Autor
Diana Cankova
Artikull
Dr. Tota Venkova, monument për gruan e parë bullgare me diplomë në mjekësi
Enjte 23 Korrik 2026 07:00
Enjte, 23 Korrik 2026, 07:00
Dr.Tota Venkova (1855 – 1921)
FOTO: mbalgabrovo.com
Madhësia e shkronjave
Në kohët e errëta të mungesës së lirisë kishte gra, të cilat jo vetëm ndihmuan në rrëzimin e prangave të robërisë, por me intelektin, arsimin dhe shpirtin e tyre të pathyeshëm dhanë një shembull personal. Dhe kur më në fund Atdheu e ngriti sërish kokën, ato, krah për krah me burrat, nisën rindërtimin e shtetit. Por sot, kur hedhim sytë rreth nesh në kryeqytet, nuk do të gjejmë asnjë monument të ngritur në nder të grave që patën guximin të kapërcenin paragjykimet e kohës dhe me veprat e tyre të linin një gjurmë në kujtesën që do të mbetet përjetësisht.
Një nga këto bullgare të denja quhet Tota Venkova. Ajo lindi në vitin 1855 në Gabrovo dhe u bë bashkatdhetarja e parë bullgare me diplomë mjekësie. Më 8 mars të këtij viti, kur shënohet Dita Ndërkombëtare e Gruas, organizata e grave e partisë "Shpëtoni Sofjen" doli me iniciativën për t’i ngritur asaj një monument në qytet.
"Gjithçka filloi me një ndërgjegjësim domethënës se në kryeqytetin tonë nuk ka as edhe një monument të një figure historike femërore – thotë Tanja Peneva nga "Shpëtoni Sofjen". – Pasi bëmë një hulumtim, rezultoi se gjatë viteve të fundit janë nisur disa iniciativa të ngjashme, por asnjëra nuk është realizuar. Do të doja të theksoja se kjo nuk është vetëm çështje e barazisë mes grave dhe burrave, por e njohjes së drejtë të njerëzve që ndër vite kanë ndryshuar Bullgarinë. Ka shumë gra, veprat e të cilave kanë mbetur në hije, por është e rëndësishme që emrat e tyre të jenë të pranishëm në historinë tonë dhe në qytetin tonë. Kjo nuk do të thotë se ato nuk kanë pasur një kontribut të rëndësishëm, por se nuk kanë qenë në qendër të vëmendjes. Pikërisht për këtë vendosëm ta korrigjojmë këtë mungesë."
Tanja Peneva dhe Severina Giçeva në studion e Radio Bullgarisë
FOTO: Diana Cankova
Po kush është kjo bullgare, monumenti i së cilës mund të nisë një proces nderimi të vonuar – aq më tepër që ideja e grave të "Shpëtoni Sofjen" është që çdo vit të propozojnë nga një personalitet të denjë, i cili ta materializojë praninë e tij historike edhe mes nesh?
"Dr. Tota Venkova mbeti jetime që në moshë të vogël dhe u rrit nga familja e motrës së saj – tregon Severina Giçeva nga organizata e grave e "Shpëtoni Sofjen". – Me ndihmën e një burse përfundoi me rezultate të shkëlqyera shkollën e vajzave dhe u bë mësuese. Gjatë Luftës Ruso-Turke për Çlirimin (1877–1878) ishte motër vullnetare në spitalin ushtarak. Pikërisht atje vendosi t'ia kushtonte jetën kujdesit për njerëzit në nevojë. Studioi mjekësi me rezultate të shkëlqyera në Shën Petersburg, sërish falë një burse. Gjatë studimeve u përball me probleme serioze shëndetësore, por pavarësisht kësaj nuk u dorëzua. U specializua në mjekësi të brendshme dhe pediatri, ndërsa më vonë mori një specializim të dytë në Vjenë për obstetrikë dhe gjinekologji. U kthye në Sofje dhe jo vetëm ushtroi profesionin e mjekes, por e shndërroi atë në misionin e saj, duke hapur një këshillimore falas në shtëpinë e vet, ku strehoi gra të varfra dhe të braktisura. Mori pjesë gjithashtu në themelimin e kurseve të para të mamive pranë Kryqit të Kuq dhe dha mësim në to, duke kontribuar në zhvillimin e sistemit shëndetësor. Punoi edhe si mjeke shkollore, duke treguar përkushtim ndaj shëndetit të fëmijëve dhe parandalimit të sëmundjeve. Pavarësisht sprovave që hasi gjatë jetës, si në aspektin shëndetësor ashtu edhe në atë personal, nuk hoqi dorë nga profesioni dhe vazhdoi t'u ndihmonte njerëzve deri në fund të jetës së saj. Dhe meqenëse nuk krijoi familje, në testament la të gjithë pasurinë e saj popullit bullgar. Kjo qëndrueshmëri dhe përkushtim ndaj njerëzve janë shembull i detyrës së saj shoqërore, etikës mjekësore dhe humanizmit të saj."
Dr. Tota Venkova
FOTO: gabrovo.bg
Por nga vinte ky shpirt i pathyeshëm, që e kaliti që në fëmijëri dhe e shndërroi në një bamirëse dhe mbrojtëse të njerëzve?
"Te dr. Tota Venkova nuk ka ndonjë sekret romantik të forcës femërore, por më tepër kemi të bëjmë me një karakter të formuar në kushte shumë të vështira – përgjigjet Tanja Peneva. – Humbja e hershme e familjes e detyroi të piqej shpejt dhe të mbështetej te vetja, gjë që në atë kohë për një grua ishte edhe më e vështirë sesa mund ta përfytyrojmë sot. Por në vend që të pranonte kufizimet e epokës, ajo zgjodhi të kundërtën dhe përmes arsimit dhe profesionit – atëherë të paimagjinueshëm për një grua – arriti të ndërtohej si një personalitet jashtëzakonisht i fortë. Kjo tregon se ajo kishte një ndjenjë të qartë të drejtimit dhe ky drejtim ishte detyra ndaj njerëzve të pambrojtur, sidomos grave dhe fëmijëve. Sipas meje, çelësi është se ajo nuk u përqendrua te vetja, por te njerëzit që kishin nevojë për ndihmë. Prandaj nuk bëhet fjalë për një forcë magjike femërore, por për forcën e një karakteri që ka një mision në jetë dhe dëshiron ta përmbushë atë."
"Për ne ishte e rëndësishme që kjo iniciativë të mos ishte thjesht një akt administrativ, por të përcillte mesazhin e saj, sepse dr. Tota Venkova është shembull i një gruaje që theu barrierat në një profesion krejtësisht mashkullor në atë kohë dhe ia kushtoi jetën kujdesit për njerëzit", shton Severina Giçeva.
Ideja për ngritjen e një monumenti për gruan e parë me diplomë mjekësie në Bullgari ende nuk është paraqitur në Këshillin Bashkiak të Sofjes, por megjithatë tashmë po diskutohet një vend i mundshëm, ku figura madhështore e dr. Tota Venkovës të bëhet pjesë e peizazhit urban.
Pllakë përkujtimore e Dr. Tota Venkovës në shtëpinë e saj në rrugën Solunska në Sofje
FOTO: gabrovo.bg
Fatkeqësisht, ende mbetet i gjallë shembulli i monumentit të pakrijuar të kryebashkiakut më të suksesshëm të Sofjes, inxhinier Ivan Ivanov, ndaj nuk do të ishte çudi nëse do të kishte një tjetër zvarritje të gjatë në kohë.
"Një mosrealizim i tillë do të ishte një sinjal jashtëzakonisht i keq jo vetëm për këtë iniciativë, por në përgjithësi për mënyrën se si qyteti e trajton historinë e vet, sepse idetë e rëndësishme nuk duhet të humbasin në procedurat administrative dhe në mosveprimin politik – është kategorike Tanja Peneva. – Monumenti i Ivan Ivanovit është bllokuar prej vitesh, sepse nuk mund të merret një vendim thjesht politik dhe urbanistik. Shpresoj që e njëjta gjë të mos ndodhë edhe me propozimin tonë dhe që dr. Tota Venkova të mos mbetet thjesht një tjetër emër, të cilin të gjithë e respektojmë me fjalë, por në fund të mos gjendet vullneti për ta nderuar me një veprim të vërtetë. Me fjalë, e dimë, të gjithë jemi të fortë."
Gratë e sotme, por pse jo edhe burrat, mund të mësojnë shumë nga historia e kësaj bullgareje të shquar. Mësimi kryesor është se si të krijojmë një mision në jetë dhe t'u shërbejmë jo vetëm vetes, por edhe atyre që kanë nevojë për një dorë të shtrirë.
"Mësimi më i madh nga jeta e dr. Tota Venkovës është se suksesi ka kuptim vetëm kur lidhet me kontributin për të tjerët – thotë në përfundim Severina Giçeva. – Ajo nuk i përdori njohuritë e saj vetëm për realizim personal, por i shndërroi ato në një mjet për të ndryshuar shoqërinë. Sot jetojmë në një kohë krejt tjetër, por nevoja për njerëz me një kauzë mbetet po aq e madhe dhe secili prej nesh mund të kontribuojë përmes profesionit, vullnetarizmit, angazhimit qytetar ose edhe me akte të vetme mirësie. Historia e saj na kujton se trashëgimia e vërtetë nuk matet me sukseset personale, por me atë që lëmë pas nesh."
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski
Publikoi / Publikuan: Sindi Nikollofski