Autor
Bozhidar Çollakov
Artikull
Fshati bullgar Slladun mirëpret folklorin e bullgarëve, grekëve dhe turqve
Aplikimet për pjesëmarrje pranohen deri më 1 shtator.
Mërkurë 15 Korrik 2026 06:55
Mërkurë, 15 Korrik 2026, 06:55
FOTO: BNR - Radio Kërxhali
Madhësia e shkronjave
Më 12 dhe 13 shtator 2026, fshati Slladun, në komunën e Svilengradit (Bullgaria Jugore), do të mirëpresë pjesëmarrësit dhe vizitorët e edicionit të XV-të të Festivalit Ndërkombëtar të Folklorit "Me këngët e Kiçka Savovës". Veprimtaria do të zhvillohet në mejdanin e fshatit dhe i kushtohet ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë folklorike të këngëtares së njohur të muzikës popullore bullgare, Kiçka Savova.
Qëllimi kryesor i festivalit është ruajtja e folklorit autentik bullgar, nxitja e traditave vendore dhe prezantimi i këngëve, valleve, melodive dhe zakoneve karakteristike të krahinave të ndryshme etnografike të vendit.
Një kusht i detyrueshëm për grupet vokale dhe interpretuesit individualë është që në programin e tyre të përfshijnë të paktën një këngë nga repertori i Kiçka Savovës.
Në pjesën konkurruese të festivalit mund të marrin pjesë interpretues individualë – këngëtarë dhe instrumentistë, grupe vokale të folklorit autentik dhe të përpunuar, ansamble vallesh dhe grupe që paraqesin zakone popullore. Pjesëmarrësit do të ndahen në dy kategori moshe – deri në 18 vjeç dhe mbi 18 vjeç.
FOTO: BNR - Radio Kërxhali
Një juri e përbërë nga folkloristë dhe etnografë të njohur do të vlerësojë paraqitjet artistike dhe do të përcaktojë fituesit e Çmimit të Madh të festivalit, të çmimit me emrin e Kiçka Savovës, të çmimeve të organizatorëve, të kryetarit të komunës së Svilengradit, si edhe të vlerësimeve të Fondacionit "Kiçka Savova".
Prej pesë vitesh festivali ka pjesëmarrje ndërkombëtare, ku në të njëjtën skenë takohen interpretues nga Bullgaria, Greqia dhe Turqia. Pavarësisht pengesës gjuhësore, pjesëmarrësit e huaj më së shumti prezantojnë valle popullore, por nuk mungojnë edhe ata që interpretojnë këngë popullore bullgare, përfshirë edhe këngë nga repertori i Kiçka Savovës.
Në vitin 2023, Sevim Kurtullush nga qyteti i Bursës, Republika e Turqisë, interpretoi këngën "Tokë e shkretuar, krejt tjetër".U zbulua se Sevim është një bullgare e shpërngulur nga rajoni i qytetit Ruse, e cila prej më shumë se 40 vitesh jeton në Turqi, por ruan dashurinë për këngën dhe muzikën popullore bullgare.
Ansamblet mysafire do të prezantojnë pasurinë dhe bukurinë e folklorit trak, i cili është ruajtur dhe zhvilluar në komunitetet në të dyja anët e kufirit – në Greqi dhe Turqi.
Për të gjithë pjesëmarrësit parashikohet edhe një program turistik shoqërues – vizita në Kalanë Mesjetare dhe në Varrin Kupolë Trak pranë fshatit Mezek, në kalanë "Bukellon" pranë fshatit Matoçina, si dhe një tur turistik në Svilengrad. Qyteti ndodhet shumë pranë pikës ku takohen kufijtë shtetërorë të tri vendeve – Bullgarisë, Greqisë dhe Turqisë.
Organizator i festivalit është Vatra Kulturore "Izgrev-1928" – fshati Slladun, me mbështetjen e Komunës së Svilengradit, Fondacionit "Kiçka Savova", administratës së fshatit, Ministrisë së Kulturës dhe Institutit të Etnologjisë dhe Folkloristikës pranë Akademisë Bullgare të Shkencave.
Partner mediatik është Radioja Kombëtare Bullgare (BNR), përmes programit të saj rajonal "Radio Kërxhali".
FOTO: BNR - Radio Kërxhali
Hapja zyrtare e festivalit do të bëhet më 12 shtator në orën 10:00.
Aplikimet për pjesëmarrje pranohen deri më 1 shtator 2026, me postë, në adresën elektronike izgrev1928@abv.bg ose përmes formularit online të festivalit kichkasavovafest.eu
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova
- #Greqi
- #fshat
- #pjesëmarrje
- #Traki
- #Kiçka Savova
- #aplikim
- # Akademia Bullgare e Shkencave
- #instrumentistë
- #partner mediatik
- #këngë popullore bulgare
- #folklor
- #festival
- #Bullgari
- #këngëtar
- #Turqi
- #Radioja Kombëtare Bullgare
- #këngë
- #grupe folklorike
- #grupe vokale
- #Instituti i Etnologjisë dhe Folkloristikës pranë Akademisë Bullgare të Shkencave