Hënë 27 Korrik 2026 17:00
Hënë, 27 Korrik 2026, 17:00
FOTO: Pixabay
Madhësia e shkronjave
Pesë muaj para fundit të vitit, parlamenti bullgar miratoi buxhetin e shtetit vetëm me votat e partisë në pushtet "Bullgaria Progresive". Ai duhet të hyjë në fuqi më 1 gusht. Projektbuxheti parashikon një deficit të paprecedentë në vlerën 7,2 miliardë euro.
Në Buxhetin 2026 janë parashikuar të ardhura dhe shpenzime rekord, por mbetet një mungesë prej 7,2 miliardë eurosh. Për këtë arsye parlamenti dha mundësinë që të merret një borxh i ri në shumën totale prej 10,1 miliardë eurosh, gjë që, nëse realizohet, do ta çojë borxhin publik në 37,7 miliardë euro. Në këtë shumë përfshihet edhe një hua deri në 3,261 miliardë euro sipas instrumentit evropian të sigurisë (SAFE), e destinuar për forcimin e industrisë së mbrojtjes së Bullgarisë.
Qeveria e fundit e rregullt e Rosen Zheljazkov gjithashtu planifikonte të merrte hua për të mbuluar deficitin në të njëjtin buxhet – për vitin 2026, por kjo shkaktoi protesta me dhjetëra mijëra pjesëmarrës kundër niveleve të larta të borxhit dhe shqetësimeve për rritjen e borxhit publik. Protestuesit druheshin se kjo do të rriste barrën financiare mbi qytetarët në të ardhmen – megjithëse deficiti i parashikuar prej tij ishte 3%. Buxheti shtetëror i miratuar nga qeveria e Rumen Radev është me deficit 5,7% – dukshëm mbi llogaritjet fillestare të qeverisë së Zheljazkov.
Vlladisllav Panev
FOTO: BGNES
"Në vitet e fundit deficiti prej 3% filloi të konsiderohej si normal. Tani qeverisësit propozojnë 5,7%, gjë që është një politikë jashtëzakonisht e dëmshme në një kohë kur ekonomia megjithatë po rritet. Kjo do të thotë inflacion më i lartë, zhvlerësim i kursimeve, norma më të larta interesi dhe rritje e borxhit shtetëror. Sipas logjikës ekonomike, deficitet më të mëdha buxhetore janë të justifikuara në periudha krize ekonomike, e jo gjatë rritjes ekonomike, sepse më pas 'mbetesh pa municion', kur të vijë kriza" – komentoi për BNR – Radio Pllovdiv deputeti Vlladisllav Panev, i cili shpjegoi se grupi parlamentar i "Bullgarisë Demokratike" kishte paraqitur një propozim për uljen e shpenzimeve me rreth 2,7 miliardë euro, gjë që mund të kishte lejuar uljen e deficitit në 3%.
Pavarësisht propozimeve të shumta të opozitës si për pjesën e të ardhurave, ashtu edhe për atë të shpenzimeve, asnjë propozim nuk u pranua nga partia në pushtet.
Ky është buxheti i parë i Bullgarisë në euro dhe me të shteti hyri menjëherë në procedurën për deficit të tepruar. Më herët gjatë këtij muaji, Këshilli i BE-së miratoi gjithashtu një rekomandim për vendin tonë, në të cilin përcaktohen plani neto i shpenzimeve dhe afati kohor që duhet të ndiqen për t'i dhënë fund procedurës së deficitit të tepruar të Komisionit Evropian deri në vitin 2029. Shumica qeverisëse pretendon se po i respekton këto rekomandime. Në emisionin "Nedelja 150" në programin "Horizont", kryetari i Komisionit për Politikë Ekonomike, Investime dhe Industri në Kuvendin Popullor, Stefan Bellçev, deklaroi:
Stefan Bellçev
FOTO: BTA
"Ne i kemi vënë vetes objektivin ambicioz që në vitin 2028 deficiti ynë të bjerë në dhe nën 3 për qind, për të respektuar kriteret e Mastrihtit, por këtu dua të theksoj se aktualisht ndodhemi në procedurë për deficit të tepruar dhe, duam apo nuk duam, duhet t'u përmbahemi udhëzimeve të Komisionit Evropian. Kështu që deri më 15 tetor duhet të paraqesim procedura dhe reforma reale që kërkon Komisioni Evropian nga ne."
Në kuadrin afatmesëm, qeverisësit parashikojnë një deficit prej 5,7% të PBB-së në vitin 2026, 3,8% në vitin 2027 dhe 3% në vitin 2028. Megjithatë, ulja e tij nuk shpjegon pse në të njëjtin kuadër është parashikuar që në vitin 2028 borxhi i shtetit të rritet edhe më tej – deri në 35% të prodhimit të brendshëm bruto.
Cilat janë parametrat e buxhetit sipas zërave që prekin drejtpërdrejt qytetarët?
Shpenzimet për personelin mbeten pothuajse në nivelin e vitit të kaluar – 12,4 miliardë euro. Këtë vit nuk do të zbatohen mekanizmat automatikë për rritjen e pagave të ushtarakëve, policëve, mësuesve dhe pedagogëve universitarë, por ato nuk janë shfuqizuar përfundimisht. Megjithatë, pjesa e shpenzimeve për arsimin ulet nga 4,8% në 4,5% të PBB-së, ndërsa deri në vitin 2028 plani është që ato të bien në 3,8% të PBB-së. Pagat e deputetëve mbeten të ngrira për momentin, së bashku me shpërblimet e drejtuesve të komisioneve dhe agjencive të ndryshme, të cilat janë të lidhura me to.
Buxheti shfuqizon formulën për llogaritjen e pagës minimale për vitin 2026, e cila ngrin në 620,20 euro – deri në miratimin e një formule të re. Deri tani ajo përcaktohej si 50% e pagës mesatare bruto, nga e cila varen shumë prej pagesave sociale.
FOTO: BTA
Me ndryshimet në Kodin e Punës ndryshon edhe mënyra e llogaritjes së vjetërsisë në punë për personat që punojnë me kontratë pune: ajo do të llogaritet në bazë të orëve të punuara realisht. Menjëherë pas miratimit të këtyre ndryshimeve, megjithatë, sindikatat (KNSB) i bënë thirrje Avokates së Popullit, Velisllava Dellçeva, që t'i kundërshtojë në Gjykatën Kushtetuese si mekanizmin për llogaritjen e pagës minimale, ashtu edhe ndryshimin në Kodin e Punës për llogaritjen me orë të vjetërsisë në punë për punën me kohë të pjesshme.
Nuk u miratua propozimi i "Vazhdojmë Ndryshimin" që lehtësimi tatimor për fëmijët në shumën prej 306,78 euro të rritej në 600 euro. U hodhën poshtë edhe propozimet e GERB-it dhe "Vazhdojmë Ndryshimin" për rritjen e bursave të nxënësve, shuma minimale e të cilave prej 21 levash (10 euro) është përcaktuar që në fund të shekullit XX.
Nga 1 gushti tarifat e vinjetave rriten me 30%. Rritet gjithashtu edhe akciza për cigaret, por qeverisësit hodhën poshtë propozimin e "Bullgarisë Demokratike" për rritjen me 50% të taksës mbi lojërat e fatit.
FOTO: Pixabay
Me Buxhetin 2026 hiqet gjithashtu "Programi i Investimeve Komunale", i vendosur nga Asen Vasilev nga "Vazhdojmë Ndryshimin", i cili përfshinte të gjitha projektet e paraqitura nga komunat që ndodheshin në një fazë relativisht të avancuar. Qëllimi i programit ishte që financimi i pushtetit vendor të bëhej sipas rregullave të përbashkëta. Tani problemi rikthen mungesën e transparencës së së kaluarës, pasi ministri i Zhvillimit Rajonal do të vendosë se për cilat projekte komunale do të paguhet nga buxheti.
Buxheti nuk parashikon fonde për ndërtimin e Spitalit Kombëtar të Fëmijëve, i cili ishte ndër prioritetet e shpallura nga qeveria.
Nga formacioni i ish-ministrit të Financave Asen Vasilev – "Vazhdojmë Ndryshimin", i bënë thirrje kreut të shtetit që të vendosë veto dhe t'i kthejë për rishqyrtim në Kuvend Ligjin për Buxhetin e Shtetit, ligjin për buxhetin e Sigurimeve Shoqërore Shtetërore dhe atë për buxhetin e Fondit Kombëtar të Sigurimit Shëndetësor (NZOK). Deri më tani peticioni është mbështetur nga afro 30 000 persona.
Redaktoi: Joan Kolev, bazuar në intervistat e Javor Stamatov dhe Antonija Popova
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski