SPORT

Artikull

Ilijana Jotova nderoi sportistët "diellorë" të Bullgarisë

Martë, 14 Korrik 2026, 16:33

Ilijana Jotova nderoi sportistët "diellorë" të Bullgarisë

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Presidentja e Bullgarisë, Ilijana Jotova, u dorëzoi Pllaketën e Nderit të Presidentit sportistëve bullgarë që morën pjesë në Kampionatin Botëror për atletët me Sindromën Down, i cili u zhvillua në Sofje nën patronazhin e saj. Në Sallën Heraldike të Presidencës, ajo ia dorëzoi çmimin kapitenes së ekipit, Radena Angellova. Nga ana e tyre, presidenti i Federatës së Aktivitetit Fizik të Përshtatur, Sllav Petkov, dhe Radena Angelova i dhuruan presidentes një komplet medaljesh nga kampionati botëror.



FOTO: BTA

"Unë dhe ekipi im jemi shumë të lumtur, sepse sot, në këtë sallë kaq solemne, po nderojmë sportistët “diellorë” të Bullgarisë. Ju e shndërruat Kampionatin Botëror jo vetëm në një festë të madhe sportive ndërkombëtare, por edhe në një ngjarje ku buzëqeshja nuk u largua nga fytyrat e fëmijëve dhe ku dëgjoheshin gjuhë nga e gjithë bota. Megjithatë, nuk kishte rëndësi se çfarë gjuhe flitej, sepse arritjet tuaja sportive flisnin vetë", tha Ilijana Jotova në fjalën e saj. Presidentja iu drejtua fëmijëve duke i quajtur "heronjtë e Bullgarisë" dhe theksoi se nuk ekzistojnë pengesa për aftësitë njerëzore kur ka këmbëngulje, vullnet, ambicie dhe punë të përditshme.


Redaktoi: Diana Cankova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova