Autor
Joan Kolev
Artikull
Pallati "Vrana" po rikthen gradualisht shkëlqimin e dikurshëm të interierit
Dielë 12 Korrik 2026 08:49
Dielë, 12 Korrik 2026, 08:49
FOTO: Ivan Shishiev
Madhësia e shkronjave
Pallati "Vrana", pranë Sofjes, ndërtimi i të cilit përfundoi në vitin 1912, ngrihet në një park prej afro 100 hektarësh, ku janë mbjellë qindra lloje bimësh, disa prej të cilave janë të mbrojtura. "Vrana" ishte një nga rezidencat më të dashura të monarkëve të Mbretërisë së Tretë Bullgare (1878–1945) – Ferdinandi I, Borisi III, Simeoni II dhe pasardhësit e tij.
FOTO: dvoretz-vrana.bg
Emri i pallatit "Vrana" lidhet me pasionin e mbretit Ferdinand për ornitologjinë. Thuhet se ai e zgjodhi këtë emër sipas zogut të parë që u ul mbi çatinë e ndërtesës. Historia e kësaj prone ka qenë ndër vite objekt i studimeve dhe i disa filmave dokumentarë. Që nga viti 2010, pas krijimit të Fondacionit "Mbreti Boris dhe Mbretëresha Joana", në pallat po zhvillohen punime intensive restaurimi. Ky fondacion u krijua për të studiuar dhe ruajtur trashëgiminë historike, artefaktet dhe kujtesën e periudhës së Mbretërisë së Tretë Bullgare.
Paralelisht me këtë, po pasurohet vazhdimisht edhe koleksioni muzeor me sende personale, dokumente dhe libra të ruajtura në shtëpitë e mbretit Simeon në Madrid (Spanjë), të mbretëreshës Joana në Estoril (Portugali) dhe të princeshës Maria Luiza në Nju Jork (SHBA). Koleksioni është i vendosur në ndërtesën e projektuar nga arkitekti Nikolla Llazarov, e njohur si Pallati i Ri. Ndërtesa e parë në parkun “Vrana” – Pallati i Vjetër – u realizua sipas projektit të arkitektit Georgi Fingov, i konsideruar si një nga mjeshtrit e secesionit në arkitekturën bullgare. Sot ajo shërben si rezidencë e mbretit Simeon II dhe bashkëshortes së tij Margarita.Këtë e tha në një intervistë për Radio Bullgarinë doc. dr. Ivajllo Shallafov, drejtor i Fondacionit “Mbreti Boris dhe Mbretëresha Joana”. Ai dhe ekipi i tij kujdesen për ruajtjen e trashëgimisë monarkike të ekspozuar në të ashtuquajturin “Muzeu Mbretëror”.
Doc. dr. Ivajllo Shallafov
FOTO: dvoretz-vrana.bg
Pallati “Vrana” hapi dyert për turistët. Tashmë, kati i parë i pallatit mund të vizitohet nga grupe, me rezervim paraprak.Edhe kapela, e restauruar pesë vjet më parë, është bërë e aksesueshme për qytetarët.
Restaurimi i kapelës ortodokse “Shën Mbreti Boris dhe Shën Joan Rilski Mrekullibërësi”, 2021
FOTO: Facebook /Ivajllo Shallafov
“Kapela jonë është funksionale. Ajo ka priftin e saj, ku zhvillohen edhe ceremoni pagëzimi. Dëshira e familjes mbretërore është që kjo zemër shpirtërore e Pallatit “Vrana” të jetë vërtet e hapur për besimtarët dhe qytetarët”, thotë Ivajllo Shallafov. Ai vlerësoi gjithashtu kontributin e Patrikut bullgar Neofit, Mitropolitit të Plovdivit, Nikollaj, dhe Sinodit të Shenjtë, të cilët, me atë që ai e cilësoi si “kujdes atëëror”, bënë të mundur rikthimin e relikteve kishtare në rezidencën e familjes mbretërore.
FOTO: Facebook /Parku-muze "Vrana"
Shëtitja nëpër aletë plot freskitë parkut "Vrana" mund të pasurohet me një vizitë në rezidencën mbretërore, e cila iu dhurua Bashkisë së Sofjes nga Simeon Sakskoburgotski në vitin 2001, me kushtin që ajo të mirëmbahej dhe qytetarët të kishin qasje të lirë në të.
Simeon Sakskoburggotski: Bullgarët e rinj dhe studiozë janë pasuria e vendit në ditët e sotme
Kopshti alpin për fëmijë me liqenin e vogël në parkun e Pallatit "Vrana"
FOTO: Facebook /Ivajllo Shallafov
Pallati dhe parku përreth tij kanë qenë një vend i dashur për familjet e monarkëve bullgarë, të cilët shfrytëzonin çdo mundësi për të kaluar kohë aty.
“Mbreti Ferdinand e krijoi këtë vend për të mishëruar në të pasionin e tij për botanikën, ornitologjinë dhe natyrën. Ishte krejt e natyrshme që ai të ishte shumë i lidhur me të. Fatkeqësisht, fati deshi që ai të jetonte këtu vetëm katër vjet. Më 3 tetor 1918 abdikoi, pas përfundimit të pafavorshëm të Luftës së Parë Botërore për Bullgarinë, dhe u nis në mërgimin e tij të përjetshëm. Në fron u ngjit i biri, Mbreti Boris III, i cili jetoi në këtë rezidencë për 25 vjet”, shpjegon bashkëbiseduesi ynë.
FOTO: Facebook /Ivajllo Shallafov
Ai kujton gjithashtu se, megjithëse Ferdinandi kishte shprehur si amanet dëshirën për t'u varrosur në Bullgari, kjo u realizua zyrtarisht pas më shumë se një shekulli, në vitin 2024. Sipas tij, në vitin 1948 një gjë e tillë ishte e pamundur, pasi monarkia u zëvendësua me republikën dhe pushteti i ri nisi fshirjen e çdo kujtese dhe simboli të sistemit të mëparshëm të qeverisjes.
Portret i Mbretit Ferdinand, i zbuluar rastësisht në një depo të Sinodit të Shenjtë dhe i dhuruar Pallatit "Vrana"
FOTO: Joan Kolev
Në vitin 1954, me urdhër të njeriut më të fuqishëm të shtetit në atë kohë, Vëllko Çervenkov, u krye një akt i rëndë: varri i Mbretit Boris III dhe kapela e ndërtuar mbi të, në parkun e Pallatit “Vrana”, u hodhën në erë. Lidhur me këtë, Ivajllo Shallafov rrëfen një histori që ia kishte treguar Todor Kollarov, administratori i rezidencës dhe parkut gjatë periudhës socialiste.
Mbreti Boris III
FOTO: Joan Kolev
“Në vitin 1968, në Bullgari mbërriti një delegacion i Parlamentit britanik dhe Kollarovit iu besua detyra t’i shoqëronte anëtarët e tij në një vizitë në parkun “Vrana”. Në një moment, një nga anëtarët e delegacionit e pyeti se ku ndodhej varri i Mbretit Boris. Me gjysmë zëri, ai iu përgjigj se varri ishte shkatërruar. Vizita vazhdoi deri te të ashtuquajturat varrezat e qenve, ku familja mbretërore varroste kafshët e saj shtëpiake. Meqenëse ato ishin ruajtur, parlamentari britanik iu drejtua Kollarovit me fjalët: “Popull i çuditshëm qenkeni ju – ruani varret e qenve tuaj, por nuk e dini ku është varri i mbretit tuaj. Edhe sot, sa herë e kujton këtë histori, sytë e Kollarovit mbushen me lot, sepse në fund të fundit kjo nuk është çështje bindjesh politike, por e dinjitetit dhe kujtesës kombëtare, si edhe e së drejtës themelore njerëzore që secili të prehet në tokën ku ka jetuar, së cilës i ka kushtuar jetën dhe që e ka dashur”, thotë Ivajllo Shallafov.
Varri i Mbretit Boris III
FOTO: Facebook /Ivajllo Shallafov
Duke u kthyer pas në historinë e pallatit, ai bën një krahasim midis shtëpive të familjes mbretërore bullgare dhe atyre të dinastive në shtetet fqinje ballkanike:
“Tek ne ekziston tradita që çdo gjë që lidhet me familjet e monarkëve të quhet mbretërore. Kur dëgjoj shprehjen “pallatet mbretërore Sitnjakovo dhe Sarëgjoll”, nuk mund të mos buzëqesh, sepse në të vërtetë ato janë vila gjuetie prej druri, të përdorura gjatë gjuetisë ose shëtitjeve. Kur njerëzit dëgjojnë fjalën “pallat”, ata përfytyrojnë një “Versajë” të vogël, gjë që thjesht nuk është e vërtetë. Më falni, por krahasoni pallatet e familjes mbretërore bullgare me ato të sundimtarëve të tjerë ballkanikë në Rumani dhe Serbi. Ato janë komplekse të jashtëzakonshme pallatesh, ku duhet t’u njihet merita udhëheqësve komunistë të këtyre vendeve që nuk i kanë dëmtuar apo vjedhur pasuritë që ndodheshin aty. Ne nuk mund të mburremi me një gjë të tillë.”
Në rolin e saj si rezidencë e pushtetit, “Vrana” ka qenë shtëpia e kryeministrave të vendit në vitet e para të socializmit – Georgi Dimitrovit dhe Vasill Kollarovit. Pasardhësit e tyre në këtë post, Vëllko Çervenkovi dhe Todor Zhivkovi, gjithashtu kanë përdorur ambiente të pallatit për veprimtari të ndryshme. Ndërtesa ka strehuar brenda mureve të saj udhëheqës shtetërorë të huaj, si nga vendet fqinje ballkanike, ashtu edhe liderin kuban Fidel Kastro, i cili gjatë të dyja vizitave të tij në vendin tonë kishte këmbëngulur shprehimisht që të akomodohej në pallat.
Servis porcelani me monogramin e Mbretit Ferdinand
FOTO: Joan Kolev
Shumë informacione të tjera interesante lidhur me fatin e pallatit ndër vite, të shoqëruara me fotografi dhe dokumente arkivore, Ivajllo Shallafov i ka përmbledhur në librin “Vrana në kurorë”.
FOTO: Facebook /Ivajllo Shallafov
"Në libër përmblodha gjithçka që lidhet me historinë e pallatit "Vrana". Ai përmban dokumente unike dhe fotografi të familjes mbretërore, të cilat nuk janë publikuar kurrë më parë. Për fotografitë bardhezi përdorëm një qasje novatore dhe arritëm të ngjyrosnim në mënyrë digjitale një pjesë të tyre.Kur hapa albumet e vjetra, pashë fotografi jashtëzakonisht të bukura të shëtitoreve dhe të sistemimit të parkut. Megjithatë, një lexues i ri ka shumë të ngjarë t'i hedhë një sy për një ose dy sekonda dhe të vazhdojë të shfletojë. Por kur e njëjta fotografi është me ngjyra, ajo përcjell një ndjesi krejt tjetër dhe ushtron një ndikim krejtësisht të ndryshëm te shikuesi. Mendoj, edhe pse kjo mund të tingëllojë jo fort modeste, se botimi doli dinjitoz. Ai është pjesë e një serie botimesh kushtuar periudhës së Mbretërisë së Tretë Bullgare, sundimtarëve të saj, si edhe jetës shoqërore dhe ushtarake të asaj kohe. Ne do të vazhdojmë ta zhvillojmë këtë seri dhe besoj se ajo ka rëndësi për Bullgarinë."
Salla karele e ngrënies në Pallatin "Vrana", e dhuruar në vitin 1912 nga Perandori Nikollaj II
FOTO: Fondi “Mbreti Boris dhe Mbretëresha Joana”
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova