KULTURË

Artikull

Almanaku "Gjerdani Besarabian" rrëfen për shpërnguljen e bullgarëve në Brazil

Bullgarët në Taraklia e ruajnë gjuhën amtare prej 200 vitesh dhe u japin hapësirë krijuesve të diasporës

Dielë, 26 Korrik 2026, 09:00

Almanaku "Gjerdani Besarabian" rrëfen për shpërnguljen e bullgarëve në Brazil

FOTO: Fondacioni "Shpirti Bullgar"

Madhësia e shkronjave

Për të shtatin vit radhazi, bullgarët në rajonin Taraklia të Moldavisë botojnë almanakun me titull "Gjerdani Besarabian". Me të, bashkatdhetarët tanë, që u larguan nga trojet tona para dy shekujsh, jo vetëm dëshmojnë dashurinë e tyre për atdheun, por tregojnë edhe kujdesin për ruajtjen e gjuhës bullgare dhe të kujtesës kombëtare.

Mbledhja në një vëllim letrar e krijimeve të poetëve, shkrimtarëve dhe përkthyesve nga Besarabia dhe diaspora bullgare në Moldavi, Ukrainë dhe Rusi është dëshmi se përfaqësuesit e komunitetit janë të aftë të ndërtojnë një urë mes brezave, duke botuar një libër me veprat e tyre. Në fillim ai kishte vetëm "njëqind faqe", ndërsa tekstet në almanakun më të fundit zënë afro gjashtëqind faqe. Veprat janë shkruar në gjuhën bullgare, gagauze, shqipe, rumune, ukrainase dhe ruse – të gjitha gjuhë që dëgjohen në atë krahinë. Botimi është realizuar me mbështetjen e fondacionit "Shpirti Bullgar".

Oleg Kosih

Oleg Kosih

FOTO: Fondacioni "Shpirti Bullgar"

"Ne i kushtojmë rëndësi të madhe gjuhës bullgare, sepse jemi bullgarë besarabë dhe për ne është e rëndësishme të ketë autorë që shkruajnë në gjuhën amtare – thotë Oleg Kosih, kryetar i fondacionit. – Përmbajtja e almanakut është e larmishme. Kemi poezi, pjesë teatrore, por personalisht më pëlqen më shumë të lexoj kujtime për historinë e familjeve, për traditat, për shembull ato të dasmave – si kanë qenë dikur në fshatrat tona. Meqenëse jetojmë në një botë të urbanizuar dhe gjërat e vjetra po zhduken gradualisht, ne duam që ato të fiksohen në fjalën e shtypur. Mendojmë se almanaku është vendi i duhur që ato të mbeten në përjetësi, të përshkruara në letër."

Oleg Kosih kthehet në fillimet e nismës, duke kujtuar një fjali të prof. Elena Nallbantova, e cila gjithë jetën është marrë me letërsinë bullgare: "Mendoj se tek ju në Besarabi gjuha bullgare po zhduket." Atëherë ai vendos të krijojë një platformë ku autorët nga diaspora të botojnë veprat e tyre. Ekipi që qëndron pas kësaj nisme punon pa përfitim, ndërsa paratë e mbledhura shkojnë për shtypshkronjën. Më pas almanaku u dhurohet qendrave kulturore, shkollave dhe organizatave.

Almanaku "Gjerdani Besarabian" rrëfen për shpërnguljen e bullgarëve në Brazil

FOTO: Fondacioni "Shpirti Bullgar"

"Për ne është e rëndësishme që këta libra të arrijnë te sa më shumë njerëz – thekson Oleg Kosih për Radio Bullgarinë. – Pas pesë, dhjetë apo njëzet vjetësh dikush do të hyjë në qendrën kulturore, do ta shohë librin, do ta hapë dhe do të lexojë se çfarë kemi përjetuar në atë kohë, për çfarë kemi menduar dhe çfarë kemi ëndërruar. E kuptoj që kjo ide ndoshta nuk është e kuptueshme për të gjithë, por për një shtresë të caktuar njerëzish është e rëndësishme të ruhet fjala e shtypur në gjuhën amtare këtu."

Theksi i botimit të shtatë të "Gjerdanit Besarabian" do të jetë emigrimi i bullgarëve besarabian në Brazil – një faqe pak e njohur, por e rëndësishme historike, e cila nisi me shpresë dhe përfundoi me një ëndërr të parealizuar. Pasi mbërritën në kontinentin e Amerikës së Jugut, ata u detyruan ta paguanin dëshirën e tyre për një jetë të re me dy vjet punë të detyruar, për të kthyer shpenzimet që pronarët brazilianë të tokave kishin bërë për shpërnguljen e tyre.

"Në vitin 1924 filloi një fushatë e madhe për shpërnguljen e njerëzve tanë në Brazil – tregon Oleg Kosih. – Duke qenë se u premtonin thuajse parajsën mbi tokë, dhjetëra mijëra njerëz besuan. Ata shitën pasurinë e tyre, lanë pas emocionet dhe u nisën. Për më shumë se një muaj jetuan bashkë me fëmijët nën kuvertën e anijes, vuajtën dhe disa prej tyre humbën jetën. Kur mbërritën, u vendosën në karantinë. Shumë njerëz vdiqën, sepse klima atje ishte krejt tjetër. Shumica e pionierëve u vendosën në xhungël, ku fillimisht u desh të pastronin tokën. Me kalimin e kohës e kuptuan se nuk do të përparonin me punën bujqësore dhe u shpërngulën në qytete. Problemi kryesor ishte se ata ishin banorë fshatrash me pak arsim dhe brezi i dytë e i tretë pas tyre u asimiluan. Sot ka njerëz me mbiemra bullgarë – mjekë, inxhinierë – por ata as nuk e dinë se janë me origjinë bullgare, sepse paraardhësit e tyre u larguan me dokumente rumune dhe askush prej tyre nuk flet bullgarisht."

Bullgarët besarabë në Brazil

Bullgarët besarabë në Brazil

FOTO: infraestruturameioambiente.sp.gov.br


Vetë Oleg Kosih, disa vite më parë, gjeti një të afërm të tij në Brazil. Dikur nuk e besonte rrëfimin e gjyshes se të afërmit e saj kishin ndërmarrë atë udhëtim të largët, por pesë breza më vonë ai u lidh me Konstantinin pasi shqyrtuan pemën gjenealogjike. Që nga viti 1984 në São Paulo ekziston Shoqata Kulturore e Bullgarëve në Brazil. Në të, pasardhësit e bullgarëve besarabian, të ardhur para Luftës së Dytë Botërore, festojnë festat kombëtare bullgare, hulumtojnë rrënjët dhe historinë e tyre, megjithëse nuk e zotërojnë gjuhën bullgare.

Duke shfletuar faqet e almanakut "Gjerdani Besarabian", secili mund të gjejë një temë që ta çojë në të kaluarën, ta bëjë të ndihet pjesë e komunitetit, madje edhe ta bëjë të qeshë, ashtu siç i ndodhi Oleg Kosihit.

Almanaku "Gjerdani Besarabian" rrëfen për shpërnguljen e bullgarëve në Brazil

FOTO: Fondacioni "Shpirti Bullgar"

"Qesha dhe nuk u besoja syve, sepse autori kishte përshkruar nofkat më të ndryshme të rrugës dhe madje shpjegonte edhe prej nga kishin ardhur – shton ai. – Atëherë m'u kujtua nofka e fisit tim. Kur isha fëmijë, ecje në rrugë dhe ndonjë i moshuar nuk të pyeste si quheshe, por të thërriste: 'Ti i kujt je?'. Ti i tregoje nofkën e fisit tënd dhe ai vazhdonte: 'Aha, gjyshi yt Ivan, gjyshja jote Ana...'. Pikërisht kjo më preku mua personalisht, por dikush tjetër mund të preket nga ndonjë traditë. Kemi autorë që përdorin dialektet besarabiane të gjuhës bullgare dhe për këta njerëz është shumë e rëndësishme ta lexojnë tekstin dhe të kujtojnë se si flisnin gjyshërit e tyre."

Almanaku i këtij viti tashmë ka dalë nga shtypshkronja dhe Oleg Kosih shpreson që së shpejti ta shfletojmë edhe në Bullgari. Ndërkohë ai shpreh kënaqësinë që në të ka edhe autorë nga vendi ynë, si edhe që shumë njerëz në Bullgari interesohen për "Gjerdanin Besarabian". "Në Bullgari habiten sinqerisht që ne këtu e kemi ruajtur gjuhën bullgare, duke jetuar në një mjedis me gjuhë të huaj për 200 vjet. Meqenëse duan të mësojnë më shumë për ne, ky almanak ua jep këtë mundësi dhe kjo më gëzon shumë", thotë ai në përfundim.


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski