Artikull
Pa përparim në katër nga gjashtë rekomandimet e KE për sundimin e ligjit
Premte 17 Korrik 2026 17:36
Premte, 17 Korrik 2026, 17:36
FOTO: ec.europa.eu
Madhësia e shkronjave
Bullgaria nuk ka arritur përparim në katër nga gjashtë rekomandimet e Komisionit Evropian në raportin e tij për sundimin e ligjit për vitin 2025, raportoi korrespondentja e Radios Kombëtare Bullgare (BNR) në Bruksel, Angelina Piskova.
Nuk është shënuar përparim në kufizimin e udhëtimeve afatgjata me punë të magjistratëve, reformën e Këshillit të Lartë Gjyqësor, rezultatet në çështjet e korrupsionit në nivelet e larta të pushtetit dhe përmirësimin e procesit legjislativ. Përparim shtesë është konstatuar në rivendosjen e Komisionit Kundër Korrupsionit, ndërsa përparim i kufizuar është regjistruar në përgatitjen e rregullave të integritetit për përfaqësuesit e lartë të pushtetit ekzekutiv. Megjithatë, puna në të dyja këto fusha mbetet e papërfunduar.
Sa i përket Këshillit të Lartë Gjyqësor, Brukseli këmbëngul veçanërisht për ndryshimin e përbërjes së tij, në mënyrë që të garantohet pavarësia dhe efikasiteti. Në raport theksohet sërish se vendi nuk ka krijuar një praktikë bindëse të hetimeve, ngritjes së akuzave dhe vendimeve përfundimtare në rastet e korrupsionit në nivelet e larta të pushtetit. Një tjetër konstatim i Komisionit Evropian është se zbatimi praktik i rregullave parlamentare vazhdon të ngjallë shqetësime.
Vendi duhet të vendosë standarde të qarta integriteti dhe një mekanizëm sanksionesh për shkeljet, rekomandojnë autoritetet në Bruksel. Kjo përfshin rregulla për konfliktin e interesit, deklarimet e pasurisë, dhuratat dhe marrëdhëniet me sektorin privat.
Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva