FOLKLOR

Artikull

Në fshatin besarab Zalizniçne po ringjallet tradita e valles bullgare

Enjte, 16 Korrik 2026, 11:31

В бесарабското село Зализничне възстановяват традицията на българското хоро

В бесарабското село Зализничне възстановяват традицията на българското хоро

FOTO: bessarabia.ua

Madhësia e shkronjave

Me aktivitetin “Open Summer. Vallja Bullgare”, të organizuar më 4 korrik në skenën verore të Qendrës së Kulturës dhe Pushimit në fshatin Zalizniçne të komunës së Bollgradit në Ukrainë, u rikthye pas shumë vitesh ndërprerjeje tradita e valles bullgare. Për të ftuarit ishte përgatitur edhe një kënd fotografik në stil bullgar. 

Në një deklaratë për Bessarabia.UA, përfaqësuesja e administratës lokale të fshatit, Svetllana Gergi, tha se tradita e mbledhjes së njerëzve për vallet bullgare është ruajtur në shumë fshatra të pjesës jugore të rajonit të Odesës. Sipas saj, dikur mbrëmje të tilla ishin pjesë e jetës kulturore edhe në Zalizniçne, por më vonë tradita u ndërpre.

FOTO: bessarabia.ua

“Në Zalizniçne, në mbrëmje mblidhen tradicionalisht banorët vendas dhe të rinjtë, sepse këtu ka vende të ndryshme për pushim dhe argëtim. Njerëzit kanë propozuar shumë herë që të rikthehet tradita e valles bullgare. Punonjësit në sferën e kulturës e mbështetën me kënaqësi këtë ide dhe propozuan mënyrën e realizimit të saj”, tha Svetllana Gergi. 

“Ne duam që njerëzit të mblidhen sërish së bashku dhe që të rinjtë të mësojnë vallet popullore bullgare dhe të tregojnë më shumë interes për kulturën e tyre. Në mbrëmjen e parë erdhën jo vetëm banorë të Zalizniçnes, por edhe mysafirë nga fshatrat fqinjë. Kultura jonë duhet të ruhet, të mbështetet dhe t’u përcillet brezave të ardhshëm”, shtoi ajo.

Sipas Bessarabia.UA, këto mbrëmje do të organizohen çdo të shtunë nga ora 20:00 deri në 23:00 gjatë gjithë sezonit veror. 

Fshati Zalizniçne, i vendosur në rrethin e Bollgradit në rajonin e Odesës, Ukrainë, është themeluar në vitin 1861 nga bullgarë të ardhur nga rrethi i Sllivenit, nga fshati Kadëkjoj, i njohur sot si Sadievo, kujton BTA.


Lexoni më shumë në arkivin tonë:

 

Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva