Autor
Cvetana Tonçeva
Artikull
"Dilmano, Dilbero" – ngacmimi plot humor i dashurisë në folklorin e Shopllukut
Premte 24 Korrik 2026 07:00
Premte, 24 Korrik 2026, 07:00
FOTO: Arkiv
Madhësia e shkronjave
Dekada më parë në Bullgari qarkullonte një anekdotë, e cila thoshte me shaka se Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore (sot Ansambli Kombëtar Folklorik "Filip Kutev") ndoshta nuk do t’i lejohej më të bënte turne nëpër botë. Në pyetjen: "Pse?", përgjigjja ishte: "Sepse kanë zbuluar një sekret shtetëror: si mbillet speci." Shkaku ishte popullariteti i jashtëzakonshëm i këngës humoristike nga Shoplluku "Dilmano, Dilbero", e cila u shndërrua në një hit të vërtetë në versionin koral të repertorit të Ansamblit. Origjinali ka qenë pjesë e ritualit tradicional të dasmës në Shoplluk dhe këndohej gjatë natës së parë martesore, ndërsa "mbjellja e specit" është metaforë për atë që duhet të ndodhë mes nuses dhe dhëndrit. "Si mbillet speci" është një valle e lashtë rituale bullgare me karakter erotik, që imiton procesin bujqësor të mbjelljes. Në këtë rit tradicional pranveror-veror dhe dasmor, përmes lëvizjeve dhe këngës paraqitet akti i dashurisë. E interpretuar nga burrat si pjesë e zakoneve popullore të dasmës ose të mbrëmjeve tradicionale, sipas besimeve popullore ajo nuk është thjesht një shfaqje, por një rit i veçantë magjik për shëndet, pjellori dhe vazhdimësinë e fisit.
Kënga popullore "Dilmano, Dilbero" u bë e njohur fillimisht në interpretimin e këngëtares Vasillka Petkova, e lindur në vitin 1923 në fshatin Jarllovci (sot lagje e qytetit Dragoman), pranë kufirit perëndimor të Bullgarisë. Familja e Vasillkës kishte tradita në këngën popullore. Gjyshja dhe babai i saj ishin të njohur për zërat e tyre të bukur. Duke trashëguar një talent të rrallë, në moshën 17-vjeçare Vasillka kishte tashmë një repertor të pasur këngësh popullore. "Dilmano, Dilbero" e mësoi nga gjyshi i saj, ndërsa interpretimet e saj të para në Radio Sofje datojnë në vitin 1949.
Vasillka Petkova (1923 – 2014)
FOTO: Arkiv
Në vitet 1950 kënga u vu re nga Ivan Kavallxhiev (1891–1959) – studiues i folklorit, drejtues ansamblesh të muzikës popullore, dirigjent dhe kompozitor. Pasi e kishte filluar karrierën si violinist në orkestrën e Operës së Sofjes, në vitet 1930 ai iu përkushtua folklorit bullgar. Drejtoi grupe të vogla të këngëve popullore pranë Radios Sofje, si edhe ansamblet "Rosna Kitka" (ansambli i parë i valleve për fëmijë në Bullgari, i krijuar në vitin 1946 si kor fëmijësh pranë Radios Kombëtare Bullgare) dhe "Hajdushka Pesen". Ai mblodhi dhe notoi mbi 3000 këngë popullore bullgare. Në vitin 1951, së bashku me Filip Kutev dhe Margarita Dikova, Kavallxhiev ishte ndër themeluesit e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore. Në librin e saj me kujtime "Besimi im. Gjysmë shekulli në Ansamblin 'Filip Kutev'", Maria Kuteva kujton:
Ivan Kavallxhiev (1891–1959)
FOTO: Agjencia Shtetërore "Arkiva"
"Dirigjent i orkestrës ishte Ivan Kavallxhiev, të cilin të gjithë me shumë përzemërsi e thërrisnin 'Baj Ivan'... Kishte punuar me grupe të vogla, përfshirë edhe 'Rosna Kitka' pranë Radios Sofje. Praktik. Kishte përfunduar vetëm arsimin fillor, por kishte përvojë të madhe në komunikimin me interpretuesit popullorë dhe ishte shumë i aftë në regjistrimin me dëgjim të muzikës popullore. U emërua më 1 shkurt 1951. Nuk qëndroi gjatë në Ansambël – u largua në vitin 1953. Por gjatë kohës që punoi, ia doli me mënyrën e tij të drejtpërdrejtë dhe simpatike të përballonte të gjithë ata muzikantë – secili me zakonet dhe pikëpamjet e veta. Sigurisht që nuk e pati të lehtë – vetëm disa prej tyre dinin notat muzikore. Gjatë kësaj kohe shkroi edhe disa vepra për repertorin: muzikën për 'Shaminë e Dasmës', veçmas 'Suitën e Dasmës' për interpretim orkestral, si edhe këngën 'Dilmano, Dilbero' për kor dhe orkestër, e cila edhe sot nuk largohet nga skena..."
Që nga mesi i shekullit të kaluar e deri më sot, shpesh shtrohet pyetja për kuptimin e fjalëve të titullit "Dilmano, Dilbero" – fjalë dukshëm të vjetra, kuptimi i të cilave është humbur me kalimin e kohës. Konsiderohet se studiuesja e parë bullgare që gjeti një shpjegim të pranueshëm për shprehjen "Dilmano, Dilbero" ishte Desisllava Petkova. Në punimin e saj të diplomës për indologji, të botuar në vitin 2009, Petkova shpjegoi se në gjuhën hindi Dilmana do të thotë "shoqe", ndërsa Dilbera do të thotë "e dashur". Kolegët e saj pohojnë se në fakt në hindi dil mānnā do të thotë "e gatshme të kënaqë dëshirat", ndërsa dil-bar vërtet do të thotë "e dashur". Nëse përkthimi i lirë i Desisllava Petkovës nga gjuha hindi është i saktë, ai sigurisht është shumë pranë kuptimit të shprehjes "Dilmano, Dilbero" në këngën bullgare. Atëherë teksti bëhet plotësisht i kuptueshëm: "E dashura ime, e dashura e zemrës, ti që je e gatshme të plotësosh dëshirat e mia, më thuaj si... mbillet speci!"
E gjallë dhe plot pasion, "Dilmano, Dilbero" ka frymëzuar shumë kompozitorë bullgarë, ndër ta edhe Panço Vlladigerov. Muzikantë të shquar bullgarë e kanë përdorur dhe vazhdojnë ta përdorin si temë për variacione virtuozistike.
Megjithatë, hiti i pavdekshëm më i dashur dhe më i interpretuar mbetet versioni a cappella i kompozitorit të madh Krasimir Kjurkçijski.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski
Publikoi / Publikuan: Sindi Nikollofski