Autor
Joan Kolev
Artikull
Cenka Genova u nderua për kontributin e saj ndaj komunitetit tonë në Argjentinë
Dielë 19 Korrik 2026 06:10
Dielë, 19 Korrik 2026, 06:10
FOTO: Facebook /IABÇ
Madhësia e shkronjave
Bullgarët Jashtë Vendit. Bashkatdhetarja jonë dhe familja e saj janë pjesë e pandashme e komunitetit bullgar në Argjentinë, ndërsa arsyeja e këtij vlerësimi është kontributi i saj shumëvjeçar për ruajtjen dhe përhapjen e kulturës dhe traditave bullgare, si dhe për forcimin e imazhit pozitiv të Bullgarisë në mjedisin kulturor ndërkombëtar.
"Për mua ky çmim është një lumturi e madhe, por në të vërtetë nuk është vetëm për mua, sepse unë veproj, por nëse askush nuk më kushton vëmendje, ka shumë gjëra që njeriu nuk mund t’i bëjë i vetëm. Prandaj falënderoj të gjithë ata që janë me mua në këtë nismë, mbi të gjitha familjen dhe bashkëshortin tim, i cili, megjithëse nuk është bullgar, na ka ndihmuar gjithashtu shumë gjatë viteve."
Cenka Genova me Rajna Manxhukova (IABÇ)
FOTO: Joan Kolev
Kush është Cenka Genova dhe si e mban të gjallë lidhjen e saj me Bullgarinë?
Me origjinë nga Trojani, ajo mbërriti në Argjentinë së bashku me familjen e saj që në fëmijëri, në vitin 1956. Ajo gëzoi një karrierë të suksesshme si mjeke në spitalet shtetërore dhe tregon se, pavarësisht largësisë nga atdheu i saj, Bullgaria, gjuha bullgare nuk i ka munguar kurrë. Arsyeja është se familja e saj kishte traditën të mblidhej me bashkatdhetarë të tjerë bullgarë, të vendosur në Argjentinë. Sot ajo pranon se në Komodoro Rivadavia, qyteti ku jeton, nuk ka mbërritur asnjë emigrant i ri bullgar pas vitit 1989 dhe mendon se ndoshta është bullgarja e fundit e lindur në Bullgari që ka mbetur atje.
Bërthama e komunitetit tonë atje është Shoqata Kulturore Bullgare "Kirilli dhe Metodij", e themeluar në vitin vendimtar për Bullgarinë, 1989. Në një intervistë të ruajtur në arkivin e Radio Bullgarisë, ajo flet për nismat që bashkojnë bashkatdhetarët tanë në Argjentinë:
FOTO: Facebook /Shoqata Kulturore Bullgare "Kirilli dhe Metodij" - Komodoro Rivadavija
"Në shoqatën tonë kremtojmë 3 Marsin, por u shpërndajmë edhe verore (martenica) të gjithë atyre që marrin pjesë. U shpjegojmë se çfarë përfaqësojnë këto dy festa (Baba Marta dhe festa jonë kombëtare) dhe cilat janë traditat që lidhen me to. U tregojmë se cilët janë heronjtë tanë dhe fragmente të vogla nga historia jonë, sepse Bullgaria për shumë vite nuk ka qenë shumë e njohur këtu, por tani, vitet e fundit, përmes rrjeteve sociale ka më shumë mundësi që njerëzit të mësojnë për vendin tonë."
Sipas saj, shoqata bullgare është pjesë e Federatës së Shoqatave të Huaja në Argjentinë dhe e përfaqëson me dinjitet Bullgarinë në ngjarje të ndryshme. Më e rëndësishmja prej tyre është Dita e Emigrantëve, e cila shënohet çdo vit më 4 shtator. Në këtë festë, nga secila shoqatë emigrantësh zgjidhet një mbretëreshë, e cila prezanton kulturën, traditat dhe këngët karakteristike të komunitetit që përfaqëson. Në vitin 2025, Bullgaria u përfaqësua me dinjitet në këtë ngjarje nga Erika Perales, stërmbesa e bullgarëve, drejtuese e grupit të valleve popullore bullgare pranë shoqatës sonë dhe pjesëmarrëse në formacionin vokalo-instrumental "Orfej".
Cenka Genova është e bindur se një emigrant nuk mund ta ndërpresë kurrë lidhjen me atdheun e tij.
"Krenohemi me këtë shtet të vogël, por shumë të pasur – Bullgarinë. Prandaj duhet të bëjmë që bota të kuptojë se sa shumë i ka dhënë ajo njerëzimit", thotë ajo në përfundim.
FOTO: Joan Kolev
Ndërkohë, aktiviteti më i fundit i Agjencisë Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit, i cili na dha mundësinë të kujtojmë edhe një herë veprimtarinë e bashkatdhetarëve tanë në Argjentinë që i lidh ata me vendin e të parëve të tyre, tregon se roli i Agjencisë në komunikimin dhe mbështetjen e bashkatdhetarëve tanë jashtë vendit është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe i domosdoshëm. Fakti që gjithnjë e më shumë prej tyre e konsiderojnë Agjencinë si partner, kërkojnë takime dhe mbështetje nga ekipi i saj, është dëshmi se puna e tyre e përkushtuar vihet re dhe vlerësohet lart nga bashkatdhetarët tanë jashtë Bullgarisë.
Për më shumë hollësi mbi historinë e emigrantëve bullgarë në Argjentinë, të rrëfyer në një film, shihni KËTU.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski