SHOQËRI

Artikull

Akullthyesi i "Greenpeace" ankorohet në Varnë dhe hap dyert për vizitorët

Enjte, 6 Gusht 2026, 14:25

Akullthyesi i "Greenpeace" ankorohet në Varnë dhe hap dyert për vizitorët

FOTO: greenpeace.org

Madhësia e shkronjave

Akullthyesi legjendar Arctic Sunrise është ankoruar në bregun e Varnës dhe më 7 dhe 8 gusht do të hapë dyert për vizitorët, të cilët do të kenë mundësinë të takojnë ekuipazhin dhe të mësojnë më shumë për fushatat e "Greenpeace". Vizita e anijes në Bullgari zhvillohet nën moton "Deti i Zi i gjallë pa naftë dhe gaz". Janë planifikuar takime, një ekspozitë fotografike me fotografitë më mbresëlënëse nga puna e "Greenpeace" – Bullgari gjatë 15 viteve të ekzistencës së organizatës në vend. Do të shfaqet gjithashtu filmi dokumentar "Unë, deti – Jetë në heshtje", kushtuar botës nënujore të Detit të Zi dhe kërcënimeve me të cilat përballet.

"Nga kuverta e Arctic Sunrise kemi parë shumë nga vendet më të bukura dhe më të brishta të planetit. Deti i Zi është një prej tyre. Është nder për ne që Arctic Sunrise mbërrin sërish në ujërat bullgare. Shpresoj që vizita jonë të motivojë më shumë njerëz të bëjnë përpjekje për ruajtjen e këtij ekosistemi të paçmuar", deklaroi Pep Barbal Badia, kapiten i Arctic Sunrise, me rastin e mbërritjes së anijes.

Akullthyesi i "Greenpeace" ankorohet në Varnë dhe hap dyert për vizitorët

FOTO: greenpeace.org

Në Varnë, "Greenpeace" – Bullgari do të nisë gjithashtu iniciativën "Qytete pa gaz", e cila inkurajon komunat të investojnë në efikasitet energjetik dhe në burime të rinovueshme lokale, në vend që të investojnë në infrastrukturë të re të gazit. Iniciativa është pjesë e një vizioni më të gjerë për çlirimin nga lëndët djegëse fosile dhe është frymëzuar nga shembuj të qyteteve evropiane, të cilat po e zëvendësojnë gradualisht varësinë nga gazi me zgjidhje të pastra dhe të qëndrueshme energjetike.

Për më shumë se tre dekada, Arctic Sunrise ka shërbyer si bazë lundruese për ekspedita shkencore, dokumentimin e problemeve mjedisore dhe aksione paqësore në mbrojtje të natyrës. Hera e fundit që akullthyesi ishte në Varnë ishte në vitin 2013. Pas largimit nga brigjet bullgare, anija u drejtua për në Arktik për të marrë pjesë në një protestë paqësore kundër shpimeve për naftë pranë brigjeve ruse.

Akullthyesi i "Greenpeace" ankorohet në Varnë dhe hap dyert për vizitorët

FOTO: greenpeace.org

Ja çfarë tha Desisllava Mikova nga ekipi i "Greenpeace" – Bullgari:

"Anija përdoret si për dokumentimin e ndotjes dhe praktikave shkatërruese industriale, ashtu edhe për kryerjen e kërkimeve shkencore që lidhen me ndryshimet klimatike, biodiversitetin dhe gjendjen e oqeaneve. Misioni i saj është të kujtojë se sa e rëndësishme është që Deti i Zi të ruhet dhe të mbrohet, dhe mbi të gjitha të tërheqë vëmendjen ndaj rreziqeve të shumta me të cilat përballet Deti i Zi. Më të fundit prej tyre janë projektet për nxjerrjen e gazit fosil, konkretisht në ujërat territoriale të Rumanisë dhe të Bullgarisë. Në Bullgari ka dy projekte për kërkimin dhe eksplorimin e naftës dhe gazit në ujërat territoriale bullgare të Detit të Zi. Këto projekte premtojnë pavarësi energjetike, madje shteti bullgar ka marrë pjesë me 10% në njërin prej tyre. Megjithatë, kjo është vërtet një aventurë e rrezikshme, veçanërisht në sfondin e shfaqjeve gjithnjë e më ekstreme të krizës klimatike që po shohim gjithnjë e më shpesh. Sidomos tani, nëse i drejtojmë sytë nga Spanja, Franca dhe në përgjithësi Evropa Perëndimore këtë verë, shohim pasojat më të rënda të krizës klimatike, të cilat ishin parashikuar për dekada më vonë, por tashmë janë bërë realitet."

Akullthyesi i "Greenpeace" ankorohet në Varnë dhe hap dyert për vizitorët

FOTO: greenpeace.org

"Temperaturat e larta, zjarret shkatërruese dhe përmbytjet gjithnjë e më të rënda janë dëshmi e qartë e kësaj. Kur themi se mund të jetojmë pa gaz fosil dhe se duhet të heqim dorë nga kjo varësi, synojmë gjithashtu të nxisim një debat serioz mbi alternativat ndaj lëndëve djegëse fosile. Bullgaria, në përgjithësi, ka një konsum shumë të ulët të gazit fosil krahasuar me shtetet e tjera evropiane, pra ndodhet në një pozitë mjaft të favorshme për ta kapërcyer këtë varësi. Në Bullgari, konsumatori më i madh i gazit fosil është Ndërmarrja e Ngrohjes Qendrore e Sofjes (Toplofikacia), e cila përballet me shumë probleme. Pikërisht zgjidhjet e bazuara në energjinë e rinovueshme mund të jenë shpëtimi i saj, pasi ajo varet në masë të madhe nga blerja e gazit fosil, gjë që ka çuar në nivelin e lartë të borxheve të saj. Të mos harrojmë as problemet me ndotjen e ajrit dhe varësinë nga gazi, i cili ka një karakteristikë shumë të rëndësishme: gazi gjithmonë mbaron, pavarësisht se si është furnizuar apo si është nxjerrë. Ky është një burim i kufizuar dhe një ditë shteron. Pasi kjo ndodh, mbetet vetëm varësia. Ndryshe ndodh me burimet e rinovueshme të energjisë, të cilat nuk shterojnë, si era, dielli dhe energjia gjeotermale, që janë burime të qëndrueshme dhe të vazhdueshme."

Akullthyesi i "Greenpeace" ankorohet në Varnë dhe hap dyert për vizitorët

FOTO: greenpeace.org

Akullthyesi Arctic Sunrise do të jetë i hapur për vizita më 7 gusht, nga ora 16:00 deri në 20:00, si dhe më 8 gusht, nga ora 10:00 deri në 12:00 dhe nga ora 13:00 deri në 18:00. Filmi "Unë, Deti – Jetë në Heshtje" do të shfaqet më 7 gusht, duke filluar nga ora 21:00. Më shumë informacion rreth anijes dhe programit të saj mund të gjeni këtu.



Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski