SHOQËRI

Seksion

Në kufirin e shpresës – fshati bullgar Sallash në veriperëndim të Bullgarisë

Martë, 28 Korrik 2026, 07:05

Në kufirin e shpresës – fshati bullgar Sallash në veriperëndim të Bullgarisë

FOTO: BNR

Madhësia e shkronjave

Sallashi është një fshat piktoresk malor në veriperëndim të Bullgarisë, i vendosur në bashkinë e Bellogradçikut, rreth 3 km në lindje të kufirit me Serbinë. Dikur të gjitha ndërtesat e tij ishin të lehta, të ndërtuara me materiale të thjeshta, ndërsa banorët vendas i quanin "sallashe", prej nga lindi edhe emri i fshatit. Në sheshin qendror ngrihet një monument-çezmë kushtuar banorëve të Sallashit të rënë në Luftën e Parë Botërore, si dhe një tjetër në kujtim të një oficeri të rënë në vitin 1913. Godina e bashkisë është veçanërisht interesante për arkitekturën e saj të pazakontë. Ajo u ndërtua në vitin 1925 sipas një projekti italian dhe në të kaluarën ka shërbyer edhe si Bibliotekë.

Në kufirin e shpresës – fshati bullgar Sallash në veriperëndim të Bullgarisë

FOTO: BNR

Sallashi ka një histori të lashtë dhe një pozicion strategjik

Në të kaluarën, romakët përdornin kalimin malor "Kadë Boaz", ku ndërtuan një rrugë romake që lidhte portet përgjatë Danubit me Nishin dhe Evropën Perëndimore. Arkeologët kanë zbuluar themelet e një stacioni rrugor romak. Gjatë Mesjetës, pranë Sallashit ndodhej një kështjellë dhe rezidenca verore e carit të Vidinit, Ivan Stracimir. Të dhënat e para të shkruara për vendbanimin në zonën e këtij kalimi datojnë që nga viti 1455.

Sot fshati është i vogël, me vetëm 115 banorë të përhershëm, ndërsa në vitin 1934 aty jetonin 1460 banorë. Në atë kohë zhvillohej një jetë e gjallë ekonomike dhe kulturore. Falë mësuesit dhe muzikantit Todor Krëçkov, për shumë vite u mbajtën aktivë kori kishtar, kori laik, si dhe një orkestër e madhe frymore.

Në kufirin e shpresës – fshati bullgar Sallash në veriperëndim të Bullgarisë

FOTO: BNR

Bujqësia nuk është shumë e zhvilluar dhe, sipas banorëve vendas, kulturat që rriten më mirë janë patatet dhe qepa e njomë. Shtëpia e kujdesit për të moshuarit me demencë është punëdhënësi kryesor në fshat, duke siguruar punë për 15 banorë, të cilët kujdesen për 35 pacientë. Në fshat ka edhe një dyqan që funksionon vetëm disa orë në ditë – tregon në reportazhin e saj Nedka Lillkova nga Radioja Kombëtare Bullgare (BNR) Vidin.

Në kufirin e shpresës – fshati bullgar Sallash në veriperëndim të Bullgarisë

FOTO: BNR

Aktualisht po ndërtohet një rrugë e re nga fshati deri në kufirin me Serbinë. Ajo do të sigurojë qasje në vendin ku çdo vit bullgarët dhe serbët takohen në tubimin më të madh ndërkufitar në Ballkan, në qafën malore "Kadë Boaz". Këtë vit, më 19 korrik, për herë të 101-të u pre simbolikisht shiriti kufitar, në mënyrë që për disa orë çdo vizitor i tubimit të mund të kalonte në Serbinë fqinje, ndërsa qytetarët serbë të vizitonin Bullgarinë. Pikërisht aty pritet të ndërtohet edhe pika e re kufitare "Sallash – Novo Korito", e cila do të ketë rëndësi strategjike për rajonin. Ajo do të sigurojë një lidhje më të drejtpërdrejtë nga Deti i Zi drejt Evropës Qendrore, do të lehtësojë ngarkesën në pikat e tjera kufitare dhe do t'i japë një shtysë të fuqishme turizmit dhe lidhjeve ekonomike në Bullgarinë Veriperëndimore. Për ndërtimin e saj janë ndarë rreth 7,5 milionë euro dhe pritet të përfundojë deri në vitin 2028. Kur kjo pikë kufitare të bëhet realitet, banorët e Sallashit do të mund të arrijnë lehtësisht te të afërmit e tyre, të cilët mbetën në territorin e Serbisë pas ndarjes së këtyre trojeve sipas Traktatit të Paqes të vitit 1919.

Për çdo çështje të rëndësishme të jetës së përditshme, banorët e Sallashit mbështeten te përfaqësuesi i kryetarit të bashkisë, Georgi Nikitov, për të cilin ky është mandati i parë dhe i cili punon me përkushtim të madh në ndihmë të banorëve vendas.

Georgi Nikitov

Georgi Nikitov

FOTO: BNR

"Ne vetë pastrojmë shtretërit e lumenjve, pastrojmë edhe varrezat, unë kosis barin, ndërsa banorët më ndihmojnë – tregon përfaqësuesi i kryetarit të bashkisë, Georgi Nikitov. – Mund të them se jemi mjaft të bashkuar. Ka edhe të rinj që përgjigjen gjithmonë kur bëhet fjalë për të mirën e fshatit... Është kënaqësi kur sheh se ka mbështetje dhe frymë bashkëpunimi."

Dy herë në javë në fshat mbërrin një autobus, që banorët ta përdorin nëse kanë punë në qytetin e afërt të Bellogradçikut. Përndryshe, ata mbështeten te makinat e tyre ose te ndihma e të afërmve.

Në kufirin e shpresës – fshati bullgar Sallash në veriperëndim të Bullgarisë

FOTO: BNR

Si është organizuar kujdesi shëndetësor në fshatin ku jetojnë kryesisht të moshuar?

"Çdo të martë vjen një farmaci lëvizëse, ndërsa një herë në muaj vijnë edhe ekipe mjekësore që kryejnë kontrolle parandaluese falas, gjë që është shumë e dobishme për të moshuarit."

Pozicioni i fshatit, në shpatet perëndimore të malit Stara Pllanina, e bën atë një vend "interesant" për kafshët e egra.

"Natën dhe gjatë dimrit, kur bëhen më të uritura, nëpër fshat kalojnë çakej dhe dhelpra. Arinj nuk kemi parë, megjithëse një nga gjuetarët tha se kishte parë gjurmë të një ariu diku lart në pyll", – rrëfen Georgi Nikitov dhe shton se në fshat ka edhe një shoqatë gjuetarësh me 10–15 anëtarë.

Krenaria e Sallashit është Biblioteka "Razvitie 1896". Aktualisht pranë saj është krijuar grupi folklorik i këngëve popullore "Rodni Zvuci" ("Tingujt e Vendlindjes"), i cili ruan dhe prezanton të folurën karakteristike dhe folklorin e këtij fshati. Sekretarja e Bibliotekës, Daniella Ivanova, tregon:

Daniella Ivanova

Daniella Ivanova

FOTO: BNR

"Unë punoj në shtëpinë e kulturës që nga viti 1983. Në vitet e para pranë saj funksiononte edhe një kopsht me shtatëmbëdhjetë fëmijë. Kishte edhe nxënës nga klasa e parë deri në të katërtën, të gjithë në një klasë të përbashkët. I kemi festuar gjithmonë të gjitha festat, organizonim mbrëmje tradicionale dhe edhe sot vazhdojmë të përgatisim kurbane për shëndet dhe begati gjatë gjithë vitit bujqësor."

Kisha ortodokse në Sallash mban emrin "Fjetja e Hyjlindëses së Shenjtë" dhe banorët kujdesen për mirëmbajtjen e saj përmes punës vullnetare. Lutjet e tyre janë për shëndet dhe për kthimin e të rinjve në këtë cep të bukur të Bullgarisë:

Në kufirin e shpresës – fshati bullgar Sallash në veriperëndim të Bullgarisë

FOTO: Facebook /Bashkia Bellogradçik

"Kjo është vendlindja ime dhe e dua shumë fshatin tim. Përpiqem të bëj diçka të re, që emri i fshatit tonë të dëgjohet edhe më larg. Dua që njerëzit të jetojnë më mirë dhe luftoj që sa më shumë të rinj të kthehen, qoftë edhe vetëm gjatë verës... Aktualisht këtu jeton një familje e re dhe shpresoj që kjo prirje të marrë përmasa më të mëdha. Është e vështirë, sepse jo të gjithë mund të punojnë në distancë", – ndan me ne përfaqësuesi i kryetarit të bashkisë, Georgi Nikitov.


Reportazh: Nedka Lillkova

Përpiloi: Joan Kolev

Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello