Autor
Gergana Mançeva
Artikull
Universiteti i Veliko Tërnovos hapi dyert për mysafirë nga 29 shtete
Aty po zhvillohet Seminari i 49-të Ndërkombëtar i Verës për Gjuhën dhe Kulturën Bullgare
Mërkurë 29 Korrik 2026 07:00
Mërkurë, 29 Korrik 2026, 07:00
FOTO: Universiteti i Veliko Tërnovos "Shën Kirilli dhe Metodij"
Madhësia e shkronjave
Të jesh student në Universitetin e Veliko Tërnovos nuk është thjesht arsimim, por një kujtim për gjithë jetën. Aty lë një pjesë të vetes dhe merr me vete momente të panumërta të paharrueshme – kështu e përshkruajnë universitetin e tyre studentët në Veliko Tërnovo. Por një ndjenjë e tillë e një mjedisi mbështetës, madje edhe familjar, lë Universiteti i Veliko Tërnovos edhe te mysafirët e tij nga jashtë vendit – pjesëmarrësit në Seminarin e 49-të Ndërkombëtar të Verës për Gjuhën dhe Kulturën Bullgare. Seminari zhvillohet nga 13 korriku deri më 2 gusht në Universitetin e Veliko Tërnovos "Shën Kirilli dhe Metodij", dhe këtë vit ka rreth 80 pjesëmarrës, të ardhur nga 29 shtete në 4 kontinente.
FOTO: Universiteti i Veliko Tërnovos "Shën Kirilli dhe Metodij"
Sipas traditës, grupi më i madh është ai i bullgaristëve nga vende si Gjermania, Greqia, Italia, Rumania, Polonia, Franca dhe Irlanda. Gjithashtu ka pjesëmarrës nga India, Egjipti dhe Koreja e Jugut, ndërsa pjesa më e madhe e të ardhurve në seminarin veror në Universitetin e Veliko Tërnovos janë studentë, por ka edhe doktorantë, pedagogë universitarë dhe mësues.
FOTO: Universiteti i Veliko Tërnovos "Shën Kirilli dhe Metodij"
Është interesante se grupi i bullgaristëve, të ardhur nga jashtë vendit, këtë vit zgjerohet edhe me profesione të tjera – inxhinier softueri, specialist i rrjeteve sociale, menaxher projektesh etj. Për shumë nga mysafirët kjo është vizita e radhës – e treta, madje edhe e gjashta – në Seminarin Veror për Gjuhën dhe Kulturën Bullgare. Ata i tërheq programi i larmishëm dhe atmosfera e çlirët që krijojnë organizatorët. Mjafton të imagjinoni se si 80 të huaj, me kombësi dhe kultura të ndryshme, kërcejnë vallet tradicionale bullgare, lexojnë fragmente nga autorë të njohur bashkëkohorë në origjinal ose në përkthim në gjuhën e tyre dhe, në fund, të gjithë përgatisin ushqime me të cilat të prezantojnë kulturën dhe shijet e vendit të tyre. Dhe e gjithë kjo ndodh në mjedisin më të natyrshëm, në Universitetin e Veliko Tërnovos, i cili ka shumë për të treguar dhe për të shfaqur për historinë dhe traditat e popullit tonë, të ruajtura në kryeqytetin e vjetër bullgar, Tërnovgrad.
FOTO: Universiteti i Veliko Tërnovos "Shën Kirilli dhe Metodij"
"Gjuha bullgare bën pjesë në grupin e gjuhëve të vogla, por pjesëmarrësit tanë janë të magjepsur nga hijeshia dhe veçantia e saj, sepse pjesa më e madhe e tyre studiojnë gjuhën bullgare në universitetin nga vijnë, ndërsa një pjesë tjetër e përdor gjuhën bullgare në punën e saj", – thotë docentja dr. Valerija Todorova nga Universiteti i Veliko Tërnovos, drejtoreshë e Seminarit të 49-të Ndërkombëtar të Verës për Gjuhën dhe Kulturën Bullgare. Dhe vazhdon:
Docent dr. Valerija Todorova
FOTO: BTA
"Këtu ata kanë mundësi të prekin nga afër mentalitetin bullgar, realitetin e gjallë bullgar. Gjithashtu kanë mundësi çdo ditë të përmirësojnë zotërimin e gjuhës bullgare, sepse ne u ofrojmë çdo ditë orë të gjuhës praktike bullgare në nivele të ndryshme. Organizojmë edhe seminare të specializuara për historinë dhe kulturën e Bullgarisë, për letërsinë bullgare, por edhe të tjera, ku mund të pasurojnë njohuritë e tyre për historinë, jetën e përditshme dhe kulturën tonë. Këto seminare ofrohen edhe në gjuhën angleze, në mënyrë që një pjesë më e madhe e seminaristëve të mund të marrin pjesë. Ofrrojmë gjithashtu një program të pasur, ku këtë vit ishte e ftuar shkrimtarja e njohur Elena Aleksieva. Takimi ngjalli interes të madh dhe u shfaq edhe perspektiva që disa nga librat e saj të përkthehen në gjuhët e pjesëmarrësve tanë. Dhe këtu është vendi të citojmë atë që tha vetë Aleksieva: Shpresoj shumë që ta ndieni dhe ta kuptoni sa e rëndësishme është për ne që ju ekzistoni dhe që jeni te ne. Kjo mbrëmje është një dhuratë e jashtëzakonshme dhe ju jam pafundësisht mirënjohëse", – citon fjalët e shkrimtares docentja Valerija Todorova.
FOTO: Universiteti i Veliko Tërnovos "Shën Kirilli dhe Metodij"
Seminaristët e Seminarit të 49-të Ndërkombëtar të Verës për Gjuhën dhe Kulturën Bullgare tashmë janë njohur me monumentet dhe atraksionet e qytetit të Veliko Tërnovos. Ata vizituan Muzeun e "Asamblesë Kushtetuese", Muzeun Arkeologjik, koleksionin etnografik "Shtëpia e Sarafkinës", kishën "Shën 40 Martirët" dhe kalanë "Carevec". Ata patën mundësinë të vizitonin edhe objekte si Varri Trak i Kazanllëkut, tumën "Goljamata Kosmatka" dhe Muzeun e Trëndafilit, pasi njëra nga ditët e programit përfshinte një udhëtim në Kazanllëk, i njohur edhe si "qyteti i trëndafilave" dhe i prodhimit tradicional të vajit të trëndafilit në Bullgari.
FOTO: Universiteti i Veliko Tërnovos "Shën Kirilli dhe Metodij"
"Në fakt, pjesa më e madhe e pjesëmarrësve janë këtu për herë të parë. Ideja e këtyre bursave, përmes të cilave ata marrin pjesë në seminar, është që të ketë rotacion dhe të vijnë sa më shumë bullgaristë nga jashtë vendit", – thotë më tej docentja Todorova dhe vazhdon:
"Por mes mysafirëve kemi edhe të tillë që kanë ardhur edhe në vitet e mëparshme. Pjesëmarrësi që vjen për herë të 17-të radhazi është Walter Elliott. Ai është veteran dhe tashmë pensionist. Kemi edhe një pjesëmarrës që është zëvendësrektor i Kolegjit Amerikan në Dublin, Rory Martin. Ai vjen për herë të gjashtë. Dhe tashmë flet shumë mirë gjuhën bullgare. Gjithashtu kemi një pjesëmarrës nga Egjipti, i cili vjen për herën e tetë ose të nëntë. Bëhet fjalë për kolegun tonë, pedagog në Kajro, Karim Zelati. Ai është i pari që organizoi edhe një kurs të gjuhës bullgare në botën arabe. Kështu që kemi edhe pjesëmarrës të tillë, të cilët gjatë këtyre viteve e kanë ngritur vërtet shumë nivelin e zotërimit të gjuhës dhe vijnë çdo vit për të mësuar gjithnjë e më shumë. Duhet të ketë ambasadorë të gjuhës sonë, që të zgjohet ky kureshtje ndaj Bullgarisë. Gjithashtu duhet të ketë një mbështetje shumë serioze nga shteti bullgar dhe nga të gjithë ne, në mënyrë që përhapja e gjuhës bullgare jashtë vendit të pasurohet dhe të zhvillohet."
FOTO: Universiteti i Veliko Tërnovos "Shën Kirilli dhe Metodij"
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski
Publikoi / Publikuan: Sindi Nikollofski
- #Universiteti i Veliko Tërnovos
- #Seminari i 49-të Ndërkombëtar i Verës për Gjuhën dhe Kulturën Bullgare
- #grupi i bullgaristëve
- #Seminari Veror për Gjuhën dhe Kulturën Bullgare
- #kryeqyteti i vjetër bullgar
- #docentja dr. Valerija Todorova
- #mentaliteti bullgar
- #realitetin e gjallë bullgar
- #Muzeu i "Asamblesë Kushtetuese"