Artikull
QSL nr. 8: Viti 1945 – Punëtori për radio-marrës bullgarë
Shtunë 1 Gusht 2026 09:00
Shtunë, 1 Gusht 2026, 09:00
FOTO: Desisllava Semkovska
Madhësia e shkronjave
Në vitin 2026, Radio Bullgaria konfirmon raportet e radioamatorëve me një seri të re prej 12 kartolinash QSL. Imazhi i secilës prej tyre vë në qendër një ngjarje të caktuar historike, të lidhur me historinë e Radios Kombëtare Bullgare (BNR) dhe programit "Radio Bullgaria", i cili feston 90-vjetorin e tij. Në fillim të çdo muaji, në një publikim të veçantë, mund të mësoni fakte interesante që lidhen me këto imazhe.
Kartolina e tetë QSL për vitin 2026 i kushtohet fabrikës së parë bullgare për prodhimin e radioaparateve të Svetozar Prenerovit.
Në vitin 1925, inxhinieri i ri Svetozar Prenerov, i cili kishte përfunduar studimet e tij në Francë, mori një ftesë për të marrë pjesë në projektin e Philips për prodhimin e radioaparateve në Hollandë. Megjithatë, ai e refuzoi këtë ofertë joshëse dhe vendosi se do të prodhonte radioaparate në atdheun e tij. Kështu, në vitin 1925, nën drejtimin e tij dhe të vëllait të tij Veselin, filloi punën punëtoria artizanale "Elektron", ku prodhoheshin radioaparatet lineare "Universal".
Veselin dhe Svetozar Prenerov
FOTO: wikipedia.org
Në vitin 1927, në qytetin e Burgasit, pas miratimit të një ligji që lejonte ekzistencën e industrisë së radios në Bullgari, Svetozar Prenerov themeloi "Tulan" – fabrikën e parë bullgare për prodhimin e radioaparateve.
Të gjitha pjesët për modelet e ndryshme të aparateve, me përjashtim të radiollampave, prodhoheshin në fabrikë. Inxhinier Prenerovi ishte madje në gjendje të niste edhe prodhimin e radiollampave, por kushtet që u krijuan në Evropë pas vitit 1933 penguan importin e lëndëve të para specifike, të nevojshme për prodhimin e xhamit dhe elementeve përbërëse të llampave. Në vitin 1941, Svetozar Prenerov projektoi dhe instaloi në automobilin e tij personal një radiomarrës eksperimental, me synimin për të prodhuar edhe radiomarrës për automjete, të cilët do të kishin qenë një sensacion për kohën e tyre. Një tjetër risi ishte "Turist" – një radiomarrës portativ modern, i destinuar për tregun turistik në Evropë. Fatkeqësisht, shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore i prishi planet e ardhshme të inxhinierit.
Pas ndryshimit politik që pasoi në Bullgari dhe ardhjes në pushtet të qeverisë së re në fund të vitit 1944, fabrika iu mor pronarëve të saj, veprimtaria e saj u ndërpre dhe, në vitin 1947, ajo u shtetëzua dhe u mbyll përfundimisht.
Punëtori në fabrikën e Svetozar Prenerovit
FOTO: Agjencia Shtetërore e Arkivave
Për të marrë kartolinën QSL, duhet të na dërgoni një raport, në të cilin të shënoni datën dhe gjuhën (për "Radio Bullgarinë") ose datën, orën dhe frekuencën e transmetimit të dëgjuar (për programet e tjera të BNR-së), si edhe hollësi mbi përmbajtjen e tij.
Raportet mund t’i dërgoni në mënyrën që ju përshtatet më shumë:
– me postë elektronike: reception.report@bnr.bg
– me postë në adresën: Bullgari, Sofje 1040, bulevardi "Dragan Cankov" nr. 4, BNR, Desisllava Semkovska
Është e detyrueshme të shënoni edhe adresën tuaj postare për kthimin e përgjigjes.
Ju kujtojmë se BNR konfirmon raportet për transmetimet e dëgjuara edhe me seri më të vjetra kartolinash QSL. Nëse dëshironi të merrni ndonjërën prej tyre, ju lutemi ta shënoni këtë në raportin tuaj.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski