LAJME

Artikull

Kontingjent ushtarak bullgar niset për misionin e NATO-s në Kosovë

Enjte, 16 Korrik 2026, 16:23

Kontingjent ushtarak bullgar niset për misionin e NATO-s në Kosovë

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Nëntëdhjetë e shtatë ushtarakë, kryesisht nga Brigada e Dytë e Mekanizuar “Tunxha”, të cilët do të marrin pjesë në përbërjen e forcave të Komandës Rajonale “Perëndim” të Forcave Stabilizuese të NATO-s në Kosovë, u përcollën me një ceremoni solemne në Stara Zagora. Formacioni do të vendoset në bazën “Villaggio Italia” dhe gjatë gjashtë muajve të ardhshëm do të kryejë detyra patrullimi, vëzhgimi dhe mbështetjeje të sigurisë në zonën e përgjegjësisë.

“Pjesëmarrja e kontingjentit të Forcave të Armatosura Bullgare në operacionin e NATO-s KFOR ka dhënë gjithmonë një sinjal të qartë se vendi ynë kontribuon në mënyrë aktive në suksesin e aleancës, si dhe në forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, deklaroi në fjalën e tij përshëndetëse Vlladko Vlladov, shef i kabinetit politik të ministrit të mbrojtjes. Nga ana e tij, komandanti i Forcave Tokësore, gjeneral-major Dejan Deshkov, theksoi se ushtarakët bullgarë marrin pjesë tashmë prej 26 vitesh në misionin e NATO-s në Kosovë dhe kanë ndërtuar një reputacion të lartë falë disiplinës dhe profesionalizmit të tyre.

Ushtarakëve iu dhurua edhe një ikonë e Shën Gjergjit Fitimtar – mbrojtësit të Ushtrisë Bullgare, e cila iu dorëzua nga zëvendëskryetarja e Bashkisë së Stara Zagorës, Milena Zheleva.

 

Redaktoi: Diana Cankova

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva