Aleksandru Dragici ndërton një urë muzikore mes bullgarëve dhe rumunëve

Enjte, 30 Korrik 2026, 07:00

Aleksandru Dragici ndërton një urë muzikore mes bullgarëve dhe rumunëve

FOTO: Facebook /Alexandru Drăghici

Madhësia e shkronjave

Aleksandru Dragici është filolog dhe muzikant rumun, i cili ia kushton një pjesë të madhe të energjisë së tij krijuese ndërtimit të një ure personale kulturore drejt Bullgarisë dhe Ballkanit. Rruga e tij nis në një shkollë muzike në qytetin e tij të lindjes, Pitesht, i vendosur në zemër të krahinës rumune të Vllahisë, ku fillimisht u përqendrua te muzika popullore rumune. Pavarësisht arsimimit të tij muzikor, më vonë ai përfundoi studimet për "Filologji Greke dhe Rumune" në Bukuresht, gjë që e ndihmoi të zbulonte pikat e shumta të përbashkëta mes kulturave të ndryshme të Evropës Juglindore. Që në fëmijëri Aleksandru kalonte kohë në fshatrat në jug të Piteshtit, ndërsa më vonë, kur u njoh me zakonet bullgare dhe format gjuhësore bullgare, me habi zbuloi lidhjet e thella mes traditave fshatare të të dy vendeve. Kjo i mundësoi ta kuptojë kulturën ballkanike në tërësinë e saj dhe jo vetëm brenda kufijve të ngushtë të kulturës rumune.

Aleksandru Dragici ndërton një urë muzikore mes bullgarëve dhe rumunëve

FOTO: Facebook /Alexandru Drăghici

Një episod interesant nga jeta e tij profesionale është bashkëpunimi me trupën kult të komedisë "Divertis", ekuivalenti i së cilës në Bullgari është "Klub NLO" (formacion muzikor dhe aktorial nga emisioni humoristik me të njëjtin emër i Televizionit Kombëtar Bullgar në periudhën 1996–2004). Aleksandru ka ngjashmëri fizike me aktorin e ndjerë Ioan Gyuri Pascu, aktorin më të njohur të Divertis, dhe është ftuar të marrë pjesë në projektet e tyre. Megjithatë, vetë Aleksi thekson se nuk është aktor, por vetëm muzikant. Roli i tij në trupë lidhet me interpretimin e këngëve dhe parodive në skenë ose në transmetime televizive, duke mbështetur kështu grupin pas humbjes së figurës së tyre legjendare.

Aleksandru Dragici ndërton një urë muzikore mes bullgarëve dhe rumunëve

FOTO: Facebook /Alexandru Drăghici

Interesi i tij për folklorin bullgar zhvillohet në disa nivele, ndërsa një nga lidhjet më të forta që ai vëren është teknika e fizarmonikës dhe ornamentika e saj, e cila me shumë gjasa është huazuar nga gajdja. Dragici thekson se shumë fizarmonicistë rumunë ndiejnë një admirim të sinqertë për shkollën bullgare, gjë që i ka rrënjët që nga vitet e socializmit.

"Njoh shumë fizarmonistë nga Rumania që admirojnë muzikën bullgare dhe teknikën e fizarmonikës. Nuk e di se nga e njohin, por ndoshta nga stacionet radiofonike që arrijnë deri në Bukuresht. Ja, edhe unë në makinën time dëgjoj vazhdimisht lajmet nga Bullgaria drejtpërdrejt. Por ndoshta nuk është vetëm kjo – nuk e di nëse publiku bullgar e di se në Rumani, gjatë socializmit, në kohën e Çausheskut, kishte vetëm dy orë transmetim televiziv dhe njerëzit, me antena të vjetra, arrinin të kapnin televizionin bullgar. Atje kishte filma, kishte muzikë dhe që atëherë ekziston ky admirim i madh, sepse teknikat e fizarmonikës në Rumani dhe Bullgari janë disi të ngjashme," shpjegon Aleksandru Dragici.

Aleksandru Dragici ndërton një urë muzikore mes bullgarëve dhe rumunëve

FOTO: Facebook /Alexandru Drăghici

Procesi i përvetësimit të gjuhës bullgare për të filloi seriozisht rreth dy vjet më parë përmes vetëstudimit me libra, gramatikë dhe filma. Falë formimit të tij filologjik, ai nuk e pati të vështirë gramatikën dhe arriti një nivel që i lejon jo vetëm të bisedojë, por edhe të këndojë në gjuhën bullgare. Aleksandru tashmë ka regjistrime të këngëve popullore bullgare dhe ndan se i pëlqen veçanërisht folklori i Rodopeve, pasi tingëllimi karakteristik i këtij rajoni i përshtatet zërit të tij.

Pavarësisht ngjashmërive të dukshme mes dy popujve, Aleksandru Dragici pranon se ende ekziston një distancë e konsiderueshme dhe mungesë e interesit të mjaftueshëm mes kulturave tona. Sipas tij, pengesa kryesore është barriera gjuhësore dhe fakti që mësimi i gjuhës së vendit fqinj kërkon shumë durim, megjithëse ekzistojnë shumë fjalë të përbashkëta. Ai vëren gjithashtu ndikimin e shtresëzimeve historike nga periudha e luftërave dhe e socializmit, por është i bindur se urat shekullore mes bullgarëve dhe rumunëve janë ende të gjalla.

Aleksandru Dragici ndërton një urë muzikore mes bullgarëve dhe rumunëve

FOTO: Facebook /Alexandru Drăghici

Duke parë drejt së ardhmes, Aleksandru ëndërron një projekt të madh muzikor, në të cilin të bashkojë motive rumune dhe bullgare.

"Për momentin mund vetëm të ëndërroj. Kjo duhej të ishte sekret, por meqë ma bën këtë pyetje... Ëndërroj për një projekt muzikor ku të interpretohet si muzika rumune, ashtu edhe ajo bullgare, me shumë instrumente. Diçka të madhe, diçka gjigante – si projektet e Bregoviçit, për shembull. Por në të të ketë muzikë bullgare dhe rumune – muzikë rumune nga Vllahia dhe Moldavia. Kështu do të mund të tregoj dhe të dëshmoj se ato i ngjajnë shumë njëra-tjetrës dhe se këto lidhje janë shumë të forta."

Ja edhe një tjetër nga këngët e folklorit bullgar që Aleksandru Dragici interpreton në gjuhën bullgare.

Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski