Autor
Darina Grigorova
Seksion
Kompostimi – PR i gjelbër apo ndryshim i vërtetë
A do ta shpëtojnë Sofjen kompostuesit falas?
Enjte 6 Gusht 2026 07:05
Enjte, 6 Gusht 2026, 07:05
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Pak ditë më parë, Bashkia e Sofjes njoftoi se do të shpërndajë 4 650 kompostues plastikë falas, me një kapacitet mbresëlënës prej 740 litrash. Deri më tani, nga programi kanë përfituar tashmë mbi 14 000 familje në Sofje. Në pamje të parë, nisma "Kompostó në shtëpi", e cila organizohet për të 11-in vit radhazi, duket si një traditë ekologjike e konsoliduar në administrimin modern të qytetit. Por, nëse shohim përtej sipërfaqes, fushata zbulon si potencialin e saj të madh, ashtu edhe mangësitë e thella në menaxhimin e mbetjeve në Sofje. Për këtë temë biseduam me Danita Zariçinovën, eksperte në ekipin "Zero Mbetje" të shoqatës "Për Tokën".
Danita Zariçinova
FOTO: Arkiva personale e Danita Zariçinovës
"Njerëzit që prej vitesh i ndajnë mbetjet e riciklueshme kanë filluar të kuptojnë se sa e madhe është sasia e mbetjeve të biodegradueshme – veçanërisht atyre nga kuzhina – dhe gradualisht kërkojnë një zgjidhje. Prandaj mendoj se një pjesë e madhe e tyre janë të interesuar. Ka edhe njerëz që nuk kanë oborr për kompostim në shtëpi. Shumë prej atyre që kanë filluar të jetojnë në vendbanime më të vogla, në shtëpi me oborr, tashmë kanë kompostues. Kjo është një praktikë e vjetër, e harruar prej kohësh, nuk është diçka e re; thjesht sot e quajmë kompostues. Prandaj nuk mund të jap një përgjigje kategorike, por është e nevojshme që bashkitë të japin shumë më tepër informacion se si secili mund të kompostojë."
FOTO: sofia.bg
Nëse e krahasojmë numrin e kompostuesve me atë të banorëve të qytetit dymilionësh, llogaritë nuk dalin. Me këtë ritëm, Sofja nuk do t'i përmbushë kurrë objektivat e Bashkimit Evropian për uljen me 50% të mbetjeve ushqimore deri në vitin 2029. Në rrjetet sociale u shfaqën edhe kritika të forta se shpërndarja e kutive plastike të lira (në vend të ndërtimit të sistemeve natyrore prej druri) është thjesht një mënyrë për të përfituar fonde nga programet mjedisore. Argumenti është se shumë qytetarë i marrin këto enë, por për shkak të mungesës së njohurive bazë për kompostimin, i përdorin si kosha të zakonshëm mbeturinash, të cilët pas një viti fillojnë të kundërmojnë dhe braktisen.
FOTO: edenred.bg
"Në Sofje kemi edhe një impiant kompostimi, ku përpunohen mbetje të tilla nga parqet dhe kopshtet, por ende nuk është ndërtuar një sistem i tillë edhe për familjet, gjë që është shumë e rëndësishme. Për më tepër, mbetjet e biodegradueshme janë edhe më të rëndat, pasi përmbajnë shumë ujë. Nëse gjejmë një mënyrë për t'i trajtuar ato, duke përfituar njëkohësisht edhe tokën, do të kuptojmë se komposti i prodhuar është jashtëzakonisht pjellor. Është në dorën e bashkive të motivojnë më shumë njerëzit që të kompostojnë dhe ta bëjnë këtë proces sa më të lehtë e të përshtatshëm për ta. Në Bullgari, vetëm Bashkia e Gabrovos ka vendosur kontejner ngjyrë kafe për mbetjet organike dhe i nxit në mënyrë aktive qytetarët që t'i ndajnë këto mbetje."
FOTO: Bashkia Gabrovo
Pikërisht për shkak se mbetjet ushqimore janë të rënda, bashkitë paguajnë miliona euro për ton për grumbullimin, transportimin dhe depozitimin e tyre. Nëse këto mbetje përpunohen në vend, në oborr, kostot e grumbullimit të mbetjeve ulen ndjeshëm.
Në Bullgari, për shembull, ndodhi që shumë bashki investuan në impiante të mëdha kompostimi, madje me kapacitete aq të mëdha, saqë duhet të grumbullojnë mbetjet e biodegradueshme nga e gjithë bashkia për t'i mbushur ato. Në vend që të motivojnë njerëzit ta bëjnë kompostimin në oborret e tyre, bashkitë duhet të kalojnë me kamionë, të vendosin kontejnerë dhe kështu krijohen sërish kosto shtesë. Në fakt, kompostimi është një proces krejtësisht natyror, i cili mund të realizohet edhe në ndërtesa banimi me shumë kate."
FOTO: Bashkia e Kryeqytetit – Rajoni "Ilinden"
Në përfundim, fushata "Kompostó në shtëpi" është një hap në drejtimin e duhur, por mbetet tepër e kujdesshme. Derisa Bashkia e Sofjes të mos e shohë më ekologjinë si një fushatë PR që organizohet një herë në vit dhe të mos vendosë zgjidhje masive e të aksesueshme për çdo banor të Sofjes, qyteti do të vazhdojë të varrosë miliona euro, në vend që t'i shndërrojë ato në një burim të vlefshëm.
Përgatiti në shqip: Kostandina Bello
Publikoi / Publikuan: Kostandina Bello