkovska
"Të dashur miq!
Gjithmonë i dëgjoj me shumë kënaqësi emisionet tuaja për vendin tuaj të mrekullueshëm – Bullgarinë. Ju falënderoj shumë për punën tuaj, e cila kontribuon në miqësinë bullgaro-ruse dhe në promovimin e Bullgarisë së bukur në Rusi", – na shkroi Viktor Guzhov.
"Sa i përket dëgjimit të stacionit tuaj, vazhdoj të ndjek transmetimet tuaja sa herë që është e mundur. Si gjithmonë, për mua është kënaqësi të mund të dëgjoj lajmet, kulturën dhe aspektet e ndryshme të jetës në vendin tuaj. Përshëndetje të përzemërta nga Valjadolidi dhe deri herën tjetër!", – Juan Carlos Pérez Montero, Spanjë.
"Është një kënaqësi e vërtetë të dëgjosh emisionet nga Bullgaria. Falënderimet e mia i shkojnë Redaksisë Gjermane për lajmet tuaja informuese dhe materialet emocionuese", – Lars Gellermann.
"Përshëndetje të përzemërta nga Argjentina! E shijoj shumë programin tuaj, i cili na njeh me ngjarjet e përditshme në Bullgari, si edhe me kulturën dhe muzikën e saj. Gëzohem gjithashtu që tani në faqen e internetit të radios ka një rubrikë ku çdo muaj publikohet konfirmimi i korrespondencës së marrë, dhe atë në gjuhën spanjolle!!!", – David Iurescia, Argjentinë.
"Faleminderit për emisionet interesante. Ju uroj suksese në punë. Valë të pastra dhe 73!", – Aleksandar Golubev, Rusi.
FOTO: Andre Bolin
"I nderuar ekipi i Radio Bullgarisë, edhe një herë ju dërgoj përshëndetje të përzemërta të fillimit të verës dhe ju falënderoj për programet tuaja audio. Me urimet më të mira", – Thomas Voelkner, Gjermani.
"Ju falënderoj shumë për kartolinat QSL që më dërguat nga stacioni juaj. Fotografitë historike për 90-vjetorin nga kjo seri janë vërtet diçka e veçantë. Me urimet më të mira", – Martina Pohl, Gjermani.
FOTO: Jawahar Almeida
Dhe do ta përfundojmë me letrën e Peter Vaegler nga Gjermania:
"Të dashur miq në Sofje, që kur emisionet tuaja transmetohen vetëm në internet, rrallë i dëgjoj programet tuaja, megjithëse e dëgjoj Radio Bullgarinë prej më shumë se 50 vjetësh (atëherë 'Radio Sofja'). Më pëlqenin shumë seritë e kartolinave QSL, sepse ato gjithmonë kishin një tematikë tipike bullgare. Dëgjova emisionin tuaj, në të cilin u trajtua edhe çështja e Centralit Bërthamor 'Belene'. Ky central është në ndërtim që nga viti 1987, kështu që me siguri ndërkohë janë të nevojshme shumë përmirësime teknike. 'Mjeshtër Manoli' si këngë legjendare është shumë interesante, sepse, për shembull, në Rumani ekziston një legjendë e ngjashme, por atje bëhet fjalë për ndërtimin e një manastiri. Prandaj, ndoshta çdo vend ka interpretimin e vet. Meqenëse emisionet tuaja mund të dëgjohen në çdo kohë, do të filloj t’i ndjek përsëri më shpesh."
Të dashur miq, çdo letër që marrim është dëshmi se Radio Bullgaria vazhdon të arrijë te audienca e saj ndërkombëtare dhe të krijojë lidhje përtej kufijve. Ju falënderojmë për besimin, mbështetjen dhe interesin ndaj Bullgarisë – presim me padurim historitë dhe përshtypjet tuaja të ardhshme.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski