Autor
Cvetana Tonçeva
Artikull
"Bullgarë të Kohëve të Vjetra" – opereta bullgare më e dashur
Premte 17 Korrik 2026 19:45
Premte, 17 Korrik 2026, 19:45
FOTO: musictheatre.bg
Madhësia e shkronjave
"Bullgarë të Kohëve të Vjetra" është novela më e njohur dhe më e lexuar deri më sot e poetit, shkrimtarit, gazetarit, etnografit dhe veprimtarit të madh të çlirimit kombëtar bullgar, Ljuben Karavellov (1834–1879). Veprimi zhvillohet në vitet 1850 të shekullit XIX në qytetin e lindjes së Karavellovit, Koprivshtica, ku shpaloset një version komik bullgar i historisë së përjetshme të Romeos dhe Zhulietës.
Kur mësojnë për simpatinë e ndërsjellë mes fëmijëve të tyre – Lilla dhe Pavlinit – dy qytetarë të pasur dhe të respektuar të Koprivshticës, Haxhi Genço dhe Gjysh Libeni, vendosin t’i martojnë të rinjtë. Por gjatë bisedimeve për organizimin e dasmës, etërit zihen aq keq sa e prishin fejesën para gjithë fshatit.
Pas skandalit, megjithatë, Romeoja dhe Zhulieta bullgare, të pushtuar nga një dashuri e zjarrtë, e cila sipas fjalëve të Karavellovit “ekziston vetëm në shpirtrat e rinj dhe të panjollosur”, guxojnë t’u kundërvihen prindërve të tyre despotikë dhe përpiqen të hedhin poshtë dogmat patriarkale të vjetruara dhe shtypëse.
Si në çdo komedi, fundi është i lumtur: të dashuruarit martohen me ndihmën e Gjysh Libenit, ndërsa Haxhi Genço, i penduar, përfiton shpesh nga mikpritja e krushkut të tij dhe nga vera e tij e mrekullueshme.
Opereta "Bullgarë të Kohëve të Vjetra", e krijuar posaçërisht për Teatrin Muzikor Shtetëror (sot Teatri Kombëtar Muzikor “Stefan Makedonski” – i vetmi teatër në Sofje ku prej më shumë se 100 vjetësh vihen në skenë opereta dhe mjuzikëllë), u shfaq për herë të parë më 24 janar 1959.
Autori i muzikës, Asen Karastojanov (1893–1976), ishte një kompozitor dhe dirigjent me arsimim të lartë. Ai u diplomua në Shkollën e Lartë të Muzikës në Berlin dhe u specializua në kompozicion dhe teori muzike në institucione prestigjioze akademike, si École Normale në Paris dhe Konservatori i Lajpcigut.
Asen Karastojanov (1893 – 1976)
FOTO: sofiaphilharmonic.com
Së bashku me libretistin, aktorin e njohur të operetës Kosta Rajnov, Karastojanovi e përjetësoi emrin e tij në historinë e kulturës bullgare me veprën e parë bullgare në zhanrin e operetës të bazuar në një kryevepër të letërsisë klasike kombëtare.
Deri në fund të shekullit XX, "Bullgarë të Kohëve të Vjetra" u shndërrua në një vepër klasike të padiskutueshme të repertorit teatror, me një numër rekord produksionesh dhe shfaqjesh. Vepra u vlerësua lart edhe nga kritika e huaj gjatë turneve në Rusi dhe Çekosllovaki në vitet 1970.
Premiera e fundit e operetës më të interpretuar dhe më të dashur bullgare, "Bullgarë të Kohëve të Vjetra", u mbajt në fillim të marsit 2026 në skenën e Teatrit Shtetëror të Operës në Varna.
"Bullgarë të Kohës së Vjetër" në skenën e Operës Shtetërore - Varna
FOTO: BTA
Burimi origjinal letrar është përshtatur me shumë talent në dramatizimin e Kosta Rajnovit dhe në muzikën me frymë e gjallëri popullore të Asen Karastojanovit. Në qendër të konfliktit qëndrojnë karakteret kombëtare plot ngjyra dhe individualitet të fisit të Montakëve dhe Kapuletëve, po aq të autoritetshëm, sa edhe kokëfortë. Rreth grindjeve të tyre të pafundme ndërthuren fatet e dy çifteve të dashuruara – fëmijëve të tyre, Pavlinit dhe Lillës, si edhe të shërbëtorëve Ivan dhe Janka.
Synimi i libretistit ishte të qëndronte sa më pranë veprës origjinale. Megjithatë, për t’iu përshtatur kërkesave dramaturgjike të operetës dhe për të forcuar intrigën komike, ai bëri disa ndryshime në subjekt, shtoi dialogë dhe tekste poetike autoriale, si edhe personazhe dytësore me karakter humoristik. Më e spikatura ndër ta është Janka, shërbëtorja e Haxhi Genços. E zgjuar, e shkathët dhe plot dinakëri, ajo shndërrohet në një nga figurat qendrore të veprës, ndërsa duetet e saj me Ivanin janë bërë ndër pjesët më të dashura dhe më të njohura të operetës.
Vlerat muzikore dhe dramaturgjike
të veprës “Bullgarë të Kohëve të Vjetra” tejkalojnë dukshëm nevojat shoqërore të
zhanrit në fund të viteve 1950 të shekullit XX. “Bullgarë të Kohëve të Vjetra” bëhet
një vepër klasike e repertorit kombëtar, duke i dhënë çdo brezi të ri
regjisorësh dhe artistësh mundësi për interpretime të reja skenike.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva