Autor
Cvetana Tonçeva
Seksion
"Le të jetë verë"
Një shembull i sinqeritetit magjepsës poetik dhe talentit muzikor
Premte 31 Korrik 2026 07:05
Premte, 31 Korrik 2026, 07:05
FOTO: Arkiva personale
Madhësia e shkronjave
Kur më 12 korrik 2020 u nda nga jeta Mirjana Basheva, mediat bullgare njoftuan se ishte shuar "poetja e brishtësisë kozmike". Ajo ishte një krijuese e dashur dhe gazetare e shquar, e njohur edhe si "vajza me karakter të vështirë". Filloi të shkruante poezi relativisht vonë – rreth moshës 23-vjeçare. Debutoi zyrtarisht si poete në gazetën "Front Letrar" në moshën 25-vjeçare, ndërsa përmbledhja e saj e parë poetike, me titullin karakteristik "Karakter i vështirë", u botua në vitin 1976, kur ishte 29 vjeçe. Libri u prit menjëherë me shumë simpati, madje edhe nga kritika letrare. Krijimtaria e Mirjana Bashevës dallohet për gjuhën e saj të veçantë poetike, e cila ndërthur me vetëdije një figuracion të ashpër dhe të guximshëm me finesën e ndjenjës dhe të mendimit. Për veten si poete ajo kishte një vizion të qartë: "Svetllozar Igov (studiues bullgar, kritik letrar dhe historian, eseist, poet, prozator dhe përkthyes) njëherë më prezantoi para publikut rus si Cvetajeva bullgare dhe unë u lumturova shumë. Edhe pse do të preferoja të ngjaja me Ahmatovën. Ndoshta tingëlloja e freskët dhe e guximshme, sepse nisa të shkruaja pa pasur pothuajse fare një 'bazë të dhënash' poetike në kokë – nuk e doja aspak poezinë para se të filloja ta shkruaja."
Mirjana Basheva
FOTO: Arkiva
Pas përmbledhjes së parë u botuan "Muzikë e vogël dimërore" në vitin 1979 dhe "Njëqind vjet zbrazëti" në vitin 1992, secila prej tyre duke përfshirë edhe poezi nga përmbledhjet e mëparshme. Të gjitha botimet pasuese përmbanin edhe poezi të botuara më parë, sepse Mirjana Basheva thjesht… ndaloi së shkruari poezi. Ajo është autore e më pak se njëqind poezive, por ato kanë qenë plotësisht të mjaftueshme që emri i saj të renditet ndër figurat më të rëndësishme të letërsisë kombëtare bullgare.
Përveç origjinalitetit të mendimit, një tipar karakteristik i krijimtarisë së saj është edhe muzikaliteti. Nuk është rastësi që ajo u bë një nga autoret më të kërkuara të teksteve për këngët e muzikës popullore bullgare, të kompozuara ndër vite nga Petër Çernev, Mihaill Bellçev dhe Juri Stupel, e të interpretuara nga yjet më të mëdhenj të muzikës pop bullgare. Megjithatë, bashkëpunimi i saj më i suksesshëm krijues ishte me kompozitorin Stefan Dimitrov, me të cilin mbeti mike e ngushtë deri në fund të jetës. Falë këtij tandemi, muzikës bullgare iu shtuan hite tashmë emblematike si "Rast i pashpresë" dhe "Dashtë Zoti", të interpretuara në mënyrë të papërsëritshme nga Bogdana Karadoçeva. Por edhe më herët, në vitin 1977, një miniaturë e thjeshtë, e sinqertë dhe plot entuziazëm e Bashevës dhe Dimitrovit, kushtuar stinës më të bukur të vitit, fitoi zemrat e publikut dhe u solli autorëve çmimin e dytë në festivalin "Orfeu i Artë". Me këngën "Le të jetë verë", këngëtarët e rinj, simpatikë dhe me zë të veçantë të grupit "Tonika" e konsoliduan statusin e tyre si yje, të fituar një vit më parë me një tjetër këngë të mrekullueshme të Stefan Dimitrovit – "Llado le".
Dekada më vonë, në një intervistë për gazetën "24 Orë", kompozitori kujton se gjatë krijimit të këngës, në moshën 28-vjeçare, po kryente shërbimin ushtarak në Ansamblin e Trupave të Ndërtimit. Kur Mirjana Basheva i tregoi poezinë e saj "Vera", ai u ul në piano dhe, brenda një kohe shumë të shkurtër, krijoi melodinë. "Ky tekst është një dëshirë, në të cilën përfshihet gjithçka – një pamje për të cilën ëndërron njerëzimi: të jetë bukur, të jetë ngrohtë, gruri të piqet në ara; është një dëshirë për paqe", – thotë Stefan Dimitrov.
Stefan Dimitrov
FOTO: Arkiva personale
Për të marrë pjesë në konkursin e "Orfeut të Artë", Mirjana shtoi edhe një strofë tjetër, që lidhej me sulmin e Gjermanisë ndaj Bashkimit Sovjetik në qershor të vitit 1941. Pasi mori mesazhin shoqëror dhe politik të kërkuar nga koha, kënga u interpretua për herë të parë në festivalin prestigjioz, fitoi çmimin e dytë, u regjistrua në Radion Kombëtare Bullgare (BNR), grupi "Tonika" e përfshiu në të gjitha koncertet e tij, ndërsa Dimitrovi kujton se publiku "çmendej" nga entuziazmi. Kështu, e gjithë Bullgaria nisi të këndonte: "Le të jetë verë".
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello