Artikull
Mijëra besimtarë u përkulën para Ikonës së Hyjlindëses nga Havai
Ikona Mrekullibërëse tërhoqi mijëra besimtarë në kishën "Shën e Diela" në Sofje
Hënë 3 Gusht 2026 14:52
Hënë, 3 Gusht 2026, 14:52
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Në fillim të Kreshmës së Fjetjes së Hyjlindëses, më 1 gusht, në Sofje mbërriti Ikona Mrekullibërëse Iviron e Hyjlindëses së Tërëshenjtë, e njohur si Ikona Mirorrjedhëse nga Havai. Ikona u soll nga peshkopi Irinej i Londrës dhe Evropës Perëndimore (i Kishës Ortodokse Ruse Jashtë Rusisë – ROCOR), së bashku me priftin Nektarij Jangsën, kujdestarin e ikonës, si edhe klerikë të tjerë të kësaj kishe.
FOTO: BTA
Mijëra të krishterë ortodoksë u mblodhën të dielën në Katedralen Metropolitane "Shën e Diela" në Sofje për të marrë pjesë në Liturgjinë Hyjnore Patriarkale, të kremtuar nga Patriku i Bullgarisë dhe Mitropolit i Sofjes, Daniill, si edhe për t'u përkulur me nderim para ikonës së shenjtë.
Në kishë ishte i pranishëm edhe ambasadorja e Federatës Ruse në Bullgari, Eleonora Mitrofanova. Prania e saj shkaktoi pakënaqësi te një grup qytetarësh dhe nxiti komente të ndryshme në opinionin publik.
Edhe sot, radha e besimtarëve që dëshirojnë të luten para Ikonës Mrekullibërëse të Hyjlindëses nga Havai vazhdon të jetë e gjatë.
FOTO: BTA
Ikona do të qëndrojë për nderim dhe lutje në kishën "Shën e Diela" deri në orën 16:00 gjatë ditëve deri më 5 gusht. Më pas, ajo do të dërgohet me radhë në dioqezat e Nevrokopit, Vidinit, Vracës, Loveçit, Varnës dhe Veliki Presllavit, Veliko Tërnovos, Slivenit, si edhe në Manastirin e Rilës, njofton Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Bullgare. Në Manastirin e Rilës, besimtarët do të kenë mundësi të luten dhe të nderojnë ikonën më 17 dhe 18 gusht, duke iu drejtuar Hyjlindëses së Tërëshenjtë me lutje për mbrojtje dhe shëndet. Më 19 gusht, ikona do të largohet nga Bullgaria.
FOTO: BTA
Historia e kësaj ikone të shenjtë nis në vitin 2007, në komunitetin ortodoks të krishterë në Honolulu, Havai. Atje, një kopje e vogël e shtypur e Ikonës Iviron të Hyjlindëses nisi në mënyrë të pashpjegueshme të nxjerrë miro dhe të përhapë një aromë të fortë trëndafili. Pas një shqyrtimi të kujdesshëm nga autoritetet kishtare, në vitin 2008 Kisha Ortodokse Ruse Jashtë Rusisë e njohu zyrtarisht ikonën si mrekullibërëse dhe dha bekimin që ajo të vizitonte kishat ortodokse në mbarë botën.
FOTO: BTA
Që nga ajo kohë, ikona është dërguar në mijëra kisha në Amerikën e Veriut, Evropë dhe vende të tjera, ndërsa miliona besimtarë janë lutur dhe janë përkulur me nderim para saj, njofton Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA).
Redaktoi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova