Autor
Joan Kolev
Artikull
Kopshti i Borisit – zemra e gjelbër e Sofjes
Dielë 2 Gusht 2026 10:05
Dielë, 2 Gusht 2026, 10:05
FOTO: borisovagradina.com
Madhësia e shkronjave
Kopshti i Borisit (Borisovata Gradina) është një nga vendet më të dashura për banorët dhe vizitorët e kryeqytetit. Parku përdoret në mënyrë aktive si për shëtitje dhe takime me miqtë, ashtu edhe për aktivitete sportive nga banorët e lagjeve përreth.
Njeriu të cilit i detyrohet fillimi i ndërtimit të Kopshtit të Borisit në vitin 1882 është kryetari i bashkisë së Sofjes, Ivan Haxhienov. Ai zhvilloi debate të ashpra me këshilltarët bashkiakë, të cilët fillimisht nuk shihnin dobinë e një investimi të tillë. Megjithatë, kryebashkiaku bëri përpjekje të mëdha që projekti të niste, duke angazhuar kopshtarin e oborrit mbretëror rumun, zviceranin Daniel Neff. Detyra e tij ishte si mirëmbajtja e hapësirës përreth liqenit të sotëm "Ariana", ashtu edhe shitja e fidanëve për gjelbërimin e qytetit.
Liqeni "Ariana"
FOTO: BGNES
Me ndihmën e arkitektit Todor Bulev, kujtesës së gjallë të historisë së arkitekturës në vendin tonë, i cili ka shërbyer për dy mandate si nënkryetar dhe për një mandat si kryetar i Unionit të Arkitektëve në Bullgari, ju rikujtojmë disa fakte interesante që lidhen me vende emblematike në një nga parqet më të mëdha të kryeqytetit.
Todor Bulev
FOTO: Joan Kolev
"Duhet të theksoj se gjelbërimi publik është një dukuri relativisht e
re në historinë evropiane të urbanistikës. Në fund të shekullit XIX, ne në
Bullgari ishim mjaft të prapambetur nga pikëpamja e planifikimit urban, por sa
i përket hapësirave të gjelbra publike, arritëm t'i zbatojmë menjëherë ato në
qytetet tona", shpjegon bashkëbiseduesi ynë. “Shembuj të kësaj janë si Kopshti
i Borisit, ashtu edhe Kopshti i Qytetit (Gradskata Gradina), i cili gjithashtu
filloi të ndërtohej afërsisht në të njëjtën periudhë. Për më tepër, pothuajse
të gjitha qytetet e mëdha në vend kanë në qendër një park të madh, të krijuar
pikërisht në atë kohë."
FOTO: lostbulgaria.com
Në kohën e krijimit të tij, Kopshti i Borisit ishte një nga parqet e para periferike. Për 10-15 vjet me radhë, rregullimin dhe mirëmbajtjen e tij e kishte në ngarkim Daniel Neff, më pas këtë detyrë e morën djemtë e tij, ndërsa në vitin 1888, me iniciativën e mbretit Ferdinand, u ndërtua liqeni "Ariana". Ai është pjesë e bërthamës historike të parkut, së bashku me dy shtigjet që të çojnë drejt të ashtuquajturit "Liqeni me peshqit", i njohur nga banorët e Sofjes si Liqeni i Zambakëve, pasi në të lulëzojnë shumë ekzemplarë të kësaj luleje të bukur.
Liqeni i Zambakëve
FOTO: Miglena Ivanova
Në park ndodhen edhe fushat e tenisit, të krijuara që në vitin 1896 nga përfaqësues tregtarë dhe diplomatë të huaj. Ato ishin pjesë e klubit të parë të tenisit në vend.
FOTO: sportnasofia2000.com
"Zhvillimi i kësaj hapësire të madhe bëri të mundur që zonës përreth fushave të tenisit t’i jepej një pamje parku. Pjesa tjetër e Kopshtit të Borisit i ngjan më tepër një pylli. Kjo pjesë ka mbetur pothuajse në të njëjtën formë si para 40-50, madje edhe 80 vjetësh", na shpjegon arkitekti Bulev.
Një figurë emblematike në historinë e parkut është Georgi Duhtev nga Burgasi, i cili u kujdes për zemrën e gjelbër të qytetit në periudhën 1934-1944.
FOTO: lostbulgaria.com
"Georgi Duhtev është krijuesi i Kopshtit Detar në Burgas, por për një periudhë prej 10 vjetësh ai administroi edhe Kopshtin e Borisit. Vepër e tij janë liqeni me rosat dhe një numër i madh fushash sportive."
Objekte sportive në park vazhduan të ndërtohen edhe pas vitit 1944.
FOTO: sportnasofia2000.com
"Sipas mënyrës se si e konceptojmë sot parkun, ne mendojmë se këto objekte janë tepër të shumta.Por që nga fillimi, ndërtimi i tyre ka qenë më tepër një proces i natyrshëm. Ku tjetër, përveç parqeve, do të ishte e mundur dhe e përshtatshme të ndërtoheshin objekte sportive?" pyetnë mënyrë retorike arkitekti Bulev.
FOTO: Facebook /Stadiumi Junak në Kopshtin e Borisit
Gjatë viteve, nga krijimi i tij e deri më sot, parku ka kaluar nëpër
metamorfoza dhe etapa të ndryshme zhvillimi. Pas vitit 1989, çështja se si
duhet të zhvillohet kjo oazë e jashtëzakonshme e gjelbër në qendër të qytetit
mbetet e hapur dhe vazhdon të jetë objekt i diskutimeve të shumta. Aktualisht parku është sërish në qendër të
debateve. Plani i detajuar urbanistik në fuqi, i cili synon të sigurojë
mbrojtje të qëndrueshme dhe të garantuar me ligj për parkun më të madh dhe më
emblematik të Sofjes, duke ruajtur karakterin e tij publik dhe duke rikthyer
funksionet publike të objekteve historike kyçe, u kthye për ripunim nga
Këshilli Ekspert Komunal për Planifikimin e Territorit. Shqyrtimi i ri i planit
mund të bëhet vetëm në pranverën e vitit 2027.
FOTO: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva