Autor
Elena Karkallanova
Artikull
Shkollat bullgare në botë:
Strategji të reja dhe dialog në takimin e ABUÇ-it në Sofje
Martë 21 Korrik 2026 10:45
Martë, 21 Korrik 2026, 10:45
Takimi Vjetor i ABUÇ, 21-23 korrik 2026
FOTO: Facebook/ABUÇ
Madhësia e shkronjave
Imagjinoni një mëngjes të së shtunës kur, në vend të pushimit, niseni për një udhëtim treorësh, vetëm që fëmija juaj të dëgjojë gjuhën bullgare në klasë, të mësojë shkrim e lexim dhe njëkohësisht të njohë kulturën, historinë dhe traditat bullgare. Për mijëra bullgarë që jetojnë jashtë atdheut, kjo është një zgjedhje e vetëdijshme, e bërë me mendimin për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Ndërkohë, numri i shkollave vazhdon të rritet – sipas listës së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës janë 277, por shumë prej tyre kanë një ose disa degë, duke e çuar numrin e përgjithshëm afër 400.
Nga 21 deri më 23 korrik 2026, Universiteti i Sofjes "Shën Kliment Ohridski" bëhet pikëtakimi i këtyre përpjekjeve dhe i politikës shtetërore në fushën e arsimit, gjatë takimit të 19-të vjetor të Shoqatës së Shkollave Bullgare Jashtë Vendit (ABUÇ).
Ekipi i ABUÇ pret kolegët e tij nga e gjithë bota
FOTO: Facebook/ABUÇ
Kryetarja e ABUÇ-it, Zornica Gogan, thekson rëndësinë e dialogut institucional për organizatën, e cila tashmë numëron 240 anëtarë, ndërsa në Asamblenë e Përgjithshme të 21 korrikut pritet të pranohen edhe 40 anëtarë të rinj.
Zornica Gogan me fëmijë nga "Rajna Knjaginja" BNU në Dublin (Irlandë)
FOTO: Facebook/suzie.gogan
"Ajo që e dallon konferencën e sivjetme është synimi për një dialog institucional më aktiv. Për herë të parë organizojmë një tryezë të rrumbullakët me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve, kushtuar politikave afatgjata për arsimin bullgar jashtë vendit. Programi dhe temat janë ndërtuar mbi bazën e një ankete të zhvilluar me anëtarët e ABUÇ-it që në fillim të mandatit të këtij bordi drejtues. Për ne ishte e rëndësishme që kjo konferencë të pasqyronte nevojat reale të shkollave", – tha Gogan për Radio Bullgaria. Vetë ajo drejton shkollën e së dielës "Rajna Knjaginja" në Dublin të Irlandës dhe prej një viti është në krye të Bordit Drejtues të ABUÇ-it. "Shoqata jonë ekziston pikërisht për anëtarët e saj. Do të vendosim në rend dite temat më të rëndësishme dhe shpresojmë të krijojmë një hapësirë ku institucionet dhe shkollat bullgare jashtë vendit të diskutojnë së bashku dhe të përcaktojnë zgjidhje të mundshme."
Bullgarët nga Nju Jorku
FOTO: Facebook/bulgarianschoolnyc
Panelet e punës të forumit trajtojnë si objektivat strategjikë, ashtu edhe cilësinë e procesit mësimor.
"Grupi i parë i çështjeve në tryezën e rrumbullakët lidhet me politikën strategjike shtetërore dhe me nevojën për të pasur një vizion të qëndrueshëm për zhvillimin e shkollave bullgare jashtë vendit, një model të qëndrueshëm financimi dhe, rrjedhimisht, një partneritet ndërmjet komunitetit tonë arsimor dhe institucioneve. Grupi i dytë i çështjeve ka të bëjë me vendin e shkollave bullgare në mjedisin arsimor ndërkombëtar. Kjo është një kauzë shumë e hershme e ABUÇ-it – njohja e mësimit të gjuhës bullgare në sistemet arsimore të vendeve të ndryshme. Në këtë panel të dytë do të diskutojmë edhe mundësitë për një qasje më të barabartë të nxënësve tanë në arsimin e lartë në Bullgari. Theksi i tretë është përqendruar te cilësia e mësimdhënies në shkollat tona dhe te zbatimi i programeve të reja mësimore për gjuhën bullgare si gjuhë e huaj, zhvillimi dhe përdorimi i burimeve bashkëkohore mësimore, mjeteve digjitale arsimore dhe praktikave të suksesshme pedagogjike. Qëllimi ynë është t’i vendosim këto çështje në rendin e ditës, duke nisur një proces të qëndrueshëm dialogu të bazuar në partneritet dhe vazhdimësi. Ne besojmë se pikërisht në këtë mënyrë mund të gjenden zgjidhje funksionale, përmes pjesëmarrjes aktive të shkollave bullgare jashtë vendit dhe të përfaqësuesve të institucioneve në Bullgari."
Në klasë
FOTO: Facebook/ABUÇ
Zgjerimi i numrit të shkollave të së dielës është rezultat si i rritjes së interesit nga ana e familjeve, ashtu edhe i nevojave praktike, thotë më tej Zornica Gogan:
"Mund të themi se në vitet e fundit ka pasur një rritje të ndjeshme të interesit për shkollat bullgare jashtë vendit. Gjithnjë e më shumë prindër e kuptojnë se zotërimi i gjuhës amtare nga fëmijët e tyre nuk është vetëm çështje tradite, por në fakt është një parakusht për zhvillimin e tyre të suksesshëm gjuhësor, njohës (kognitiv) dhe personal. Gjuha jonë bullgare shndërrohet në një urë lidhëse mes brezit që rritet jashtë Bullgarisë dhe brezit që jeton në Bullgari. Arsyeja e dytë është nevoja për të pasur shumë më tepër qendra arsimore në vende të ndryshme, ku fëmijët të mund të mësojnë gjuhën bullgare. Jashtë vendit, shpesh është shumë e vështirë për prindërit të arrijnë në një qendër arsimore ose në një shkollë ku mësohet gjuha bullgare; ndodh që ata të udhëtojnë edhe 2–3 orë. Edhe kjo është një arsye që nxit hapjen e më shumë shkollave bullgare jashtë vendit."
Takimi Vjetor i ABUÇ, 21-23 korrik 2026
FOTO: Facebook/ ABUÇ
Mësuesit mbështeten në burime bashkëkohore për të ruajtur motivimin në klasë. Qasjet e ndryshme do të diskutohen në ditën e tretë të Konferencës Vjetore të ABUÇ-it, tregon Vanja Kotorova, anëtare e Bordit Drejtues. Ajo mbërriti në Sofje nga Budapesti, ku drejton Shkollën Bullgare të Gjuhës Amtare në kryeqytetin hungarez:
Vanja Kotorova
FOTO: Arkiv personal i Vanja Kotorovës
"Një nga qëllimet kryesore të konferencës është që pjesëmarrësit tanë të largohen jo vetëm me ide të reja, por edhe me mjete konkrete, të cilat mund t’i zbatojnë në punën e tyre të përditshme. Prandaj, ndër pikat kryesore të programit është prezantimi i sistemit të integruar 'Reçenica', i cili shërben për mësimin e gjuhës bullgare si gjuhë e huaj dhe është zhvilluar nga Katedra e Gjuhës Bullgare si Gjuhë e Huaj pranë Universitetit të Sofjes 'Shën Kliment Ohridski'. Gjithashtu do të prezantojmë edhe ndihmësin e ri mësimor 'Bullgaria Jonë' për klasën e tretë dhe të katërt, i hartuar nga kolegët tanë mësues posaçërisht për nevojat e shkollave bullgare jashtë vendit. Do të prezantohet edhe një program për rritjen e motivimit për studimin e gjuhës bullgare, historisë, gjeografisë dhe kulturës së Bullgarisë. Po ashtu do të prezantohen mundësitë që ofron ekspozita 'Mendje Fantastike', kushtuar nxënësve bullgarë të shquar në fushën e shkencave natyrore, e cila do të vizitojë shkollat bullgare në mbarë botën, si edhe metoda dhe modele të suksesshme për punën në kuadër të programeve dhe projekteve evropiane, si dhe për ndërtimin e partneriteteve ndërkombëtare."
Neli Haxhijska dhe fëmijët nga BNU "Gergana" në New York
FOTO: Facebook/Neli Haxhijska
Specifikat e shkollave tona jashtë kufijve të Bashkimit Evropian janë gjithashtu pjesë e diskutimeve. Neli Haxhijska, nga shkolla "Gergana" në Nju Jork dhe anëtare e Bordit Drejtues të ABUÇ-it, vë theksin te mënyrat e financimit:
"Falë Zotit kemi mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Ajo është aq sa mund të përballojë shteti bullgar dhe mbulon vetëm rreth 20% të buxhetit të çdo shkolle. Të gjitha fondet e tjera sigurohen në mënyra të ndryshme. Në rastin tim, ato vijnë nga sponsorë që janë të interesuar për ruajtjen e vetëdijes dhe identitetit kombëtar bullgar. Edhe këto janë probleme me të cilat përballemi dhe nuk janë aspak të vogla," – shpjegon Neli Haxhijska dhe shton:
"Shoqata e Shkollave Bullgare Jashtë Vendit përpiqet të bashkojë të gjitha shkollat – ato janë pothuajse 400 – në mënyrë që të kenë tema të përbashkëta, ide të përbashkëta dhe të mësojnë nga njëra-tjetra. Çdo shkollë është plotësisht unike. Ne nuk funksionojmë sipas të njëjtit model, prandaj do të dëshironim t’i kushtonim vëmendje të veçantë ditës së tretë – 23 korrikut – qasjeve inovative pedagogjike, si mentorimi akademik dhe përdorimi i platformave digjitale arsimore. Ndër to është, për shembull, platforma 'Ja si mësoj', e cila përdor një metodologji autoriale për mësim të përshpejtuar dhe të individualizuar. E përbashkëta e të gjitha këtyre nismave është përpjekja për të ofruar zgjidhje funksionale, të përshtatura me specifikat e shkollave tona bullgare jashtë vendit, të cilat ndryshojnë dukshëm nga shkollat që ndodhen në Bullgari."
Takimi vjetor i BNU
FOTO: Facebook/ABUÇ
Konferenca e ABUÇ-it në Universitetin e Sofjes do të hapet zyrtarisht më 22 korrik nga nënpresidentja e Bullgarisë, Ilijana Jotova. Aktiviteti zhvillohet me moton "Shkollat bullgare jashtë vendit – hapësirë për identitet, kulturë dhe përkatësi" dhe është nën patronazhin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Georgi Vëllçev.
Konferenca forcon rolin e shkollave si një komunitet profesional, i cili jo vetëm ofron arsim, por edhe kultivon ndjenjën e përkatësisë në një botë gjithnjë e më globale.
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Georgi Vëllçev
FOTO: BTA
Në kuadër të këtij aktiviteti, më 22 korrik, Agjencia Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit dhe Shoqata e Shkollave Bullgare Jashtë Vendit (ABUÇ) do të nënshkruajnë një Memorandum Bashkëpunimi, me të cilin do të formalizohet zyrtarisht partneriteti i suksesshëm shumëvjeçar ndërmjet dy institucioneve.
"Me besim presim këtë hap të radhës, të rëndësishëm në mbështetje të shkollave bullgare jashtë vendit dhe të përpjekjeve për ruajtjen e shpirtit, gjuhës dhe identitetit kulturor bullgar në mbarë botën," – shkruan Agjencia Ekzekutive për Bullgarët Jashtë Vendit (IABJ) në rrjetet sociale.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski