SHOQËRI

Artikull

Projekti “Shtëpitë dhe Njerëzit”

Kryevepra arkitekturore nga fshatrat e Bullgarisë

Dielë, 12 Korrik 2026, 07:56

Projekti “Shtëpitë dhe Njerëzit”

FOTO: ruralheritage.bg

Madhësia e shkronjave

“Shtëpitë dhe Njerëzit. Histori arkitekturore nga fshatrat e Bullgarisë” – kështu e quajtën projektin e tyre të ri dy arkitektë të rinj, të diplomuar në universitete të ndryshme të Gjermanisë. Elena Stojçeva dhe Georgi Nikollov formojnë një ekip krijues që po punon mbi një projekt kushtuar shtëpive tradicionale të fshatrave bullgare, njerëzve që i ruajnë ato dhe rolit që ato luajnë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Bullgarisë. Ata ndajnë të njëjtën bindje: në fshatrat dhe qytetet e vogla të Bullgarisë ruhen qindra shtëpi që me të drejtë mund të quhen kryevepra arkitekturore. Këto ndërtesa dallohen për fasadat e tyre të bukura, shpesh të zbukuruara me piktura dekorative dhe ornamente që u japin një pamje dhe një hijeshi të veçantë. Sot, në kohën e ndërtimeve moderne, rrallëherë ndalemi për të vlerësuar këtë pasuri arkitekturore. Bëhet fjalë kryesisht për shtëpi të ndërtuara në vitet 20-të – 30-të të shekullit të kaluar, në stilin e klasicizmit dhe të secesionit (Art Nouveau). Por ka edhe ndërtime më të vjetra, si shtëpitë tradicionale prej druri, shtëpitë prej guri dhe forma të tjera të arkitekturës tradicionale bullgare, të cilat përbëjnë një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të vendit. Elena dhe Georgi dëshirojnë t'ua prezantojnë sa më shumë njerëzve historinë dhe frymën e këtyre shtëpive. Kështu lindi ideja e një ekspozite audiovizuale lëvizëse, e cila prezantohet edhe në platformën Rural Heritage.

Elena Stojçeva dhe Georgi Nikollov

FOTO: Gergana Mançeva


"Ndonjëherë kjo na mbush me trishtim, sepse shohim se po humbasim diçka që për ne ka një vlerë të jashtëzakonshme – trashëgiminë tonë të përbashkët", thotë arkitektja Elena Stojçeva.


FOTO: ruralheritage.bg

"Historitë i tregojnë vetë pronarët e shtëpive. Ne i quajmë ata “ruajtës të trashëgimisë'”, sepse është shumë e rëndësishme që këta njerëz investojnë një pjesë të vetes në ruajtjen e këtyre ndërtesave. Ata u kushtojnë këtyre shtëpive kohë, përpjekje dhe dashuri për bukurinë e detajeve arkitekturore, duke i mbrojtur nga dëmtimi dhe rrënimi që sjell koha. Prej disa vitesh po punojmë në projektin “Rural Heritage” (Trashëgimia e Fshatrave). Udhëtojmë nëpër fshatra, fotografojmë shtëpi që na duken të veçanta dhe shumë të bukura. Këto nuk janë domosdoshmërisht monumente kulture; ato përfaqësojnë një lloj arkitekture më të përhapur, e cila sot po zhduket dhe po degradohet me shpejtësi. Herë pas here shihnim ndonjë shtëpi më të mirëmbajtur dhe filluam të pyesnim veten se kush qëndron pas asaj fasade të bukur e të kujdesur. Kush janë këta njerëz dhe si kanë arritur ta ruajnë atë? Kështu, së bashku me kolegun tim Georgi Nikollov, nisëm projektin “Shtëpitë dhe Njerëzit”. Ne duam të zbulojmë anën njerëzore të kësaj historie, të shohim përtej fasadave dhe të kuptojmë historitë e njerëzve që jetojnë sot në këto shtëpi, çfarë dinë ata për brezat e mëparshëm dhe si lidhet jeta e tyre me këtë trashëgimi të çmuar. Këto shtëpi, të zbukuruara me ornamente dhe motive lulesh në fasada, zakonisht i përkasin stilit secesion (Art Nouveau). Ndërsa elementet më gjeometrike lidhen kryesisht me klasicizmin. Kemi edhe shembuj nga periudha më të vonshme, si modernizmi, i cili hoqi dorë nga dekorimet e tepërta, duke i konsideruar të panevojshme dhe duke i kushtuar më shumë rëndësi formave gjeometrike të vetë ndërtesës. Ndonjëherë merremi edhe me shtëpi më të vjetra. Këto janë shtëpitë tradicionale prej druri, të cilat konsiderohen pjesë e trashëgimisë që duhet ruajtur, të paktën në vetëdijen kulturore të Bullgarisë. Megjithatë, në shumë vende këto shtëpi janë në një gjendje të mjerueshme; madje edhe në rezervatet arkitekturore disa prej tyre janë shembur plotësisht dhe nuk ka mbetur asnjë gjurmë prej tyre. Kjo është një humbje e madhe për të gjithë ne."

FOTO: ruralheritage.bg

Në shtete të tjera zbatohen masa më të rrepta. Kur një ndërtesë nuk mirëmbahet nga pronari, ajo mund të merret madje nën administrimin e shtetit ose të autoriteteve vendore dhe të restaurohet për t'u rikthyer në jetë.

Por në Bullgari, shumë gjëra varen nga mundësitë dhe vullneti i pronarit. Shpesh ndodh që një pronë të ketë disa bashkëpronarë dhe askush të mos marrë përgjegjësinë për mirëmbajtjen e saj. Si pasojë, këto vlera të çmuara të trashëgimisë arkitekturore po zhduken, thonë autorët e projektit "Shtëpitë dhe Njerëzit". Ekziston edhe një problem tjetër: shpesh ndërtesa të tilla i nënshtrohen termoizolimit nga jashtë dhe, si pasojë, humbasin bukurinë dhe karakterin e tyre origjinal. "Aktualisht në Bullgari vëmendja është përqendruar kryesisht te brendësia e shtëpive dhe nuk e di se si mund ta ndryshojmë këtë tendencë", thotë arkitektja Elena Stojçeva. Ajo shton se bukuria e shtëpive të vjetra ndikon në botën shpirtërore të njeriut dhe në cilësinë e jetesës. Është krejt ndryshe të jetosh në një ndërtesë unike, që ruan frymën e një epoke dhe përcjell historitë e brezave e të familjeve që kanë jetuar në të.

FOTO: ruralheritage.bg

Duke udhëtuar nëpër vend, dy arkitektët hasin shpesh edhe shembuj të mirë, të cilët shtrojnë pyetjen se cili është motivimi i këtyre njerëzve për t’i mirëmbajtur në këtë mënyrë shtëpitë e vjetra. “Kështu lindi ideja për të treguar edhe shembullin e mirë. Për kënaqësinë tonë, pronarët e shtëpive të bukura na besuan, u hapën ndaj nesh dhe ndanë historitë e tyre personale, falë të cilave arritëm të mbledhim shtatë rrëfime”, thotë arkitekti Georgi Nikollov për projektin “Shtëpitë dhe Njerëzit”.

FOTO: ruralheritage.bg

“Kemi një shtëpi nga fshati Novo Sello, në Bullgarinë Veriperëndimore. Kjo shtëpi është 100 vjeçare. Aty gjyshi ka qenë një tregtar i madh, një njeri sipërmarrës që merrej me tregti vere. Në katin e poshtëm të shtëpisë ai kishte fuçi të mëdha me verë dhe madje e transportonte atë përtej Danubit; tregtonte me Vjenën, në Austri, përmes qytetit Ruse. Në fshatin Bëllgarski Izvor fotografuam një shtëpi jashtëzakonisht interesante.

FOTO: ruralheritage.bg

Gjatë rrugës për në Veliko Tërnovo, na ra në sy një shtëpi shumë e bukur, por e lënë pas dore.Më pas, kur kaluam sërish, pamë që ajo po shkëlqente e gjitha në të bardhë. U lidhëm me pronarët dhe ata na treguan historinë e tyre. Stërgjyshi i tyre ishte një nga vullnetarët opëllçenas që luftuan për mbrojtjen e majës Shipka gjatë Luftës Çlirimtare Ruso-Turke të viteve 1877–1878. Pas kthimit në fshatin Bëllgarski Izvor, ai u zgjodh kryetar i fshatit dhe, së bashku me bashkëmendimtarët e tij,

themeloi shtëpinë e kulturës. Kështu, fryma për të krijuar diçka të bukur në fshat është trashëguar ndër breza. Kjo shihet në fasadën e shtëpisë dhe në dëshirën që ajo të rikthejë shkëlqimin e dikurshëm, në nder të historisë së madhe të kësaj familjeje. Kjo shtëpi dallohet nga të tjerat për elemente shumë të veçanta dhe unike. Ndërtesa është 126 vjeçare, dhe dritaret origjinale janë ruajtur që nga ajo kohë. Përveçse ka shërbyer si banesë, një pjesë e saj ka funksionuar edhe si hotel-han me bujtinë dhe restorant. Këto hanet buzë rrugës kanë qenë vende komunikimi dhe takimi në fillim të shekullit të kaluar.

Projekti “Shtëpitë dhe Njerëzit” realizohet me mbështetjen financiare të programit “Trashëgimia Kulturore” të Fondit Kombëtar të Kulturës.


Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova