KULTURË

Seksion

Gjuha dhe kultura bullgare bashkuan sërish studentët në Universitetin e Tiranës

Përfundoi me sukses edicioni i gjashtë i Shkollës Verore të Gjuhës dhe Kulturës Bullgare në Tiranë

Shtunë, 18 Korrik 2026, 10:00

Gjuha dhe kultura bullgare bashkuan sërish studentët në Universitetin e Tiranës

FOTO: Raqi Bello

Madhësia e shkronjave

Për të gjashtin vit radhazi, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja i Universitetit të Tiranës ishte mikpritës i Shkollës Verore të Gjuhës dhe Kulturës Bullgare – një nismë tashmë e konsoliduar, e cila mbledh së bashku studentë, pedagogë dhe miq të studimeve bullgare. Projekti u realizua nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja dhe Departamenti i Gjuhëve Sllave dhe Ballkanike i Universitetit të Tiranës, në partneritet me Universitetin e Veliko Tërnovos “Shën Kirill dhe Metodij”, në kuadër të programit Erasmus+, si dhe me mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Bullgarisë në Shqipëri.

Gjatë një jave, studentët jo vetëm që përmirësuan njohuritë e tyre të gjuhës bullgare, por edhe u njohën nga afër me historinë, letërsinë dhe kulturën e pasur bullgare përmes leksioneve, aktiviteteve praktike dhe një sërë veprimtarish kulturore.

Dr. Miranda Bello

FOTO: Raqi Bello

Një vend të veçantë në program zunë leksionet e Prof. Asoc. Dr. Raqi Bello dhe Dr. Miranda Bello nga Universiteti i Veliko Tërnovos. Ata i njohën studentët me rolin e gjuhës bullgare në komunikimin ndërkulturor, duke theksuar rëndësinë e saj si bartëse e kujtesës kulturore dhe identitetit kombëtar. Përmes një sërë shembujsh, pjesëmarrësit u njohën me traditat, festat, institucionet dhe trashëgiminë e Bullgarisë.

Prof. Asoc. Dr. Raqi Bello

FOTO: Raqi Bello

Një nga momentet më emocionuese ishte vizita në Ambasadën e Republikës së Bullgarisë në Tiranë, me ftesë të Ambasadorit, z. Ivajllo Kirov. Studentët u njohën me historinë mbi njëqindvjeçare të marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-bullgare, si edhe me mundësitë për bashkëpunim arsimor dhe kulturor ndërmjet dy vendeve.

Takim në Ambasadën e Republikës së Bullgarisë

FOTO: Raqi Bello

Gjatë takimit, Ambasada i akordoi një Certifikatë Nderi drejtuesit të Departamentit të Gjuhëve Sllave dhe Ballkanike, Prof. Asoc. Dr. Adriatik Derjaj, në vlerësim të kontributit të tij shumëvjeçar në zhvillimin e studimeve bullgare në Shqipëri, promovimin e gjuhës dhe kulturës bullgare, si dhe forcimin e lidhjeve akademike ndërmjet Bullgarisë dhe Shqipërisë. Në një intervistë për Radio Bullgarinë, Prof. Asoc. Dr. Derjaj u shpreh se ky vlerësim përbën jo vetëm një nder të madh, por edhe një përgjegjësi shtesë për të përfaqësuar me dinjitet Universitetin e Tiranës dhe komunitetin akademik shqiptar në bashkëpunimin ndërkombëtar.

Lidhur me sfidat në punën e tij, ai u shpreh:

Bullgaristika është një fushë me rëndësi të veçantë për studimet ballkanike dhe marrëdhëniet ndërkulturore. Gjatë viteve kemi hasur sfida të ndryshme, si promocioni brenda dhe jasht universitetit, numri i kufizuar i studentëve, nevoja për materiale bashkëkohore didaktike dhe zgjerimi i bashkëpunimit institucional me universitetet bullgare. Megjithatë, përmes një pune të vazhdueshme kemi arritur të forcojmë profilin e kësaj fushe në Universitetin e Tiranës. Janë zhvilluar aktivitete shkencore, konferenca, shkëmbime akademike dhe programe bashkëpunimi me universitete dhe institucione të arsimit të lartë në Bullgari. Rol të rëndësishëm në kete drejtim kanë luajtur pedagogët e derguar nga Universiteti i Veliko Tërnovos, si profesor Raqi Bello e lektore Miranda Bello të cilët sollën pervojën më bukur bullgare në auditoret tona. Pa mbështetjen dhe përkushtimin e tyre bullgarishtja nuk do të kishte këtë përhapje dhe vëmemdje qē ka arritur deri më sot.”

Prof. Asoc. Dr. Adriatik Derjaj me Ambasadorin z. Ivajllo Kirov

FOTO: Kostandina Bello

Sa i përket interesimit të studentëve për gjuhën dhe kulturën bullgare, ai u shpreh:

Interesi i studentëve për gjuhën dhe kulturën bullgare është në rritje, veçanërisht për shkak të mundësive që ofrojnë programet e shkëmbimit akademik, bursat, projektet ndërkombëtare dhe tregu rajonal i punës. Studentët e kuptojnë gjithnjë e më shumë rëndësinë e njohjes së gjuhëve të rajonit si një avantazh profesional dhe akademik. Për të ardhmen, synimi ynë është të zgjerojmë bashkëpunimin me universitetet bullgare nëpërmjet projekteve të përbashkëta kërkimore, mobiliteteve Erasmus+, organizimit të konferencave shkencore, shkollave verore dhe botimeve të përbashkëta.

Prof. Asoc. Dr. Derjaj shprehu gjithashtu idenë e tij për krijimin në Tiranë të një Instituti të Studimeve Bullgare, i cili do të shërbente si një qendër për studimin e gjuhës bullgare, letërsisë dhe kërkimeve bashkëkohore në fushën e gjuhësisë.

FOTO: Kostandina Bello

Përmes programit kulturor të Shkollës Verore studentët paten mundësinë të dalin edhe jashtë auditorëve universitarë. Ata vizituan qytetin historik të Beratit – pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s – ku u njohën me trashëgiminë e pasur kulturore të rajonit dhe me lidhjet historike ndërmjet Bullgarisë dhe Shqipërisë. Interes të veçantë zgjuan vendet e shenjta të lidhura me Shën Klementin, Shën Naumin, Shën Savën, Shën Gorazdin dhe Shën Angjelarin – nxënësit e vëllezërve të shenjtë Kirill dhe Metodij, të cilët kanë lënë një gjurmë në historinë e traditës shpirtërore bullgare dhe të shkrimit sllav.

FOTO: Raqi Bello

Mbyllja e Shkollës Verore u shënua me ceremoninë solemne të ndarjes së certifikatave nga Universiteti i Veliko Tërnovos “Shën Kirill dhe Shën Metodij”, të cilat dëshmonin pjesëmarrjen dhe përfundimin me sukses të programit nga studentët.

FOTO: Raqi Bello

Edicioni i gjashtë i Shkollës Verore të Gjuhës dhe Kulturës Bullgare dëshmoi edhe një herë se nisma të tilla janë shumë më tepër sesa një kurs gjuhe. Ato krijojnë partneritete të qëndrueshme akademike, nxisin dialogun ndërkulturor dhe formojnë një brez të ri të rinjsh që njohin, vlerësojnë dhe ruajnë trashëgiminë e përbashkët kulturore të Ballkanit. Edhe këtë vit, në Shqipëri, kjo shkollë verore vazhdon të jetë një nga shembujt më të mirë të promovimit të gjuhës dhe kulturës bullgare përtej kufijve të Bullgarisë.

FOTO: Raqi Bello