Artikull
Shoqatat turistike kërkojnë modernizimin e resortit Maljovica
Dielë 19 Korrik 2026 08:00
Dielë, 19 Korrik 2026, 08:00
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Përfaqësues të shoqatave turistike nga e gjithë vendi shprehën mbështetjen e tyre për modernizimin e teleferikut të Maljovicës, që ndodhet në pjesën veriperëndimore të malit Rilla. Gjatë një performance simbolike në kuadër të një festivali turistik, të organizuar nga Lidhja Turistike Bullgare, pjesëmarrësit dërguan një mesazh në mbështetje të zhvillimit të resortit dhe të përpjekjeve që Maljovica të afirmohet si një destinacion modern sportiv dhe turistik. Gjatë aktivitetit, turistë nga e gjithë Bullgaria formuan me trupat e tyre mbishkrimin "Për teleferikun". Ata paralajmëruan se arritjet e viteve të fundit mund të vihen seriozisht në rrezik nëse projekti për modernizimin e këtij objekti ndërpritet.
FOTO: focus-news.net
Përfaqësuesit e shoqatave turistike deklaruan se modernizimi i teleferikut nuk është një projekt i izoluar infrastrukturor, por një pjesë e rëndësishme e zhvillimit të përgjithshëm të resortit, njofton agjencia "Fokus". Objekti modern është i domosdoshëm për përmirësimin e qasjes dhe për rritjen e sigurisë së vizitorëve. Mesazhet e shoqatave turistike ishin të drejtuara drejt së ardhmes së Maljovicës si një vend për sport, stërvitje dhe zhvillimin e fëmijëve dhe të rinjve. Sipas pjesëmarrësve, pas viteve të stagnimit, në resortin Maljovica janë organizuar sërish kampe për fëmijë, stërvitje dhe iniciativa të klubeve sportive, por pa një infrastrukturë moderne të teleferikut, Maljovica vështirë se mund të jetë konkurruese me qendrat e tjera malore dhe të vazhdojë të presë gara të nivelit kombëtar dhe ndërkombëtar.
FOTO: facebook.com/100NTO
Lexoni më shumë në arkivin e Radio Bullgarisë:
Përpiloi: Gergana Mançeva
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski
Publikoi / Publikuan: Sindi Nikollofski