Autor
Diana Cankova
Seksion
Zana e përrallave Marija Sertova i ndihmon fëmijët të kenë krahë
Bullgarja themelon shkollën e parë të zanave në Irlandë
Dielë 2 Gusht 2026 09:05
Dielë, 2 Gusht 2026, 09:05
FOTO: Facebook /Përralla individuale
Madhësia e shkronjave
Në botën tonë pragmatike, të mbështetur në logjikë dhe në gjëra të prekshme, një bullgare në Irlandë merr rolin e një zane dhe krijon mrekulli. “Magjia më e madhe është t’i zhys fëmijët në një botë tjetër – botën e përrallave, ku ata mund të kuptojnë nevojat e tyre, të përballen me frikërat e tyre dhe të besojnë me guxim te vetja dhe te ëndrrat e tyre”, thotë ajo.
Marija Sertova e sheh jetën si një mrekulli të madhe që secili prej nesh e krijon vetë. Pikërisht për këtë arsye, përmes tregimeve të saj përrallore, ajo përpiqet t’ua përcjellë fëmijëve këtë mënyrë të të ndierit dhe të të kuptuarit të botës. Në vitin 2015, për arsye ekonomike, ajo u vendos në Irlandë, ku nëpër parqe njerëzit mund të shëtisin përgjatë shtigjeve të zanave, të takojnë figurat e tyre magjike dhe të admirojnë dyert e tyre përrallore. Meqenëse në atdheun e saj kishte shkruar përrallat e para, ajo e solli botën e saj magjike edhe në vendin ishullor, duke hapur shkollën e vetme të zanave.
FOTO: Facebook /Përralla individuale
“E krijova për të plotësuar diçka që shkolla e zakonshme nuk e ofron – zhvillimin e imagjinatës së fëmijëve, prirjeve të tyre krijuese dhe të menduarit kritik,” shpjegon Marija Sertova. “Shkolla e Zanave është një emër shumë i përshtatshëm, sepse është njëkohësisht lozonjar dhe zgjon kureshtjen e njerëzve. Ideja ime u prit shumë mirë, ndoshta sepse zanat janë shumë të pranishme në jetën e irlandezëve. Në shkollë përdorim shumë nga tregimet e mia origjinale, përmes të cilave fëmijët mësojnë vlera të ndryshme. Ne vëmë në provë parimet e tyre morale – çfarë është e drejtë, çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe. Natyrisht, bëjmë edhe gjëra magjike, si përgatitja e pluhurit magjik. Fëmijët e krijojnë atë me lloje të ndryshme shkëlqyesish (glitter) dhe zgjedhin se çfarë fuqie do të ketë. Më pas e vendosin në një shishe të vogël, të cilën e marrin në shtëpi, duke besuar se do t’i ndihmojë. Në fund të fundit, gjithçka ka të bëjë me punën me nënvetëdijen, mendimet dhe emocionet, dhe pikërisht këtë përpiqemi të bëjmë.”
FOTO: Facebook /Përralla individuale
Kur ishte ende në atdhe, Marija Sertova “mori” një histori me mesazh, të cilën donte t’ia tregonte djalit të saj të vogël. “Ajo erdhi si histori e plotë – mjaftonte të ulesha dhe ta shkruaja,” kujton ajo. Në librin “Përralla e Ëndrrave”, autorja trajton problemin e bindjeve kufizuese – mungesën e besimit te vetja, frikën se si do të na gjykojnë të tjerët nëse jemi ndryshe – dhe përpiqet ta thyejë këtë stereotip. Që atëherë, ajo gjen frymëzim për më shumë se tridhjetë përrallat e saj, si në imagjinatë, ashtu edhe në jetën e përditshme.
FOTO: Facebook /Përralla individuale
Në Irlandë, ajo zbulon misionin e saj për ta bërë botën më të bukur dhe më të ndritur përmes krijimtarisë dhe projekteve arsimore. Një nga mesazhet që u përcjell fëmijëve është të shprehin lirshëm veten dhe të ruajnë ndjesinë se bota është një vend i mrekullueshëm, edhe pse jo gjithmonë duket e tillë. “Bota ka vërtet shumë anë, por fëmijët nuk duhet të rriten me ndjesinë se asgjë nuk varet prej tyre. Përkundrazi, është e rëndësishme të dinë se, ashtu si magjistarët e vegjël apo zanat e vogla, mund të krijojnë gjithçka, mjafton të dinë se si,” shprehet me bindje shkrimtarja.
FOTO: Facebook /Përralla individuale
Projekti më i fundit i Marija Sertovës është një seri pranverore përrallash që rrëfen për natyrën dhe i nxit lexuesit e vegjël të tregojnë interes ndaj botës që i rrethon. “Pikërisht komunikimi me natyrën është një mënyrë jo vetëm për t’u qetësuar dhe për të gjetur harmoni, por edhe për ta kuptuar më mirë veten,” përcjell autorja një tjetër mësim jetësor.
… Na ishte një herë një vemje që jetonte e qetë, derisa një mollëkuqe i tregoi se bota ishte shumë më e madhe dhe më e bukur, por që, për ta parë atë, duhej të fluturonte. Dhe një ditë, pasi më në fund u ngjit lart për t’iu afruar ëndrrës së saj dhe për të soditur pafundësinë, asaj i dolën krahë. …
FOTO: Facebook /Përralla individuale
Por, a shndërrohet çdo vemje në flutur dhe a bëhen realitet dëshirat e saj? Përgjigjja është “jo”, lë të kuptohet Marija Sertova, duke na kthyer te përralla për ëndrrat njerëzore. E aty duhet të hyjmë me kujdes – sepse fjalët mund të hapin plagë ende të pashëruara, por edhe të ndezin një pikëz shprese në shpirtrat tanë të lodhur nga sprovat.
Përgatiti në shqip dhe publikoi: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello