Artikull
Bullgaria i jep lamtumirën muzikantit të madh Vasill Kazanxhiev
Premte 31 Korrik 2026 10:12
Premte, 31 Korrik 2026, 10:12
Vasill Kazanxhiev (1934 – 2026)
FOTO: Ani Petrova
Madhësia e shkronjave
Sot Bullgaria përcjell në udhëtimin e tij qiellor një nga emrat më të ndritur të muzikës klasike bashkëkohore bullgare, Vasill Kazanxhiev. Kompozitori, dirigjenti, pedagogu dhe akademiku i njohur u nda nga jeta në moshën 91-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme artistike dhe qindra nxënës mirënjohës.
Rruga profesionale e Vasill Kazanxhievit nisi si dirigjent në Operën Popullore të Sofjes, ku punoi për shtatë vjet. Gjatë kësaj periudhe ai vuri në skenë dhe drejtoi një sërë operash dhe baletesh bullgare dhe të huaja.
Në vitin 1962, ai themeloi ansamblin e muzikës së dhomës “Solistët e Sofjes”, një nga formacionet më prestigjioze bullgare. Me këtë ansambël muzikanti i shquar zhvilloi koncerte me sukses të madh në Bullgari dhe jashtë saj për një periudhë prej 15 vitesh.
FOTO: operasofia.bg
Emri i akademikut Vasill Kazanxhiev është i lidhur ngushtë, si në planin krijues, ashtu edhe në atë profesional, me Orkestrën Simfonike të Radios Kombëtare Bullgare (BNR). Nga viti 1979 deri në vitin 1993, nën drejtimin e tij, Orkestra Simfonike e BNR-së realizoi projekte të rëndësishme regjistrimesh simfonike dhe zhvilloi turne me sukses të jashtëzakonshëm në shumë vende. Ndër meritat më të mëdha të akademik Kazanxhievit janë qindra regjistrime studioje të veprave të klasikëve botërorë dhe të kompozitorëve bullgarë, të cilat sot janë pjesë e “Fondit të Artë” të Radios Kombëtare Bullgare.
Vasill Kazanxhiev është autor i një numri të madh veprash simfonike dhe të muzikës së dhomës, përfshirë tetë simfoni, shumë sonata dhe koncerte instrumentale, si dhe ciklet emblematike “Pamje nga Bullgaria”, “Ikonat e Gjalla”, “Muzikë Festive”, “Apokalipsi” dhe shumë të tjera. Ai ka kompozuar gjithashtu muzikën për një sërë filmash të paharrueshëm bullgarë.
Udhëtim të ndritshëm drejt orkestrës qiellore!
Përpiloi: Desisllava Semkovska
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva