Artikull
Festivali “Shtegu i Pashkelur” me muzikë të re në skena të reja në Bullgari
Dielë 26 Korrik 2026 07:00
Dielë, 26 Korrik 2026, 07:00
FOTO: neo-path.com
Madhësia e shkronjave
Këtë vit, edicioni i tetë i festivalit tërheqës të muzikës së dhomës “Shtegu i Pashkelur” (Off the Beaten Path), i krijuar nga muzikantë të shquar bullgarë që jetojnë dhe punojnë në SHBA, do të zhvillohet nga 29 korriku deri më 8 gusht në pesë vendbanime të vogla në vend – Kovaçevica, Dobrinishte, Goce Dellçev, Trojan dhe Kërpaçevo.
FOTO: Facebook/ Shtegu u Pashkelur: muzikë dhome
Gjatë shtatë edicioneve të
fundit, organizatorët kanë mbledhur interpretues të njohur bullgarë dhe të huaj
dhe kanë prezantuar vepra të muzikës së dhomës në skena jo tradicionale në
rajone të ndryshme të Bullgarisë. Shtëpia e festivalit është qendra kulturore
“Svetlina” në fshatin e njohur të Rodopeve, Kovaçevica, por programi për vitin
2026 përfshin edhe dy koncerte në Bullgarinë Jugperëndimore – në Goce Dellçev
dhe Dobrinishte – si dhe tri ngjarje në Bullgarinë Veriore: në Kërpaçevo dhe
Trojan, ku më 6 gusht “Shtegu i Pashkelur” do të jetë për herë të parë mysafir.
FOTO: Facebook/ Shtegu u Pashkelur: muzikë dhome
Në qendër të programit janë premierat e veprave të reja të kompozitorëve David Ludwig – dekan dhe drejtues i Departamentit të Kompozicionit në shkollën prestigjioze muzikore “Juilliard School” në Nju Jork, Penka Kuneva – kompozitorja bullgare më e suksesshme në Holivud dhe fituese e çmimit “Grammy”, si dhe Petër Kerkellov – docent dhe drejtues i Departamentit të Kompozicionit në Akademinë Kombëtare të Muzikës “Panço Vlladigerov” në Sofje.
FOTO: Facebook/ Shtegu u Pashkelur: muzikë dhome
Në Kovaçevica nis gjithashtu një program i ri rezidencial për kompozitorë shumë të rinj, të cilët do të kenë mundësinë të punojnë me tre kolegët e tyre të shquar. Vazhdon edhe bashkëpunimi i festivalit me kompozitoren e njohur Dobrinka Tabakova, veprat e së cilës do të interpretohen në skena të reja.
Mes pjesëmarrësve në “Shtegu i Pashkelur” këtë verë janë instrumentistë të shquar: violinistët Bella Hristova, Nikolla Takov dhe Georgi Vëllçev, pianistja Llora Çekoratova, mezzosopranoja Mariana Kërpatova, klarinetistja Karin Dornbusch, violonçelisti Aleksandër Somov, flautisti Mark Sparks dhe violisti Boris Tonkov.
Përpiloi: Cvetana Tonçeva
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva