LAJME

Artikull

DB kërkon sqarime nga OFAC për lidhjen "Borisov-Bozhkov" dhe listën "Magnitski"

Martë, 4 Gusht 2026, 18:47

Bashkëkryetari i "Bullgarisë Demokratike", Ivajllo Mirçev

Bashkëkryetari i "Bullgarisë Demokratike", Ivajllo Mirçev

FOTO: BTA

Madhësia e shkronjave

Nga partia GERB publikuan një qëndrim zyrtar lidhur me një dokument të botuar nga faqja investigative BIRD, sipas të cilit Zyra Amerikane për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) e konsideron të provuar deklaratën e biznesmenit Vasill Bozhkov se ai u ka dhënë ryshfete ish-kryeministrit Bojko Borisov dhe ish-ministrit të financave, Vlladisllav Goranov, në këmbim të favorizimit të biznesit të tij, raportoi BNR Horizont.

Nga GERB kujtojnë se është publikuar një dokument procedural dhe jo një vendim gjyqësor. Në qëndrimin e partisë thuhet se "përpjekjet për t’i paraqitur fjali të veçanta si të vërteta përfundimtare janë propagandë politike dhe jo analizë juridike".

Më herët gjatë ditës, nga "Bullgaria Demokratike" (DB) njoftuan se i dërguan një letër me pyetje OFAC-ut. Ndër pyetjet e tyre janë se pse ndaj Vlladisllav Goranovit u vendosën sanksione sipas ligjit global "Magnitski", por jo ndaj Bojko Borisovit, dhe "nëse kjo lidhet me provat në dispozicion apo është pasojë e konsideratave të tjera". Sipas kësaj force politike, shoqëria bullgare duhet të njihet në mënyrë të hollësishme me këtë çështje, e cila lidhet me një ish-kryeministër të vendit, raportoi BTA.


Redaktoi: Miglena Ivanova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova