Autor
Veneta Nikollova
Artikull
Thesari i artë i Marcianopolit tregon histori
Nga koleksioni i Radio Bullgarisë
Mërkurë 22 Korrik 2026 06:55
Mërkurë, 22 Korrik 2026, 06:55
Një monedhë e prerë për nder të kurorëzimit të perandorisë bizantine Aelia Eudocia
FOTO: Veneta Nikollova
Madhësia e shkronjave
Duke udhëtuar për në bregdetin verior të Detit të Zi ka
pak të ngjarë që të dilni nga autostrada për të parë gjurmët e një prej
qyteteve më të mëdha të themeluara në kohën romake në këtë pjesë të Ballkanit.
Bëhet fjalë për Marcianopolisin antik, kryeqyteti i provincës romake Mizia e
Poshtme. Qyteti i sotëm Devnja është ndërtuar mbi rrënojat e tij. Ndërtesa të
bukura publike, një bibliotekë, një banjë dhe një hark triumfal dikur qëndronin
këtu, dhe dyshemetë e shtëpive ishin zbukuruar me mozaikë të hollë. Disa prej
tyre prezantohen në Muzeun e vetëm të Mozaikëve në vendin tonë.
Muzeu i Mozaikëve në Devnja
FOTO: Veneta Nikollova
Në fund të vitit 2019, pak para shpërthimit të pandemisë Covid-19, arkeologët zbuluan një thesar të mrekullueshëm të artë. Ndërsa hulumtonin mbetjet e një ndërtese romake 1600-vjeçare që u dogj në shekullin e V, ata u ndeshën me 19 monedha të arta romake të karatit të lartë.
"Thesari i artë është një provë e saktë dhe datim i
pushtimit të madh hun nga viti 447 pas Krishtit, kur sipas të dhënave historike
qyteti i Marcianopolit u sundua dhe u dogj nga hunët, - thotë drejtori i Muzeut
të Mozaikëve Ivan Sutev. - Në fakt, mënyra më e zakonshme për të gjetur thesare
është lidhur me kataklizma të mëdha natyrore ose njerëzore. Në rastin konkret
bëhet fjalë për shkatërrimin dhe djegien e Marcianopolit. Ne i gjetëm këto 19
“solida” - kjo është monedha e artë e Perandorisë së vonë Romake. Ato ishin shpërndarë
në dyshemenë e dhomës. Ndoshta shpërndarja e tyre ka ndodhur gjatë evakuimit të
shpejtë të njerëzve, arratisjes së tyre, ose në ndonjë përplasje shumë të
përgjakshme. Pastaj, kur shtëpia ka marrë flakë, një mur me tulla ka rënë dhe i
ka shtypur. Për këtë shkak ato janë gjetur në një gjendje shumë të mirë, pasi
nuk kanë qenë në qarkullim për një kohë të gjatë. Kur t’i shihni, do të keni
përshtypjen se janë prerë dje."
Thesari i artë i monedhave nga Marcianopoli përfshin 19 “solida”
FOTO: Veneta Nikollova
Në rajonin e njëjtë në vitin 1929, arkeologët u ndeshën me një nga thesaret më të mëdha në këto toka – 120 000 monedha argjendi romake me peshë 290 kg, më të vjetrat prej të cilave janë të prera në kohën e Mark Antonit. Zbulimi i fundit në Marcianopolin e dikurshëm është nga koha e perandorëve Theodosius II dhe Valentinian III dhe zbulon histori interesante rreth jetës së njerëzve 16 shekuj më parë.
"Këto monedha janë të vlefshme si eksponate, por
edhe si informacion, sepse mbi to janë përshkruar skena të ndryshme",
thotë Sutev. "Në njërën anë kemi fytyrën e perandorit ose të një anëtari
të familjes së tij, më shpesh gruan e tij, dhe në anën tjetër - skena
interesante. Në këtë rast ne mësojmë ngjarje të rëndësishme në lidhje me jetën
në oborrin perandorak në shekullin V. Për shembull, hasëm në një monedhë të
prerë për nder të kurorëzimit të Aelia Eudocia, gruas së Perandorit Teodosius
II. Perandoresha bizantine është e veshur shumë pasur, me bizhuteri
jashtëzakonisht të bukura, dhe sipër saj është dora e Zotit, e cila i vë
kurorën në kokë. Një monedhë tjetër shumë interesante nga thesari rikrijon
kurorëzimin dhe pranimin e titullit "Augustus" nga Valentinian III,
perandori i Perandorisë Romake Perëndimore dhe kushëriri i Theodosius II."
Dyshemeja prej mozaiku me pamje të Gorgona- Meduza, e ekspozuar në muze
FOTO: Veneta Nikollova
Ivan Sutev dhe ekipi i tij shpresojnë të marrin financim nga Ministria e Kulturës, që të vazhdojnë studimin e godinës me thesarin e monedhave, ku zbuluan edhe dysheme unikale prej mozaikësh.
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva