KULTURË

Artikull

Inovacion – regjistrim tredimensional i valles tradicionale bullgare horo

Shkencëtarët nga Instituti i Etnologjisë dhe Folkloristikës pranë Akademisë Bullgare të Shkencave po e ruajnë traditën e vallëzimit folklorik bullgar me ndihmën e sensorëve modernë

Shtunë, 25 Korrik 2026, 09:00

Inovacion – regjistrim tredimensional i valles tradicionale bullgare horo

FOTO: Gergana Mançeva

Madhësia e shkronjave

Jo më në shirit filmi, por tashmë edhe si një vizualizim i detajuar tredimensional, vallja bullgare horo hyn në katalogun e objekteve të filmuara së fundmi nga një ekip specialistësh bullgarë. Regjistrimi i valltarëve të horos me sensorë precizë është një inovacion në shkallë botërore dhe realizohet falë një projekti të fituar në kuadër të Planit Kombëtar për Rimëkëmbje dhe Qëndrueshmëri nga Instituti i Etnologjisë dhe Folkloristikës me Muzeun Etnografik pranë Akademisë Bullgare të Shkencave (IEFEM-BAN).

Vallja popullore bullgare horo është një valle kolektive që ka ruajtur frymën bullgare ndër shekuj. Ajo mbart një forcë të madhe, simbolikë të shenjtë dhe madje energji shëruese – disa e quajnë "joga bullgare", sepse lëvizjet dhe muzika e saj e tonifikojnë trupin, largojnë lodhjen dhe sjellin gëzim. Më së shpeshti ajo luhet në një rreth ose gjysmërreth të mbyllur, gjë që simbolizon diellin, përjetësinë, mungesën e fillimit dhe të fundit, si edhe mbrojtjen e bashkësisë nga forcat e liga. Valltarët kapen për dore ose për brez, gjë që i afron njerëzit dhe, të përfshirë nga ritmi dhe hapat e përbashkët, ata bëhen një i vetëm. Bullgaria ndahet në rajone të ndryshme folklorike, secili prej të cilëve ka hapat dhe vallet e veta karakteristike për festa dhe rite të ndryshme, të cilat janë objekt studimi për etnografët. Megjithatë, shpopullimi i vendbanimeve të vogla e bën të pamundur trashëgiminë natyrore të këtyre lëvizjeve të vallëzimit, prandaj folkloristët janë të detyruar të zhvillojnë metoda inovative për regjistrimin dhe ruajtjen e tyre me kalimin e kohës.

"Të dhëna 3D për trashëgiminë kulturore përmes digjitalizimit tredimensional, të automatizuar dhe të bazuar shkencërisht" – kështu e kanë titulluar në mënyrë të përgjithshme punën e tyre shkencëtarët. Gjatë demonstrimit të parë publik të drejtpërdrejtë të sistemit të regjistrimit të të dhënave u bë e qartë se janë përdorur sensorë inercialë për kapjen e lëvizjes, të cilët mundësojnë digjitalizimin e valles zinxhirore (horo) në format 3D dhe krijimin e avatarëve valltarë – deri në shtatë personazhe njëkohësisht. Në eksperiment është përfshirë edhe një dorezë me sensorë, e cila mundëson të njëjtin lloj digjitalizimi edhe për lëvizjet e dorës së muzikantit që luan dhe shoqëron vallen.

Ndër risitë e përdorura është edhe një prototip sistemi për digjitalizimin 3D të të dhënave hapësinore-kohore të lëvizjes, i bazuar në teknologjinë IoT (Interneti i Gjërave) – teknologji që u mundëson pajisjeve shtëpiake të komunikojnë me njëra-tjetrën përmes internetit në kohë reale. E njëjta metodologji për kapjen dhe regjistrimin e lëvizjeve me sensorë mund të zbatohet edhe për dokumentimin e çdo veprimtarie njerëzore që paraqet interes për shkencën. Për shembull, lëvizjet e zejtarëve, regjistrimin e punës në çdo praktikë bujqësore ose lëvizjet e gishtërinjve mbi instrumentet muzikore. Dhe nëse deri këtu ideja e shkencëtarëve të Akademisë Bullgare të Shkencave tingëllon ende jo plotësisht e qartë, takimi me iniciatorin e projektit, asistentin kryesor Ivajllo Përvanov, sjell më shumë detaje mbi temën.

Ivajllo Përvanov

Ivajllo Përvanov

FOTO: Gergana Mançeva

"Ajo që arritëm të bëjmë në të vërtetë ishte një fazë pilot, në të cilën të zhvillonim metodologjinë dhe të krijonim një prototip të një sistemi të plotë informativ për digjitalizimin 3D të praktikave kulturore të lëvizjes. Ne dokumentojmë mënyrën se si lëvizin këta njerëz dhe këtë njohuri specifike që ata kanë ruajtur. Sepse të rinjtë e sotëm nuk lëvizin më në këtë mënyrë. Edhe pse që nga fillimi i shekullit të kaluar flitet se kultura tradicionale po zhduket dhe se duhet të shkohet me ngulm nëpër fshatra për të regjistruar këngët, vallet dhe horot, sot ato vazhdojnë të kenë gjithnjë e më pak funksione. Në praktikë, qytetërimi po e vret kulturën. Ndërsa kultura është norma që vendos bashkësia. Në fakt, ne po e humbasim këtë normativitet të vjetër, ndërsa unë personalisht nuk shoh ndonjë normativitet në shoqërinë tonë bashkëkohore. Për fatin tim të madh, ende ekzistojnë grupe njerëzish që janë ruajtës të kësaj dijeje dhe të këtyre aftësive. Njerëzit për të cilët flas janë jashtëzakonisht të mençur, kanë moral shumë të lartë dhe gjërat e rëndësishme në jetë për ta janë të ndryshme nga ato moderne. Shpresoj fort që në të ardhmen gjithnjë e më shumë do t'u drejtohemi dokumenteve dhe arkivave të ruajtura dhe do të kërkojmë mbështetje te normat e vjetra. Shpresoj shumë që një ditë ajo që kemi ruajtur ne të kërkohet, të rikthehet në jetë dhe të jetë në dobi të shumë më tepër njerëzve." Kështu shpjegon doktori i etnokoreologjisë Ivajllo Përvanov nga IEFEM-BAN.

Inovacion – regjistrim tredimensional i valles tradicionale bullgare horo

FOTO: BTA

Me profesion inxhinier, dr. Përvanov është pedagog i valleve popullore në një ansambël vallesh për fëmijë dhe, që kur mban mend, merret me formën skenike të interpretimit të folklorit bullgar. Pikërisht prej aty lindi edhe ideja që t'u përkushtohej kërkimeve shkencore mbi folklorin e valleve të popullit bullgar. Por projekti për studimin e trashëgimisë kulturore përmes digjitalizimit tredimensional të bazuar shkencërisht është aq kompleks, sa kërkon pjesëmarrjen e një ekipi multidisiplinar. Për të gjithë është e qartë se me këtë hap të parë ekipi i Institutit të Etnologjisë dhe Folkloristikës do të ndihmojë edhe kërkime të tjera shkencore në fushën e robotikës, biomekanikës, shkencave të sportit, si edhe për nevojat e muzeologjisë, arsimit dhe shëndetit publik – shton dr. Ivajllo Përvanov. Ai përshkruan edhe fazat nëpër të cilat ka kaluar puna dyvjeçare e projektit.

Inovacion – regjistrim tredimensional i valles tradicionale bullgare horo

FOTO: BTA

Dr. Ivajllo Përvanov u shpreh mirënjohës ndaj të gjithë atyre që ndihmuan në suksesin e këtij projekti inovativ. "Këtë vit Muzeu Kombëtar Etnografik feston 120-vjetorin e tij, kështu që pranë IEFEM-BAN tashmë është ndërtuar një besim i veçantë. Ne kemi traditë, studiuesit tanë punojnë në terren dhe njihen nga njerëzit." – tha dr. Ivajllo Përvanov në një intervistë për Radio Bullgarinë.

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski