SHOQËRI

Seksion

Nga Majakovski në Shengen

“Dokumenti i purpurt” bullgar renditet i 11-ti në botë

Hënë, 3 Gusht 2026, 07:10

“Dokumenti i purpurt” bullgar renditet i 11-ti në botë

FOTO: Konsullata e Përgjithshme e Bullgarisë në Nju Jork

Madhësia e shkronjave

Së fundmi, Konsullata e Përgjithshme e Bullgarisë në Nju Jork publikoi një informacion shumë interesant, i cili të kujton disi poezinë e famshme të Vlladimir Majakovskit për pasaportën sovjetike. Në të, poeti përshkruan se si zyrtarët kufitarë i shqyrtojnë dokumentet e të huajve me shprehje të ndryshme në fytyrë – pasaportën e anglezit me respekt, atë të amerikanit me një lloj servilizmi të lehtë, ndërsa pasaportat e shteteve më të vogla dhe më pak të njohura i trajtojnë si letra pa vlerë.

Nëse sot e krahasojmë këtë shembull klasik nga historia e pasaportës me realitetin, përmes syve të udhëtarit bashkëkohor bullgar, gjithçka duket krejt ndryshe. Dhe kjo jo për shkak të ndonjë entuziazmi ideologjik, por falë statistikave të Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror (IATA).

“Dokumenti i purpurt” bullgar renditet i 11-ti në botë

FOTO: henleyglobal.com

Mbi këto të dhëna bazohet edhe renditja e indeksit prestigjioz global Henley Passport Index për vitin 2026, i cili përfshin 199 pasaporta dhe 227 destinacione. Në këtë renditje, pasaporta bullgare aktualisht zë vendin e 11-të në botë. Kjo do të thotë se shtetasit bullgarë kanë mundësi të udhëtojnë pa vizë ose të marrin lehtësisht vizë udhëtimi në 178 destinacione.

Për krahasim, vetëm një vend në renditje dhe vetëm dy destinacione e ndajnë pasaportën bullgare nga ajo amerikane, e cila renditet në vendin e 10-të. Së bashku me Rumaninë, me të cilën Bullgaria ndan këtë pozicion, ajo lë pas edhe principatën prestigjoze të Monakos.

“Dokumenti i purpurt” bullgar renditet i 11-ti në botë

FOTO: henleyglobal.com

Në më pak se dy dekada – nga anëtarësimi i Bullgarisë në Bashkimin Evropian në vitin 2007 e deri më sot – pasaporta bullgare ka bërë një rrugëtim të gjatë: nga vizat e kushtueshme dhe pritjet e gjata në radhë, deri te kalimi pa pengesa në pikat kufitare.

Kjo liri lëvizjeje nuk matet vetëm me shifra. Pa dyshim, ajo është një arsye për krenari të qetë në aeroport, por edhe një dëshmi e vërtetë e besimit ndërkombëtar.

E vërteta është se, kur bota të hap kufijtë, ajo të thotë: "Ne i besojmë shtetit tënd, i besojmë sigurisë së dokumenteve të tua."

“Dokumenti i purpurt” bullgar renditet i 11-ti në botë

FOTO: BTA

Paralelisht me këtë, pranimi gradual i Bullgarisë në Hapësirën Shengen e plotësoi atë që indeksi e mat me shifra. Heqja e kontrolleve në kufijtë ajrorë, detarë dhe tokësorë e shndërroi lirinë e lëvizjes nga një e drejtë politike në letër në një lehtësi të përditshme dhe konkrete.

Sot, udhëtimi në Evropë ndihet si të lëvizësh me transport urban nga një shtet në tjetrin, vetëm se me avion ose me një mjet tjetër transporti. Nuk ka më nevojë të presësh me orë të tëra nën diellin përvëlues në pikën kufitare "Kullata", për shembull.

Për kompanitë e transportit kjo do të thotë kosto më të ulëta logjistike dhe fundi i radhëve kilometrike në kufij, ndërsa për të rinjtë – mundësi për të udhëtuar, studiuar, kryer praktikë profesionale dhe punuar kudo.

“Dokumenti i purpurt” bullgar renditet i 11-ti në botë

FOTO: BGNES

Madje, sot edhe në Gjeorgji mund të udhëtojmë vetëm me kartë identiteti.

Sigurisht, ka edhe disa përjashtime, siç është Mbretëria e Bashkuar. Edhe pse për udhëtime të shkurtra turistike nuk kërkohet ende një vizë klasike, Britania e Madhe ka vendosur autorizimin elektronik të udhëtimit (ETA) si të detyrueshëm. Kjo është një procedurë tërësisht digjitale, me një tarifë prej 16 paundësh, pa të cilën kompanitë ajrore nuk do t'ju lejojnë të hipni në avion.

“Dokumenti i purpurt” bullgar renditet i 11-ti në botë

FOTO: Pexels

Pikërisht këto filtra të rinj digjitalë na kujtojnë se sa i bezdisshëm dhe stresues mund të bëhet udhëtimi kur planet ndryshojnë papritur. Grevat e kompanive të mëdha ajrore, si Lufthansa, shpesh i detyrojnë pasagjerët të kalojnë nëpër aeroporte tranziti të paparashikuara (si Londra), duke e shndërruar një udhëtim në një provë të vërtetë për nervat, veçanërisht kur nuk ke qasje në internet.

Prandaj, në raste të tilla, njohja e të drejtave të pasagjerëve është veçanërisht e rëndësishme.

Megjithatë, kur e krahasojmë të gjithë këtë rrugëtim të bërë gjatë dekadave të fundit, kuptojmë se fuqia e një pasaporte në shekullin XXI nuk matet me mënyrën se sa ashpër të shikon polici kufitar, por me faktin se ai nuk ka fare nevojë të të ndalojë.

“Dokumenti i purpurt” bullgar renditet i 11-ti në botë

FOTO: BTA

Në këtë kuptim, sot "libreza e purpurt" bullgare ofron pikërisht këtë – lirinë për të lëvizur nëpër botë me kokën lart.


Përgatiti në shqip: Kostandina Bello

Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello