HISTORI

Artikull

189-vjetori i lindjes së Apostullit

Kujtimi për Vasill Levskin në qytetin e tij të lindjes, Karllovo

Shtunë, 18 Korrik 2026, 07:00

Monumenti i Vasill Levskit në Karllovo

Monumenti i Vasill Levskit në Karllovo

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Më 18 korrik mbushen 189 vjet nga lindja e heroit kombëtar të Bullgarisë, Vasill Levski. Në këtë datë, çdo monument i Levskit në Bullgari ose jashtë saj do të mbledhë pasardhësit mirënjohës në ceremoni përkujtimore. Me ëndrrën e tij për një republikë të pastër dhe të shenjtë, Levski përshkruhet si personaliteti historik më me ndikim, i cili edhe sot ka fuqinë të jetë bashkues dhe udhërrëfyes për mbarë kombin bullgar të shpërndarë nëpër botë.

FOTO: BTA

Sipas traditës, qendra e ngjarjeve është qyteti i lindjes së Apostullit të Lirisë – Karllovo. Dita e 18 korrikut është shpallur festë e qytetit nënmalor, i cili ndodhet në zemër të Luginës së Trëndafilave, por njihet në hartën e Bullgarisë pikërisht si vendi ku ndodhet shtëpia e lindjes së Apostullit. E ruajtur shumë mirë dhe e shndërruar në një faltore të vërtetë, shtëpia familjare e Vasill Levskit vizitohet gjatë gjithë vitit nga qindra bullgarë. Këtu vijnë edhe shumë nxënës nga komunitetet bullgare që jetojnë jashtë vendit.

Vendlindja e Apostullit në Muzeun Kombëtar "Vasill Levski" – Karlovo

FOTO: vlevskimuseum-bg.org

Në shtëpinë e Apostullit, bullgari hyn si në një tempull të Zotit. Ky është një vend përuljeje si para heroizmit, ashtu edhe para gjenialitetit të këtij njeriu, i cili edhe sot na frymëzon me vizionet e tij largpamëse për rrugën drejt lirisë dhe me konceptin e tij të plotë për një shtet demokratik.


Në Karlovo zhvillohet edhe Tubimi Popullor kushtuar Apostullit – këtë vit mbahet edicioni i 35-të, ndërsa programi i qytetit është edhe më i pasur dhe përfshin aktivitete që interpretojnë temën e kujtesës.

Dita e 18 korrikut këtu tradicionalisht fillon me kremtimin e një liturgjie solemne dhe një lutjeje për mirëqenien e qytetit dhe të banorëve të tij. Banorët mirënjohës të Karllovos vendosin lule edhe mbi varrin e nënës së Levskit, Gina Kunçeva.

Në këtë ditë Karllovo pret gjithashtu pjesëmarrësit e marshimit kombëtar "Në gjurmët e Apostullit", ndahen çmimet e Fondacionit "Vasil Levski" dhe të komitetit me të njëjtin emër.

Me rastin e festës, në qytetin e Levskit është hapur edhe ekspozita e Kuvendit Popullor dhe Agjencisë Shtetërore "Arkivat" – "Kujtesë për monumentin e Levskit në Sofje". Dita do të përfundojë me një miting solemn dhe fishekzjarre, të organizuara nga Bashkia e Karllovos.


Përpiloi: Gergana Mançeva

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski