Shtunë 11 Korrik 2026 08:00
Shtunë, 11 Korrik 2026, 08:00
Recep Tayyip Erdoğan
FOTO: AP/BTA
Madhësia e shkronjave
SHBA-ja dhe Turqia diskutojnë mundësinë që Ankaraja të blejë avionë F-35
Qëndrimet me të cilat kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis shprehën mospajtimin e tyre me mundësinë që Turqia të rikthehet në programin e avionëve F-35, nuk kanë vend në jetën time. Ky ishte komenti i presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në një konferencë për shtyp pas takimit të NATO-s në Ankara.
"Është e qartë se në çfarë ujërash lundron Netanyahu. Mitsotakis nuk duhej ta bënte këtë gabim, sepse kur ai bleu pajisje ushtarake për Greqinë, ne nuk e pyetëm pse e bënte, ai është fqinji ynë", shtoi Erdoğan. Presidenti nuk u përgjigj se çfarë konkretisht i kishte thënë Donald Trump për F-35 dhe çfarë synon të bëjë me sistemet ruse të mbrojtjes ajrore S-400, të cilat çuan në vendosjen e sanksioneve ndaj Ankarasë, njofton BTA.
"Vazhdoni të më ndiqni", u përgjigj Erdoğan ndaj pyetjes.
FOTO: AP/BTA
Integrimi evropian i Serbisë është në ngërç
Në një rezolutë, Parlamenti Evropian dënoi politikën e Serbisë për minimin e sovranitetit të shteteve fqinje në Ballkanin Perëndimor. Vendi ndodhet në ngërç në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian për shkak të prapakthimit në fushën e sundimit të ligjit, demokracisë dhe harmonizimit me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë, thuhet në dokument.
Beogradit i bëhet thirrje të demonstrojë qartë dhe në mënyrë të qëndrueshme orientimin e tij gjeopolitik drejt Bashkimit Evropian. Eurodeputetët shprehin shqetësim të veçantë për shkak të investimeve ruse dhe kineze në Serbi dhe ndikimit të tyre në rritje mbi proceset politike dhe ekonomike në rajon, shkruan BGNES.
Këshilli i ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së më 8 korrik në Bruksel bllokoi hapjen e Klasterit 3 në negociatat për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, njoftoi Euronews.
FOTO: romania-insider.com
Raporti i Bankës Kombëtare të Rumanisë ngre alarmin për ekonominë e vendit
Rumania vazhdon të mbajë nivelin më të lartë të deficitit në Bashkimin Evropian. Deficiti buxhetor për vitin 2025 arriti në 7,9% të PBB-së, ndërsa parashikimet e Komisionit Evropian për vitin 2026 parashikojnë uljen e tij në 6,2%, thuhet në raportin e Bankës Kombëtare të Rumanisë.
Për shkak të masave fiskale dhe uljes së fuqisë blerëse të popullsisë, rritja ekonomike është ngadalësuar në vetëm 0,7% gjatë vitit 2025, krahasuar me 0,9% në vitin 2024.
Po vonohet përthithja e fondeve evropiane dhe zbatimi i Planit Kombëtar të Rimëkëmbjes dhe Qëndrueshmërisë. Vendi ka marrë 10,72 miliardë euro, ndërsa po aq mbeten ende për t'u përthithur, njofton Digi24.
Si probleme strukturore afatgjata për ekonominë, raporti përmend plakjen e popullsisë, mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe ndryshimet klimatike.
FOTO: greekcitytimes.com
Një aplikacion mobil do të ndihmojë parkimin në Athinë
Një aplikacion mobil falas do të ndihmojë në gjetjen e vendeve të lira të parkimit në kryeqytetin grek, Athinë, njoftoi BNT.
Aplikacioni do të funksionojë në zonat ku nuk zbatohet sistemi i parkimit të kontrolluar. Drejtuesit e automjeteve që lirojnë vende parkimi do të mund të japin informacion për këtë në kohë reale, i cili do t'u transmetohet drejtuesve të tjerë në të njëjtën zonë që kërkojnë vend për parkim.
Kjo do të zvogëlojë kohën e kërkimit, do të kufizojë lëvizjen e panevojshme nëpër rrugë dhe do ta lehtësojë lëvizjen e përditshme, thuhet në informacion. Nënkryetari i Bashkisë së Athinës për qeverisjen digjitale, Panajotis Harlavtis, deklaroi se zhvillimi i qyteteve inteligjente nuk varet vetëm nga teknologjia, por edhe nga pjesëmarrja e qytetarëve. Sipas tij, aplikacioni e shndërron një informacion të zakonshëm të përditshëm në një mjet të dobishëm.
FOTO: REUTERS
Shqipëria sponsorizon koncertin e Kanye West më 11 korrik në Tiranë
Kryeministri shqiptar Edi Rama mbrojti vendimin e qeverisë për mbështetje financiare të koncertit të reperit amerikan Kanye West me një postim në Facebook, njofton Deutsche Welle.
"Ne ndamë 4 milionë euro në momentin e fundit për të shmangur turpërimin e Shqipërisë përpara afro 25 000 mysafirëve të huaj nga 80 shtete, të cilët tashmë kishin blerë bileta për koncertin e Kanye West, ndërkohë që shumë të tjerë kishin frikë se ngjarja mund të anulohej", shkroi Rama në Facebook.
Shqipëria lejoi koncertin e reperit, i njohur së fundmi me emrin Ye, pasi disa shtete të tjera refuzuan ta pranonin për shkak të deklaratave të tij ekstremisht antisemitike.
Përpiloi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski