SHOQËRI

Artikull

Në Bullgari mungon institucioni që kontrollon cilësinë e shëndetësisë

Enjte, 16 Korrik 2026, 07:00

Spitali Universitar i Shën Katerinës

Spitali Universitar i Shën Katerinës

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

Bullgaria renditet e para në Bashkimin Evropian për numrin e shtretërve spitalorë (870 për 100 000 banorë), por është ndër vendet e fundit për sa i përket numrit të infermierëve – vetëm 4,4 për 1000 banorë, krahasuar me mesataren prej 8,5 në BE – tregojnë statistikat, të cituara nga Shoqata Bullgare e Profesionistëve të Kujdesit Shëndetësor (BAPZG). Ky çekuilibër e bën sistemin joefikas. Standardi mjekësor për "Kujdesin Shëndetësor", i cili duhej të garantonte një numër minimal specialistësh në raport me numrin e shtretërve, aktualisht është objekt i mosmarrëveshjeve gjyqësore, ndërsa mungesa e standardeve të tilla nuk mund të sigurojë ofrimin e kujdesit mjekësor cilësor për çdo pacient.

Një nga problemet më të mëdha për cilësinë e trajtimit mjekësor është mungesa e një organi të vetëm që të mbikëqyrë jo vetëm dokumentacionin, por edhe rezultatet e trajtimit – pohon nga ana e tij dr. Aleksandër Aleksandrov nga Spitali Kombëtar i Kardiologjisë.

Dr. Aleksandër Aleksandrov, Spitali Kombëtar i Kardiologjisë

FOTO: Elena Bejkova

"Në Bullgari nuk ka një institucion që të kontrollojë cilësinë e kujdesit shëndetësor. Një i tillë nuk ekziston. Ne, për shembull, si organizatë profesionale e kardiologjisë invazive, ku unë jam sekretar shkencor i Shoqatës së Kardiologjisë Invazive, dëshirojmë dhe do të vendosim një regjistër, në të cilin secili do të regjistrojë procedurën invazive që kryen. Atëherë do të jetë shumë e vështirë të ekzistojnë të ashtuquajturat 'rrugë klinike fiktive'", thekson kardiologu, sipas të cilit kjo do ta vështirësojë manipulimin me rrugët klinike që financohen nga Fondi Kombëtar i Sigurimit Shëndetësor.

Transparenca është çelësi për ndalimin e abuzimeve në institucionet shëndetësore. Në Zvicër, për shembull, institucionet mjekësore publikojnë të dhëna për shkallën e vdekshmërisë dhe, nëse ajo është mbi normat e lejuara, pasojnë kontrolle, ritrajnim i ekipeve ose mbyllje e reparteve. Në Bullgari, megjithatë, shpesh mungon edhe komunikimi bazë ndërmjet institucioneve – pohon mjeku në një intervistë për programin "Horizont" të Radios Kombëtare Bullgare (BNR).

FOTO: Facebook /Spitali Kombëtar i Kardiologjisë

"Të them të drejtën, nga ana institucionale nuk kam ide se deri në çfarë mase ekziston lidhje ndërmjet institucioneve të ndryshme – për shembull, me çfarë të dhënash nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor disponon Agjencia për Mbikëqyrje Mjekësore, e cila duhet të kryejë kontrolle. A i ka këto të dhëna apo jo, nuk e di. Mendoj se pikërisht këtu burojnë problemet, sepse nuk kryhen kontrolle të mjaftueshme për shkak të mungesës së komunikimit ndërmjet institucioneve të shumta në sistemin shëndetësor."

Pavarësisht mangësive administrative dhe financiare, mjekët bullgarë vazhdojnë të marrin përsipër rreziqe në emër të jetës. Si në rastin e Desit 29-vjeçare shtatzënë dhe binjakëve të saj, jetët e të cilëve u shpëtuan pas një ndërhyrjeje unike për një aortë të çarë, të kryer nën kontroll me ultratinguj pikërisht nga dr. Aleksandër Aleksandrov.

Mjekët e Spitalit Kombëtar të Kardiologjisë dhe të spitalit "Shtëpia e Nënës" dëshmuan se mjekësia bullgare disponon specialistë të nivelit botëror.

Desi me binjakët e saj

FOTO: Shtëpia e Nënës

"Kur bëhet fjalë për tri jetë, ndjenja si emocionet dhe frika përpiqen të mbizotërojnë mbi gjykimin mjekësor. Kjo procedurë duhej të kryhej, sepse pa të, të tre do të kishin humbur jetën. Nuk jam penduar as edhe për një sekondë për rrezikun që mora përsipër. Sfida ishte se duhej ta kryeja procedurën pa kontroll me rreze X, sepse foshnjat ndodheshin në fazën e zhvillimit. Kjo u realizua nën kontroll me ultratinguj dhe e pranoj se ishte hera e parë që e bëja."

Megjithatë, ky triumf i profesionalizmit ndodh në sfondin e mangësive serioze strukturore, mungesës së kontrollit mbi cilësinë dhe mungesës kritike të personelit. E gjithë kjo duhet të tejkalohet, në mënyrë që të sigurohet një cilësi e lartë e shërbimeve, besimi i pacientëve dhe bindja se mrekullitë mjekësore nuk do të jenë përjashtime të mbështetura në heroizmin personal profesional, por do të shndërrohen në normë.


Intervistë: Elena Bejkova, BNR "Horizont"
Teksti: Elena  Karkallanova

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski