Artikull
Në Sofje tashmë ka një "strehë klimatike" për vapën e verës
Bullgaria është e dyta pas Spanjës për numrin e madh të viktimave nga të nxehtit ekstrem gjatë verës, kujton Sevdalina Vojnova nga Shoqata për Zhvillimin e Sofjes
Martë 14 Korrik 2026 20:00
Martë, 14 Korrik 2026, 20:00
FOTO: sofia-da.eu
Madhësia e shkronjave
Në fund të muajit qershor termometrat shënuan 40 gradë në një pjesë të madhe të territorit të Evropës Perëndimore, ndërsa sinoptikanët paralajmërojnë për valë të reja të nxehti gjatë korrikut. Mbi 10 000 raste vdekjesh janë regjistruar në Francë, Gjermani, Çeki, Mbretërinë e Bashkuar dhe vende të tjera gjatë valës rekord të të nxehtit në qershor, çka është më shumë se zakonisht për këtë periudhë, tregojnë të dhënat e EuroMOMO – rrjeti për monitorimin e vdekshmërisë, i mbështetur edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
Pjesa më e madhe e viktimave – mbi 9 mijë persona – janë të moshës 65 vjeç e lart. Temperaturat ekstreme mund të jenë fatale, pasi shkaktojnë goditje nga të nxehtit ose përkeqësojnë sëmundjet ekzistuese kardiovaskulare dhe të frymëmarrjes. Kjo e bën popullsinë më të moshuar të Kontinentit të Vjetër jashtëzakonisht të cenueshme ndaj vapës, thekson agjencia Reuters në analizën e saj mbi këtë fenomen.
FOTO: AP/BTA
Sipas shkencëtarëve, vala e të nxehtit në fund të qershorit do të kishte qenë "praktikisht e pamundur" pa ndryshimet klimatike të shkaktuara nga veprimtaria njerëzore, të cilat i bëjnë këto dukuri gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive. Derisa organizmi i njeriut të arrijë të përshtatet me rrethanat e reja të shkaktuara nga ngrohja globale, OBSH-ja rekomandon që autoritetet e qyteteve të mëdha të kujdesen vetë për banorët dhe vizitorët gjatë vapës, duke organizuar vende të quajtura "strehë klimatike" – hapësira të gjelbëruara dhe me hije, të cilat i mbrojnë njerëzit nga i nxehti. Në këto oaze klimatike krijohet mjegull artificiale me ujë, ndërsa në disa kryeqytete të ngrohta bien madje edhe flokë bore artificiale.
FOTO: EPA/BGNES
Shoqata për Zhvillimin e Sofjes ka krijuar strehën e parë të tillë klimatike në territorin e kryeqytetit bullgar. Ajo ndodhet shumë pranë sheshit "Ura e Luanit", në fillim të rrugës "Veslec", por një anketë e realizuar nga gazetarja e programit "Horizont", Kalina Stojanova, tregoi se për momentin ajo ende nuk njihet nga qytetarët. Është ndërtuar pikërisht në këtë zonë, sepse ajo është njëkohësisht me dendësi të madhe banimi, me trafik shumë intensiv dhe me avullim të konsiderueshëm nga lumi pranë. Përveç kësaj, aty jetojnë shumë njerëz nga të ashtuquajturat grupe të cenueshme. Jo më pak e rëndësishme është se këtu kryqëzohen edhe shumë linja të transportit urban, të cilat përdoren çdo ditë nga mijëra banorë të kryeqytetit. Ky është një rajon që ka nevojë të madhe për një vend ku njerëzit të mund të shpëtojnë nga vapa – shpjegon Sevdalina Vojnova nga Shoqata për Zhvillimin e Sofjes.
Sevdalina Vojnova
FOTO: sofia-da.eu
"Të gjithë e dinë se me ndryshimet klimatike po shfaqen dy valë të mëdha dhe më të gjata të të nxehtit, por përveç tyre ekziston edhe një fenomen specifik që ndodh në qytete, për shkak se ato janë mbindërtuar, pjesa më e madhe e sipërfaqes është mbuluar me asfalt, beton dhe materiale të tjera që mbulojnë tokën, por edhe për shkak të dendësisë së popullsisë, trafikut të madh të transportit urban e kështu me radhë. Si rezultat, në disa vende të qyteteve temperatura është nga 5 deri në 7 gradë më e lartë në hije sesa në vende të tjera të vendit ose në periferi të qytetit. Dhe të mos harrojmë se temperatura nuk matet në sipërfaqen e tokës, por rreth një metër e gjysmë mbi të dhe gjithmonë në hije. Kjo do të thotë se njeriu që ecën në rrugë nuk e ndien vetëm temperaturën që vjen nga toka, por temperatura përreth tij është shumë më e lartë."
Në botë ekzistojnë lloje të ndryshme "strehësh klimatike" – në ambiente të mbyllura dhe në ambiente të hapura. "Ishulli i freskët", i cili na ndihmon të përballojmë vapën urbane në Sofje, është një strehë klimatike në ambient të hapur – shpjegon Sevdalina Vojnova.
"Sipas konceptit, ky është një vend ku njeriut t'i lindë dëshira të shkojë, të ulet, të pushojë, të freskohet, të rifitojë forcat dhe më pas të vazhdojë rrugën nëpër rrugët e nxehta."
FOTO: sofia-da.eu
"Ajo që bëmë ne ishte të merrnim një oborr të lënë pas dore, pronë e një spitali komunal, dhe ta shndërronim në një mini-park, i cili funksionon si strehë klimatike. Që të jetë e tillë, ai duhet të ketë hije dhe ftohje me ujë. Ne kemi ndërtuar një sistem mjegulle me ujë. Gjithashtu është e domosdoshme të ketë qasje në ujë të pijshëm – kemi vendosur një çezmë, në mënyrë që njerëzit të mbushin shishet me ujë dhe të vazhdojnë rrugën. Këtu, përveçse mund të punosh dhe të lidhësh pajisjen tënde me internet falas, mund të pish ujë pa paguar për të. Në strehën tonë ka edhe lojëra tavoline dhe një kënd të vogël mjekësor, ku mund të matësh tensionin e gjakut. Përveç kësaj, ka një kopsht të vogël për rritjen e perimeve, bimëve aromatike dhe luleve. Kështu që mund të këpusësh edhe ndonjë erëz nga kopshti ose, nëse dëshiron, të mbjellësh diçka. Ideja e këtij vendi është që njerëzit ta vizitojnë, të kalojnë këndshëm kohën gjatë vapës, sidomos nëse nuk kanë kondicioner në shtëpi."
FOTO: sofia-da.eu
Është e dëshirueshme që aty të ketë gjithmonë një person që kujdeset për rendin dhe gjendjen e mirë të kësaj hapësire të gjelbër. Deri tani nuk ka pasur probleme – thonë nga Shoqata për Zhvillimin e Sofjes, e cila planifikon të ndërtojë edhe disa "ishuj klimatikë" të ngjashëm në pjesë të tjera të Sofjes.
"Mendoj se deri në fund të vitit do të jenë gati të paktën edhe dy të tjera. Është shumë e rëndësishme se cili do të jetë efekti social i këtyre hapësirave. Nëse ato vërtet do t'u shërbejnë njerëzve që nuk kanë mundësi tjetër të strehohen nga vapa në Sofje. Në të gjithë zonën ku kemi krijuar strehën tonë të parë klimatike ka vetëm një çezmë publike funksionale me ujë. Vetë fakti që njerëzit mund të pinë ujë falas dhe të mbushin shishet e tyre ka një efekt të madh social. Prandaj këto vende nuk duhen parë si investime; vlera e tyre qëndron te ndikimi social mbi njerëzit. Sado që përpiqemi ta bëjmë të njohur këtë nismë, ende hasim pak mosbesim, por kushdo që ka ardhur dhe e ka përdorur, vazhdon të kthehet.
Është mirë të ketë projekte të tilla pilot, për të dëshmuar se kjo ide ia vlen të përhapet gjerësisht. Kjo është një mundësi për të inkurajuar kompani dhe organizata që kanë hapësira të përshtatshme të krijojnë strehë të tilla. Hapni një pjesë të vogël të oborrit tuaj, bëjeni atë të aksesueshme për njerëzit, siguroni ujë, freski dhe mundësi pushimi për kalimtarët. Hapni edhe një pjesë të hollit për ata që kanë nevojë të strehohen nga vapa. Ne në Bullgari renditemi të dytët në Evropë, pas Spanjës, për numrin e viktimave që regjistrojmë gjatë verës – humbje të parakohshme të jetës njerëzore pikërisht për shkak të temperaturave të larta."
Intervistë: Kalina Stojanova, BNR – "Horizont"
Teksti: Gergana Mançeva
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski