Mërkurë 5 Gusht 2026 11:31
Mërkurë, 5 Gusht 2026, 11:31
FOTO: Kompania Shtetërore Hekurudhore Bullgare
Madhësia e shkronjave
Të gjitha 20 trenat elektrikë të markës “Shkoda”, të blerë me fonde nga Plani për Rimëkëmbje dhe Qëndrueshmëri, kanë mbërritur tashmë në Bullgari. Më 5 gusht pritet që këta trena t'i dorëzohen zyrtarisht Kompanisë Shtetërore Hekurudhore Bullgare (BDZH), madje më herët se planifikohej. Nga e hëna, më 10 gusht, ata do të nisin qarkullimin e rregullt në pjesën perëndimore të Bullgarisë, duke zëvendësuar trenat më të vjetër, të prodhuar mes viteve 1969 dhe 1980. Këtë e bëri të ditur në rrjetet sociale Simeon Stavrev, anëtar i Komisionit të Transportit në Këshillin Bashkiak të Sofjes.
Vendosja në përdorim e trenave të rinj do të sjellë ndryshime në shpërndarjen e trenave në të gjithë vendin. Trenat “Siemens”, të prodhuar në vitet 2007–2008, pritet të zhvendosen në pjesën veriore të Bullgarisë, pasi për gati 20 vjet kanë shërbyer kryesisht në jug të vendit.
FOTO: Kompania Shtetërore Hekurudhore Bullgare
Gjatë muajve të ardhshëm pritet të mbërrijnë edhe 5 trena të tjerë “Shkoda”, të financuar nga programi "Lidhshmëria e Transportit". Gjithashtu, do të vihen gradualisht në përdorim edhe trenat e kompanisë “Alstom”, të cilët janë projektuar për udhëtime në distanca më të gjata, si linjat që lidhin Sofjen me Plovdivin, Varnën, Rusen, Burgasin dhe Vidinin.
Njëkohësisht me vënien në shfrytëzim të trenave të rinj, po rinovohet edhe parku i vagonëve, duke zëvendësuar gradualisht vagonët e vjetër me të rinj ose të modernizuar.
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova