Hënë 20 Korrik 2026 17:00
Hënë, 20 Korrik 2026, 17:00
FOTO: plovdiv.bg
Madhësia e shkronjave
Galeria e Arteve e Qytetit në Pllovdiv prezanton katërmbëdhjetë artistë të shquar nga Austria në hapësirën e saj më të madhe ekspozuese – Sallën "2019" (Rr. "Gladston" nr. 32). Ekspozita "Hapësira Krijuese" është rezultat i kontakteve shumëvjeçare mes galerisë dhe përfaqësuesve të njohur të skenës artistike austriake, njohjes së ndërsjellë dhe shkëmbimit të vizitave të artistëve dhe kuratorëve.
Në ekspozitë, e cila mund të vizitohet deri më 6 gusht, janë paraqitur mbi 65 vepra, kryesisht piktura dhe skulptura të artistëve me një gjuhë vizuale origjinale.
FOTO: plovdiv.bg
Kuratorët janë prof. Rolf Laven, Krasimir Linkov – historian arti dhe drejtor i Galerisë së Arteve të Qytetit në Pllovdiv, si edhe Milena Kitipova – kryekuratore e galerisë.
Ekspozita paraqet breza të ndryshëm, mjete të ndryshme shprehëse, ndjeshmëri të ndryshme dhe individualitete të theksuara, të cilat pasqyrojnë disa nga prirjet kryesore të artit austriak, tha Krasimir Linkov për korrespondenten e BNR-së në Pllovdiv, Desi Markova:
FOTO: plovdiv.bg
"Ajo që është më karakteristike dhe, sipas meje, veçanërisht e rëndësishme, sidomos në ditët e sotme, është se arti bashkëkohor nuk na paraqet më vizione rajonale apo tradicionale, por më tepër një qasje globale. Me fjalë të tjera, trajton tema që lidhen me përjetimet dhe idetë universale njerëzore. Janë tema që mund të jenë të afërta dhe të kuptueshme për njerëzit në pjesë të ndryshme të botës. Koha kur i jepnim përparësi vendlindjes, traditës dhe rrënjëve, sipas mendimit tim, tashmë ka kaluar. Kjo nuk do të thotë se një art i tillë nuk ekziston më – përkundrazi, ekziston. Megjithatë, sot mbizotëron një gjuhë artistike që mund të lexohet dhe kuptohet nga të gjithë, pavarësisht se ku ndodhen. Në ekspozitë janë paraqitur piktura, skulptura dhe disa instalacione, të cilat na tregojnë një fenomen interesant – dëshirën për t'i shndërruar objektet dhe sendet e përditshme në vepra arti. Kjo është edhe tema e një punëtorie të veçantë që organizojmë pas hapjes së ekspozitës më 9 korrik. Punëtoria do të përfshijë takime dhe biseda me artistët. Gjatë saj do të demonstrojmë se si gjërat e zakonshme, që na shoqërojnë çdo ditë dhe të cilave shpesh nuk u kushtojmë vëmendje, mund të shndërrohen në vepra arti falë vullnetit dhe idesë së artistit."
Hyrja në ekspozitë dhe në aktivitetin shoqërues është falas.
Ekspozita "Hapësira Krijuese" realizohet me mbështetjen financiare të Ministrisë së Kulturës së Republikës së Bullgarisë dhe Forumit Kulturor Austriak.
Redaktoi: Vesella Krësteva
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski