Artikull
Valldi Totev, emblema e muzikës bullgare, shënon 75-vjetorin
Martë 4 Gusht 2026 06:00
Martë, 4 Gusht 2026, 06:00
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Muzikantët bullgarë, të cilët kanë lënë një gjurmë të qëndrueshme dhe këngë të dashura për breza të tërë bullgarësh, janë të shumtë, por një nga emrat që pothuajse kujtdo që është pak më shumë i apasionuar pas muzikës i vjen ndër mend, është ai i kompozitorit, këngëtarit dhe pianistit Vlladimir (Valldi) Totev. Edhe pse është ndër krijuesit e një grupi tjetër të njohur rok – "Faktor", si edhe pjesëmarrës në ansamblin e Drejtorisë së Përgjithshme për Ndërtim dhe Rindërtim gjatë kohës së shërbimit ushtarak, Totev njihet më së shumti si pianisti i grupit "Shturcite", të krijuar në vitin 1967. Në librin e tij autobiografik "Në pragun e kohës", themeluesi i grupit, Kirill Mariçkov, shkruan se takimi i tij i parë me Valldin ndodhi kur Totev ishte ende nxënës në klasën e nëntë, 15 ose 16 vjeç. Ai e dëgjoi gjatë një prove të grupit "Shtastlivcite", ku Valldi bënte përpjekjet e tij të para për të luajtur në një grup. Në vitin 1974 ata u takuan sërish në konkursin "Orfeu i Artë", ku Valldi ishte pjesë e grupit "Sinjo-Belite", i krijuar për të shoqëruar dhe mbështetur legjendarin Emill Dimitrov në aktivitetin e tij koncertal dhe diskografik. Në vjeshtën e vitit 1974, Valldi Totev u thirr në shërbimin ushtarak dhe, pasi u lirua nga ushtria, në vitin 1976 zëvendësoi në piano pianistin e mëparshëm të "Shturcite", Borisllav Panov. Për ardhjen e tij në grup, Kirill Mariçkov rrëfen se iu ndriçuan sytë, sepse deri atëherë pothuajse e gjithë pesha vokale binte mbi zërin e tij.
FOTO: BNR - arkiv
Totev merr pjesë në regjistrimin e nëntë albumeve të grupit, por ka edhe një karrierë të shkëlqyer solo. Në një intervistë për Radio Bullgarinë, ai tregon se gjatë periudhës socialiste, kur "Shturcite" përballuan shumë vështirësi dhe kapërcyen jo pak pengesa në përpjekjen e tyre për të ekzistuar, "muzika ishte një copëz, një grimë lirie. Mbështetësit tanë më besnikë madje rriheshin për guximin që të na pëlqenin hapur. Në një moment u detyruam të ndalonim së luajturi, që të mos dukeshim si një kurth ku kapeshin adhuruesit tanë."
FOTO: BNR
Valldi Totev është autor i një prej këngëve emblematike, të kënduar nga mijëra njerëz së bashku me të gjatë protestave të vitit 1989 dhe në vitet që pasuan – "Ngriji sytë".
Arsyeja pse po jua kujtojmë sërish këtë këngë nuk është një nxitje për protesta të reja të atyre përmasave, por fakti se sot kompozitori i saj shënon 75-vjetorin e lindjes. I urojmë nga zemra shëndet të mirë dhe që frymëzimi për të krijuar muzikë, e cila nuk harrohet, të mos e braktisë kurrë!
Gëzuar jubileun!
Përpiloi: Joan Kolev
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski
Publikoi / Publikuan: Sindi Nikollofski