Shtunë 18 Korrik 2026 08:00
Shtunë, 18 Korrik 2026, 08:00
FOTO: X/@kos_data
Madhësia e shkronjave
Mali i Zi dhe Shqipëria mbyllën kapituj të tjerë në negociatat për anëtarësim në BE
Në Konferencën Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian në Bruksel, Mali i Zi mbylli (më 14 korrik) Kapitullin 8 "Konkurrenca" dhe Kapitullin 29 "Unioni Doganor" të negociatave për anëtarësim në BE. Podgorica ka mbyllur 18 nga gjithsej 33 kapitujt e hapur.
Gati për t'u mbyllur ishte edhe Kapitulli 14 "Politika e Transportit", por ai nuk mori dritën jeshile nga Kroacia, e cila ngriti çështjen e së drejtës së transportuesve të një shteti për të kryer transport brenda territorit të një shteti tjetër. Zagrebi bllokoi gjithashtu mbylljen e Kapitullit 31 "Politika e Jashtme, Siguria dhe Mbrojtja", njofton rtcg.me.
Edhe Shqipëria mbylli tre kapitujt e parë në negociatat për anëtarësim në BE, njoftoi Euronews. Bëhet fjalë për: Kapitullin 25 – "Shkenca dhe kërkimi shkencor", Kapitullin 26 – "Arsimi dhe kultura" dhe Kapitullin 30 – "Marrëdhëniet e jashtme". Tirana ka hapur të 33 kapitujt negociues.
Aleksandar Vuçiç
FOTO: ft.com
Presidenti Aleksandar Vuçiç dëshiron të rikthehet në krye të Serbisë, kësaj here si kryeministër
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi për gazetën britanike Financial Times se planifikon të rikthehet në postin e kryeministrit pas zgjedhjeve të parakohshme, të cilat do të mbahen deri në fillim të dhjetorit në Serbi.
"Me shumë gjasa fillimisht do të kemi zgjedhje parlamentare, e më pas presidenciale... Nuk ka vend për zgjidhje të tjera", tha Vuçiç për gazetën.
Ai gjithashtu i bëri thirrje BE-së të heqë dorë nga qasja ndaj zgjerimit të bazuar në merita, sipas së cilës Mali i Zi dhe Shqipëria janë aktualisht kandidatët kryesorë, dhe të pranojë vendet e Ballkanit Perëndimor në bllok.
"Çfarë doni të ndërtoni? Kufij edhe më të fortë mes të gjithëve?", pyeti ai, duke bërë thirrje që rajoni të bashkohet dhe të mos shndërrohet "në një zonë të re konflikti mes atyre që hyjnë në BE dhe atyre që janë ende larg saj", transmeton BTA.
FOTO: kamenjar.com
Vendimi i Zagrebit shqetësoi myslimanët në Bosnje dhe Hercegovinë
Parlamenti kroat miratoi një rezolutë për barazinë politike dhe të drejtat e kroatëve në Bosnje dhe Hercegovinë, e cila shkaktoi reagime të ashpra në Sarajevë, raportoi televizioni N1.
Rezoluta i bën thirrje qeverisë kroate të mbështesë kërkesën e kroatëve në Bosnje dhe Hercegovinë për një reformë që do të krijonte një njësi të veçantë zgjedhore, e cila do të zgjidhte anëtarin kroat të Presidencës trepalëshe të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Kryetari i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës dhe përfaqësuesi i boshnjakëve, Denis Beçiroviç, e cilësoi këtë akt si "ndërhyrje të papranueshme" në punët e brendshme të vendit.
Sipas Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, secila nga dy njësitë gjysmëautonome – Republika Sërpska dhe Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës, e banuar nga myslimanë dhe kroatë – ka qeverinë, parlamentin dhe policinë e vet, por të dyja lidhen përmes një sistemi të përbashkët gjyqësor, ushtrisë, shërbimeve të sigurisë dhe administratës tatimore.
Raffaele Fitto
FOTO: AP/BTA
Komisioni Evropian emëroi të dërguarin e vet të posaçëm për Qipron dhe zemëroi Ankaranë
Emërimi i nënkryetarit të Komisionit Evropian, Raffaele Fitto, si i dërguar i posaçëm i BE-së për çështjen e Qipros pasqyron interesimin në rritje dhe gatishmërinë e Brukselit për të luajtur "një rol udhëheqës dhe më thelbësor" në përpjekjet për rifillimin e negociatave, deklaroi presidenti qipriot Nikos Hristodulidis, transmeton KNA.
Sipas Komisionit Evropian, Fitto do të punojë në bashkëpunim të ngushtë me María Ángela Holguín, të dërguaren personale të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, António Guterres, për ishullin.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Turqisë, Öncü Keçeli, e kritikoi emërimin.
"I kujtojmë se BE-ja e humbi neutralitetin në çështjen qipriote kur pranoi pjesën greke të Qipros si anëtare në vitin 2004, megjithëse ajo hodhi poshtë Planin Gjithëpërfshirës të Veprimit të OKB-së", shkroi Keçeli në rrjetin social X, njoftoi turkishminute.com.
FOTO: BGNES
Një familje ruse u arrestua për leximin e Biblës në "Shën Sofia" në Stamboll
Dy turistë rusë u ndaluan në Stamboll, pasi njëri prej tyre lexoi me zë të lartë pjesë nga Bibla në "Shën Sofia" – tempulli bizantin i shekullit VI, i cili në vitin 2020 u shndërrua sërish në xhami, transmeton BGNES.
Çifti nga Moska – Igor dhe Viktoria Filonov, përkatësisht 32 dhe 36 vjeç – u ndaluan më 14 korrik në "Shën Sofia". Policia u thirr nga qytetarët.
Ndaj shtetasve rusë është hapur procedurë penale për "nxitje të shoqërisë në urrejtje dhe armiqësi", sipas nenit 216 të Kodit Penal të Turqisë.
Më vonë ata u transferuan nga Drejtoria Rajonale e Migracionit në një qendër të përkohshme për vendosjen e të huajve dhe presin deportimin.
Incidenti ndodhi afro tre muaj pasi dy turistë grekë u arrestuan në "Shën Sofia" për shkak se valëvitën një flamur me shqiponjën dykrenare bizantine.
Përpiloi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski