Artikull
Travel Off Path:
Plovdivi - qyteti më i lashtë në Evropë është i lirë dhe i sigurt
Hënë 3 Gusht 2026 13:06
Hënë, 3 Gusht 2026, 13:06
Qyteti i Vjetër i Plovdiit
FOTO: Janica Marova - Radio Plovdiv
Madhësia e shkronjave
Qyteti më i vjetër me banim të pandërprerë në Evropë nuk ndodhet në Itali apo Greqi, por në Bullgari, njofton media amerikane Travel Off Path. Ky është qyteti më i lashtë në Evropë dhe, njëkohësisht, një nga qytetet më të lira dhe më të sigurta. Bëhet fjalë për Plovdivin, qytetin e dytë më të madh në vend.
Historia e popullimit të pandërprerë në këtë zonë daton prej më shumë se 8000 vjetësh, gjë që e bën qytetin mbi 3000 vjet më të vjetër se Athina, të cilën shumë njerëz gabimisht e konsiderojnë si qytetin më të lashtë në Evropë, thekson botimi.
Qyteti modern është ndërtuar fjalë për fjalë mbi struktura të lashta romake. Rruga kryesore këmbësore kalon mbi rrënojat e një stadiumi romak, fragmente të të cilit mund të shihen ende sot.
Atraksioni kryesor i qytetit është Teatri Antik i Filipopolit, një nga teatrot romake më të ruajtura në botë. Ai ka kapacitet për rreth 7000 spektatorë dhe vazhdon të presë koncerte dhe shfaqje opere.
Teatri Antik në Plovdiv
FOTO: traveloffpath.com
Por Plovdivi nuk është vetëm një qytet i lashtë. Në kodrën Nebet Tepe ruhen mbetje parahistorike që datojnë afërsisht nga viti 4000 para erës sonë, ndërsa në disa vende janë zbuluar gjurmë vendbanimesh që datojnë deri në mijëvjeçarin e gjashtë para erës sonë. Edhe periudha osmane ka lënë gjurmët e saj: Xhamia Xhumaja e shekullit XV ndodhet në qendër të qytetit, ndërsa kulla Sahat Tepe është një nga kullat më të vjetra të sahatit në Ballkan.
Pamje nga Nebet Tepe
FOTO: Janica Marova - Radio Plovdiv
Xhamia Xhumaja në Plovdiv
FOTO: BGNES
Kulla Sahat Tepe
FOTO: Janica Marova - Radio Plovdiv
Çmimet janë një tjetër arsye për të vizituar qytetin. Ushqimi në Plovdiv mund të jetë deri në 70% më i lirë, ndërsa akomodimi deri në 60% më i lirë krahasuar me qytetet e njohura të Evropës Perëndimore, shënon Travel Off Path dhe jep shembuj konkretë.
Në të njëjtën kohë, Plovdivi renditet ndër qytetet më të sigurta në Evropë.
Megjithatë, sipas publikimit, arritja në Plovdiv nuk është gjithmonë e lehtë: udhëtimi me tren nga Sofja zgjat rreth 2,5 orë, ndërsa udhëtimi nga qyteti Varna, që gjendet në bregdetin e Detit të Zi, mund të zgjasë deri në 7 orë, me ndërrime të linjave.
Lexoni më shumë në arkivin e Radio Bullgarisë:
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva